Me trokitjen e kryefamiljarit në derë fillon kremtimi i Krishtlindjeve në shtëpinë e familjes Pergega në Doblibarë të Gjakovës.
“Po vij me djem, me reja, me vajza, me nipa, me mbesa, me shëndet, me bereqet, me para e të gjitha të mirat e Zotit”, thotë Ton Pergega, kur hyn në odën ku i feston Krishtlindjet me familjen e tij.
Tavolina ka ushqime të veçanta të festës, si peshk, lakror, fasule e pije alkoolike. Për 80-vjeçarin Ton Pergega, Krishtlindjet është koha kur bëhet bashkë me një pjesë të familjes që e ka në diasporë.
“Rrallë po bashkohemi. Kjo natë na bashkon, na bashkon më së shumti”, tregon ai.
Pergega ka agjëruar nga mëngjesi deri në mesditë, duke mos ngrënë e pirë. Lama ditën e nesërme është po ashtu traditë që ai e përcjell.
“Thesin (me kashtë) e kemi aty (nën tavolinë). E kemi përgatitur për nesër për ta bërë Lamën... Bëhet kryq me kashtë dhe e rrethojmë po ashtu me kashtë. Është traditë e vjetër e jona”, thotë ai.
Dekorimet e ndryshme të shtëpisë janë edhe në ambientin e jashtëm të shtëpisë. Por edhe më bukur është në oborrin e Kishës së Shën Mëhillit, për të cilën janë kujdesur vullnetarët si Edi Gjakova.
“Tash e disa vite po bëhet një organizim shumë i mirë për dekorimin e kishës (ambientin e jashtëm). Jam falënderues ndaj rinisë që kanë vullnet të madh të vijnë e të punojnë dhe që kanë ide shumë të mira”, thotë ai.
Sipas Gjakovës, festimi është më modest këtë vit. Meshë të Krishtlindjeve ka edhe në mesnatë, edhe në mëngjes, për t'i shmangur grumbullimet e qytetarëve.
“Për momentin është e vërtetë që ka pak njerëz, sepse janë me familjet e tyre në darkën e festës... Në orën 11 e 20 apo 11 e 30 fillojnë të vijnë njerëzit, por duke pasur parasysh që jemi në kohë pandemie jemi përpjekur t’i zbatojmë masat”, tregon Gjakova.
Lindja e Krishtit kremtohet nga miliarda të krishterë nëpër botë, e që në bazë të kishave perëndimore festohet më 25 dhjetor.