SOT

Amara Janjeva sjell vula të veçanta nga dylli

Vulat me dyllë janë përdorur që nga kohët shumë të largëta për të komunikuar me anë të letrave.

Në kohët moderne vulat me dyllë po përdoren për qëllime të ndryshme, jo vetëm për dërgimin e mesazheve me letër, transmeton Koha.

Kur Amara Janjevës iu desh një vulë e tillë, ajo e porositi online, e kur e pa, e tërhoqi shumë. Iu duk jashtëzakonisht e veçantë.

E kështu filloi të hulumtojë më shumë për punimin e tyre.

Mbyllja nga pandemia i dha asaj më shumë kohë të mësojë për vulat me dyllë, kohë kjo kur filloi t’i punojë edhe vetë.

Amara e kujton porosinë e saj të parë e prej atëherë kujdeset vetë për të gjitha detajet. I paketon e ia vendos secilës porosi vulën e saj të personalizuar.

Ajo thotë që me anë të blerjeve online i vetmi komunikim me konsumatorin janë detajet, e me anë të tyre ajo sigurohet që ta përcjellë tërë dashurinë me të cilën e bën këtë punë.

Këtë vullnet e pasion që e ka për vulat, të shtypura prej dylli, e përcjell shumë mirë edhe te klientët e saj.

Vulat me dyllë të personalizuara, duke iu përshtatur nevojës e qëllimit të secilit që i dëshiron, kanë filluar të kërkohen shumë.

E aktiviteti i Amarës që filloi si diçka për të kaluar kohë gjatë karantinës tashmë është përhapur e porositë vijnë edhe jashtë Kosovës.

Kërkesat e mëdha po e shtyjnë që të mendojë ta zgjerojë më tutje këtë veprimtari.

Çmimet për produktet e saj janë standarde për dy madhësitë e vulave, e nuk ndryshojnë varësisht prej klientëve.

Materialet që Amara i përdor janë të gjitha të ricikluara, duke filluar nga paketimi, mesazhet që i lë brenda tyre e edhe dylli.