SOT

Dashamirët e kajakut lundrojnë dhe pastrojnë Badovcin

E diela e 2 majit, shumë nga klubet e kajakut i gjeti në liqenin e Badovcit.

Ata u bënë bashkë dhe i sollën të gjitha barkat që i dispononin, kështu vizitorët mundën të lundronin me to në liqen dhe në të njëjtën kohë edhe ta pastronin ujin prej ku furnizohen për pije një pjesë e lagjeve të kryeqytetit.

Fillimin e muajit maj, shumë qytetarë ditët i kalojnë nëpër vende atraktive, e në përfundim të ditës nganjëherë ato vende nuk lihen edhe në gjendje të mirë.

E pikërisht pastrimi i Badovcit ishte një ndër arsyet që kjo iniciativë u mor nga dashamirët e kajakut.

Por, për dallim nga vitet e kaluara, këtë herë liqeni nuk pati nevojë edhe për shumë pastrim.

Sipas Arianit, qytetarët tashmë janë vetëdijesuar mjaftueshëm për mbrojtjen e ambientit.

Meqenëse tashmë edhe po fillon sezoni i kajakut, në këtë ngjarje u mundësua edhe promovimi i saj.

Madje, kishte prej qytetarëve që e provuan atë për herë të parë, e njëkohësisht klubet i mësuan ata për mënyrën e përdorimit.

Sipas tij, kajaku nuk është edhe aq i zhvilluar në vend, megjithatë interesimi është në rritje pasi që ky lloj sporti nuk është i vështirë për t’u mësuar.

Përveç të dielën, aktivitete pastrimi të ujërave janë mbajtur tash e një muaj si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.