SOT

Ndërmarrja e gatimeve tradicionale në Greme

Edhe pse i ngjason një shtëpie normale, funksioni i saj kryesor është gatimi i ushqimeve tradicionale vendore.

Asgjë nuk do të ishte realizuar po të mos kishte qenë insistimi i pandalshëm i Nagjije Hashanit, që së bashku me familjen të fillojë një biznes vetjak.

Edhe pse në fillimet e saj nuk gjeti mbështetje nga të gjithë, gradualisht e gjithë familja u përfshi në idenë e saj, transmeton Koha.

Ky biznes tashmë ka një emër, por për klientët besnikë ende vazhdon të njihet si “flija te Nagjija”.

Orari i punës këtu organizohet me dy ndërrime, duke filluar nga ora 3 e mëngjesit e deri në 18 të mbrëmjes.

Edhe pse flija është ushqimi kryesor me të cilin nisi gjithçka, nga këtu ofrohen edhe gatime të tjera të ngjashme tradicionale.

Gatimi i ushqimeve tradicionale do shumë punë, e për t’i bërë ato në sasi më të madhe patjetër se është dashur ndihma e punëtorëve.

Për ta pasur cilësinë që ka tashmë “Flia Produkt”, Kushtrimi, djali i Nagjijes, e krijoi vendin e përshtatshëm.

Objekti është i modernizuar, mirëpo funksionimi mbetet tradicionali - me anë të saçit.

Sipas tij, për ta pasur gjithë këtë sukses është dashur të krijohet besimi mes tyre dhe klientëve.

E, shpërndarja e gatimeve nëpër shtëpitë e klientëve bëhet nga Kushtrimi dhe motrat e tij.

Me profesionalizmin të cilin tashmë po e përditësojnë çdo ditë, së fundmi flinë po e gatuajnë në mënyra të ndryshme, njëra nga to, gjithsesi më e veçanta, është ajo me simbolin kombëtar. Pavarësisht që metoda e përgatitjes ka avancuar, shija e saj mbetet e njëjta, ajo shtëpiake.