SOT

Inxhinieri 62-vjeçar mes muzikës me fyell e punës me karrocë

Ky është Sabit Islami, e që në Mitrovicë njihet si “inxhinieri”.

62-vjeçari nga lagjja “Shipol” në Mitrovicë u largua nga puna në profesionin e tij në vitet e ’90.

Tash dita e tij nis në 5 të mëngjesit me një kafe pranë lumit “Ibër”.

Pas saj ai luan edhe në fyellin e tij.

“Prej orës 5 të mëngjesit deri në ora 7 unë rri këtu i bie fyellit, e pi kafenë e mëngjesit dhe më pastaj e vazhdoj punën atje në qytet.”

Deri në orën 7 të mëngjesit qëndron te lumi për ta vazhduar më pastaj ditën me punën që e bën tash e 30 vjet .

Karroca me të cilën i shërben qytetarët e Mitrovicës gjithherë e ka mbajtur ngjyrën e verdhë, karakteristike për të.

“Në orët e hershme të mëngjesit, para orës 7 e 30 minuta arrij këtu në qendër ku është tregu dhe i shërbej të gjitha lokalet që janë këtu në rrethinë.”

Që nga koha e represionit kur mbeti pa punë, ai punën me karrocë e bën për 12 orë në ditë.

Paradite ai furnizon lokalet e më pastaj qëndron para Xhamisë së Madhe për t’i ndihmuar qytetarët me gjërat që i blejnë në treg.

“Në vitet e ’90 që na larguan prej punës, të tjerët e gjetën vetën në sisteme tjera, kurse une e gjeta veten në këtë sistem, punë të cilën e bëj për 12 orë në ditë.”

Me këtë punë ka arritur që t’i shkollojë fëmijët e ta mbajë familjen.

Thotë se me qytetarët ndan respekt të ndërsjellë, e çdoherë has në mirëkuptim edhe për punë e raporte shoqërore.

“Qytetarët e Mitrovicës dhe në përgjithësi i përshendës të gjithë. Ata kanë respekt ndaj meje e edhe unë ndaj tyre.”

Posa ta përfundojë punën me karrocë në orën 6 të pasdites, niset për në shtëpi.

Aty ai vazhdon të bëjë punën e inxhinierit në një kabinet që e ka projektuar vetë.

Për 4 orë shfleton literaturën dhe punimet nga e kaluara të cilat ende i mban me shumë krenari.

Për të gjithë të rinjtë në vend thotë që të mos e kërkojnë suksesin jashtë, por të gjejnë punë e të zhvillohen në vendlindje.