SOT

Qentë e rrugëve në Kosovë adoptohen jashtë vendit

Rudi, Kiki, Precious, Lucy e Bora janë vetëm disa nga emrat e mbi 40 qenve që janë të strehuar në ”Prishtina Dog Shelter”.

Që nga viti 2014 kjo strehimore vepron si organizatë joqeveritare, në të cilën strehohen qentë endacakë.

Ata të cilët janë të lënduar e të keqtrajtuar, në “Prishtina Dog Shelter” e marrin trajtimin e duhur, ushqehen, pastrohen e bëhen gati për adoptim.

“Prishtina Dog Shelter është formuar në vitin 2014 në shtator me qëllim trajtimin e qenve endacakë”, ka deklaruar Mentor Gashi.

Të shumtë janë ata që drejtohen te kjo strehimore kur duan të adoptojnë qen.

Adoptuesit më të shpeshtë janë ata jashtë Kosovës.

Madje disa nga qentë të cilët i kanë marrë trajtimet e duhura e janë gati, shtëpinë e re do ta gjejnë në Amerikë.

Mentor Gashi thotë se do të donte që adoptuesit brenda Kosovës të ishin më të vetëdijshëm se si duhet mbajtur një kafshë shtëpiake, në mënyrë që këto kafshë të gjenin shtëpi brenda vendit.

E sa herë që adoptohet një qen, lirohet vendi për një tjetër që ka nevojë për strehë.

Krahas kujdesit shëndetësor, ushqimit e trajtimeve të tjera, koha të cilën Gashi ua kushton është edhe ajo e shëtitjeve. Këtë pjesë të ditës qentë mezi e presin, e tashmë janë mësuar të rrinë së bashku.

Që nga dita e parë e deri me sot, “Prishtina Dog Shelter” ka adoptuar 700 qen e ndonjëherë edhe mace nga rruga.