E zotëron mirë fushën e tenisit, sport që i solli shumë suksese në karrierën 11-vjeçare.
Kjo është 18-vjeçarja Blearta Ukëhaxhaj nga Millosheva.
Krahas studimeve, Blearta së paku tri orë në ditë ia kushton sportit më të dashur për të.
“Ideja si e kam filluar tenisin ka ardhur nga inspirimi prej babait tim, pasi që edhe ai është trajner i tenisit, andaj në një formë, duke qëndruar gjithnjë në fusha tenisi, më është imponuar, por edhe e kisha me dëshirë”, shprehet Blearta.
Sikurse çdo sport tjetër, edhe tenisi shquhet për disiplina të veçanta, të cilat i njeh mirë tenistja Ukëhaxhaj.
“Sporti i tenisit është sport individual, ku e gjithë përgjegjësia është individuale. Kjo është një ndër pikat kryesore që e ndihmon këdo që merret me këtë sport, sepse ndikon në formimin e personalitetit”, thotë 18-vjeçarja.
Të mirat shëndetësore të tenisit Blearta thotë t’i ketë vërejtur që në hapat e parë të të ushtruarit një sport të tillë.
E guximshme në fushë tenisi, por nuk ishte e tillë kur sfidohej nga lartësia.
Kjo ishte arsyeja që e shtyu tenisten t’i kundërvihej frikës me përballje ndaj saj.
“Kam pasur shumë fobi nga lartësia kur isha në moshë të vogël, mirëpo ngjitjet në male më kanë ndihmuar shumë që ta mposht atë, madje herën e fundit e ngjita edhe ‘Via Ferratën’ e Deçanit”, rrëfen tenistja.
Tentimin e saj të parë për ta ngjitur njërën nga majat e kujton mirë.
“Pati ardhur momenti që unë dëshiroja ta sfidoja veten. Ka qenë viti 2014, isha me Arben Islamin e ‘Hiking Njeri’ në ‘Tarraca e Zogut’, i cili më ka inspiruar pasi që i ka promovuar gjithnjë Bjeshkët e Kosovës”, thotë Blearta Ukëhaxhaj.
Përmes ngjitjeve që tenistja i ka realizuar, ka arritur t’i shohë nga afër thuajse të gjitha bjeshkët e Kosovës e ato të Shqipërisë.
E veçantë nga rrugëtimi që ka nisur mbetet loja e tenisit që kishte zhvilluar me të mbërritur në një nga majat e ngjitura.
“Sa i përket tenisit dhe ngjitjes, në vitin 2019 e kam ngjitur majën e Gjeravicës. Në këtë ngjitje i kam marrë reketët e tenisit me vete dhe jam shoqëruar nga babai e vëllai im. Në majë e kemi vendosur një rrjet tenisi dhe e kemi realizuar një minilojë aty”, shton ajo.