SOT

Nita dhe Lumi, çifti që punon vazo e gota

Me emrin “Konkret”, Nita Podrimja dhe Lum Tashi e filluan aktivitetin e tyre me punimet nga betoni.

Në kohë karantine që të dy e shprehën si ide fillimin e këtij procesi e u mori një vit kohë për të hulumtuar në mënyrë që secili proces të realizohet si është menduar.

Të dy me profesione të ndryshme, me anë të kësaj veprimtarie thonë se për qëllim e kanë të sjellin produkte që i pasurojnë e dekorojnë ambientet e atyre që i blejnë.

Si material kryesor e përdorin betonin për qëndrueshmërinë dhe estetikën minimale që e ka.

Produktet e tyre kanë edhe emra, si: octo, geo e orb, të bazuar në formën ose ndonjë karakteristikë të tyre.

E, secili nga këto dekore i ka edhe veçantitë e veta, meqenëse janë të punuara tërësisht me dorë.

Edhe flluskat e ajrit nga përzierja e betonit me rërë e ujë, e bëjnë karakteristike secilën vazo e gotë.

Nga të tjerët këto produkte u pritën shumë mirë dhe sa herë që Nita dhe Lumi pranojnë fotografi nga konsumatorët, i shtyn që të vazhdojnë më tutje me punimin e tyre.

Përpos vazove e gotave, ata tashmë e kanë menduar që të punojnë edhe llamba, po ashtu me forma gjeometrike.

Po aq rëndësi sa procesit të punës i kushtojnë edhe paketimit, që klientët ta kenë përjetimin e mirë edhe duke e hapur produktin.