Ky është Fatos Lleshi nga Gjakova, një ndër dy poçarët e vetëm që ka Kosova.
Edhe pse konsiderohet zeje në zhdukje, megjithatë, poçaria mbetet zanat mjaft unik për t’u praktikuar.
“Lënda e parë vjen nga Çabrati nga një fabrikë e cila më ka ndihmuar mjaft shumë dhe do të përpunojmë disa forma me argjilën më të pastër në Kosovë”, thotë ai.
Për të ardhur deri te krijimi i një ene nga balta, materiali i përgatitur duhet të kalojë nëpër shumë makineri, derisa të formësohet sa duhet brumi nga i cili krijohet poçi.
“Zanati i poçarit nuk është i lehtë sa mendojë njerëzit, por as i zorshëm sa pretendohet që është”, shton ai.
Ishte viti 2006 kur Lleshi mendoi ta mësonte punën e poçarit, edhe pse asnjë nga familjarët e tij nuk kishte praktikuar këtë zanat, apo ndonjë të ngjashëm.
“Në vitin 2006 më lindi si ide dhe shkova në Bullgari ku mora fillesat e para, çdo fillim është i vështire dhe asnjë nga familjarët e mi nuk e kanë pasur këtë si zanat, por e nisa vetë. Në gjithë Kosovën vetëm në Gjakovë jemi dy poçarë”, tregon ai.
Poçari thotë se e gjithë puna e tij varet nga tregu evropian dhe se të huajt e vlerësojnë më së shumti punën e dorës.
“Kosova në ekonomi është e dobët, por ne kemi tregun evropian që na ndihmon ta ruajmë këtë zanat dhe që të kemi të ardhura të mira”, thotë ai.
Edhe pse Lleshi vetë është ai që e kryen pjesën më të madhe të punës, krah vetes ka ndihmën e vëllait, por edhe të bashkëshortes së tij.
“Formën ia jap vetë, por nuk është vetëm te forma sepse duhet edhe përgatitja e lëndës së parë dhe pastrimit pasi t'u jepet forma dhe më duhet ta falënderoj vëllain dhe bashkëshorten që të dy më ndihmojnë në gjithçka”, shton në fund ai.
Enët të krijuara nga balta në vend më së shumti, sipas poçarit Lleshi, përdoren në restorante.