Çmimi i librit shpeshherë mund të ndikojë në mosblerjen e tij.
Madje nga disa lexues, kostoja e librit nuk përkon me standardin e jetës në vend.
Në grupin që bashkon dashamirët e librit është iniciuar një kërkesë.
Dorlir Kraja, i cili me profesion është disenjator grafik, por që i pëlqen të lexojë, ka kërkuar heqjen e taksës në çmimin e librit.
Përveç iniciativës në grup, Kraja thotë se do të vazhdojnë me peticione e kërkesa në institucione.
Studentja e Inxhinierisë Mekanike, Majlinda Avdiu, tregon se shpeshherë kishte hezituar të blinte një libër për shkak të kostos së lartë.
Ajo madje shton se institucionet e vendit asnjëherë nuk kanë qenë të përkushtuara në lehtësimin e kushteve për të pasuruar bibliotekat.
Edhe një nga administratorët e grupit “Maniakë t’leximit”, Zgjim Sherifi, ka mbështetur kërkesën e iniciuar nga Dorliri.
Por që të arrijë libri deri në duart e lexuesve kalon nëpër shumë procese.
Visar Idrizi nga shtypshkronja “Viprint” thotë se me çmimet aktuale të librave kanë vetëm 10% fitim.
Ndërkohë, së fundmi herë edhe Shoqata e Botuesve e Kosovës ka bërë të ditura problemet dhe sfidat e botuesve, të shkrimtarëve e të përkthyesve. Sipas tyre, është e domosdoshme që Ministria e Kulturës të krijojë hapësirë dhe buxhet, në mënyrë që përfundimisht të hiqet TVSh-ja dhe tatimet e tjera për librin.