SOT

Mbi 1 milion lule sezonale bëhen gati për pranverë

Mbi një milion e 200 mijë lule pritet që të mbillen që nga fundi i muajit shkurt deri në fillimin e muajit mars në kryeqytet. Begonia, selvia, petunia janë vetëm disa nga llojet që ka përzgjedhur ndërmarrja “Hortikultura” për këtë vit. E për gjithë këtë proces janë të angazhuar gjithsej 21 punëtorë, të cilët çdo ditë kujdesen që në lulishten publike të kryeqytetit t’i kultivojnë ato.

Ndonëse objekti është i vjetër, ai brenda ka dy serra në të cilat me nxehtësinë që krijohet nga oxhaqet bimët qysh tash bëhen gati për mbjellje në pranverë.

Drejtori i ndërmarrjes “Hortikultura”, Isak Rakovica, ka treguar për përgatitjet që tashmë janë bërë, duke thënë se në terren nisin punën që nga ky muaj.

Përveç mbjelljes së luleve, sipas tij, do të mbillen edhe fidanë e shkurre.

Një nga punëtorët që përkujdeset për lulet në këtë lulishte është Rrahim Gashi.

Tash e dhjetë vjet punoj në këtë ndërmarrje. Tashmë jemi në fazën përfundimtare para mbjelljes. U duhen afro 2 javë kohë të qëndrojnë në lulishte”.

Ai ka treguar se lulet janë pothuajse të gatshme për mbjellje.

Gashi thotë se këtë punë e bën me vullnetin maksimal.

Ndërkohë, Rakovica ka thënë se këtë vit pritet që të ngrihet sipërfaqja gjelbëruese në kryeqytet.

E pas mbjelljes së tyre, Rakovica thotë se fillon procesi përfundimtar, ai i mirëmbajtjes nga punëtorët në terren, që i angazhon kjo ndërmarrje.

“Vazhdimisht punëtorët tanë përkujdesen për hapësirat gjelbëruese në kryeqytet që i ka të kontraktuara ndërmarrja jonë”, tha ai.