SOT

Prapashtica, fshati piktoresk, por i braktisur

Emisioni “SOT” me materialet e përgatitura ju ka dërguar në shumë fshatra të Kosovës për t’ju njohur me tiparet e tyre e për të kuptuar a janë të populluara ato. Këtë herë ua sjellë një reportazh për fshatin Prapashticë të Komunës së Prishtinës.

Për kah pamja është tejet i veçantë, por ka vite prejse ai është boshatisur në masë të madhe nga banorët.

Sezoni dimëror e bën edhe më piktoresk fshatin Prapashticë të Komunës së Prishtinës.

Me një sipërfaqe prej afro 22.12 km2, ky fshat karakterizohet me relief kodrinoro-malor.

Shtrirja e tij e gjerë ka bërë që edhe shtëpitë e banuara të jenë në distancë prej njëra-tjetrës, aq sa ky fshat të dominohet nga një qetësi e plotë.

Dan Ibrahimi, historian, i përshkruan bukuritë e këtij fshati i cili siç thekson ai, ka kohë prej se është boshatisur.

“Jo vetëm që është fshati im, por jam shumë i lidhur me të. Është një vend kodrinoro-malor. Fatkeqësisht, për shkak të rrethanave ekonomike, një numër i banorëve pas Luftës janë shpërngulur prej këtu”, thotë Ibrahimi.

Nga mbi 1 000 banorë sa konsiderohet të ketë pasur fshati Prapashticë vite më herët, një pjesë e madhe e tyre kanë migruar jashtë vendit.

“Unë jam lind e rritë në këtë fshat. Ka qenë shumë më ndryshe se tash, sepse ka pasur shumë popullsi. Andaj është shumë emocionuese kur e sheh fshatin që është boshatisur në këtë mënyrë”, shprehet mërgimtari.

Karakteristikat e Prapashticës e aktivitetin e banorëve rezidentë atje i njeh mirë kryetari i fshatit, Ilmi Uka.

“Sa banorë ka fshati, ne saktësisht nuk e dimë asnjëherë, sepse ka të tillë që janë banorë të përhershëm e ka edhe të përkohshëm. Aktualisht jemi 38 shtëpi rezidente”, thekson kryetari i fshatit.

Sipas tij, vendasit janë shpërngulur nga fshati për shkak të kushteve, derisa thotë se banorë të tjerë nga rajoni i Prishtinës blejnë parcela ku ndërtojnë shtëpi.

Me të lënë pas këtë fshat, Keqekolla është fshati tjetër i Prishtinës që duhet të përshkohet e që me Prapashticën e lidhin ngjarjet historike.