SOT

16-vjeçarja me biznes për lidhëse flokësh

Këto janë produktet e punuara nga duart e 16-vjeçarres, Anesa Mexhuani nga fshati Milloshevë.

Ajo është nxënëse në gjimnazin “17 Shkurti” në Obiliq, e meqenëse pandemia pezulloi disa herë punën nëpër shkolla, Anesa e shfrytëzoi këtë mundësi dhe nisi të punonte lidhëse të ndryshme të flokëve e kështu duke e krijuar një mini-biznes në shtëpinë e saj.

E ëma e ndihmoi në hapat e parë, pasi që ajo i takon profesionit të rrobaqepësisë, e tani vetë Anesa punon me dhjetëra të tilla brenda ditës.

Shton se shtysë të madhe i pati shoqet e saja, të cilat shpeshherë porositnin për lidhëse flokësh tek ajo, e madje u sugjeronin të tjerëve punën e Anesës.

Thotë se përpos punës, edhe mësimet nuk i ka lënë anash, e kohën për punë e ka ndarë të njëjtë edhe për angazhimet në shkollë.

Për gjatë kësaj kohe, ajo ka perfeksionuar punën, e tashmë një të tillë arrin ta përfundojë për më pak se 15 minuta.

Shumica e klientëve Anesën e gjejnë përmes rrjeteve të saja sociale, ku porositë i pranon vetëm online.