SOT

Teatri kombëtar, në pritje të investimeve

Në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar po mbahen prova për shfaqjen “LA RRREM”.

Për provat, veshja e kostumeve nuk është e domosdoshme.

Por kur aktorët duhet t’i veshin kostumet për shfaqjet para publikut, dhomat e ndërrimit e pjesa e kostumeve nuk u ofron atyre kushtet më të mira.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Naser Shatrolli, thotë se rregullimi e rinovimi në teatër ka filluar me tualetet.

E se në zhveshtoret e infrastrukturën e brendshme rregullimet janë të domosdoshme.

“Sigurisht që është në planin që i kam adresuar Ministrisë së Kulturës edhe sistemi elektrik. Mungon edhe vetë interneti në skena që duhet të ndodhë. Infrastruktura është në një gjendje më pak se të pranueshme”, ka deklaruar Shatrolli.

Përderisa në skenën e madhe mbaheshin prova, në skenën e vogël dekoratorët po e rregullonin atë për një shfaqje të radhës.

Rrahman Mehmeti, dekorater për 21 vjet me radhë, thotë se e kujton shfaqjen e parë e emocionin që kishte atë ditë.

“Në fillim e ke një mocion pak më ndryshe, nëse e kujton shfaqjen e parë që ka qenë “Martesa e “Baljonit”, një shfaqje me një skenografi shumë të mirë edhe e kam pasur si shfaqje të parë që e kam përgatitë dhe e kam kujdestaruar vetë”, thotë Rrahman Mehmeti.

Pas 21 vjetëve jo shumë ka ndryshuar. Thotë se stafi është zvogëluar e kjo bën që puna të mos e ketë efektivitetin e duhur.

I të njëjtit mendim është edhe Shatrolli.

“Kemi kërkesë edhe për staf të brendshëm, sidomos te kjo pjesa teknike. Nëse e shikojmë në aspektin historik, dekoratorë kanë qenë diku 20, kurse tash vetëm 3.”

Kërkesat e punëtorëve të teatrit për kushte më të mira e shtyn Shatrollin që t’ia paraqesë ato Ministrisë së Kulturës, por që ende mbesin të paplotësuara.