SOT

E filloi me zbukurime, tash njihet për çanta

E mësoi punën me grep që në moshë të re, mirëpo nuk e vazhdoi ta praktikojë më tutje.

Me kalimin e kohës dhe dëshirës së madhe për punëdore, Nafije Ibrahimi filloi të punojë zbukurime për festat e fundvitit, gjithnjë duke përfshirë detaje të punuara me grep, raporton KOHA.

Thotë se tërë inspirimin e gjen në natyrë, prandaj shumë prej punimeve të saj përbëhen nga materiale që i gjen jashtë.

Ndër punimet e shumta të saj, janë edhe çantat, të cilat janë të parat në listën e produkteve që pëlqen t’i punojë.

Përgatitja e një çante jo gjithmonë merr kohën e njëjtë, ku varësisht nga modeli e materialet që përdor, ndryshon edhe koha brenda së cilës e përfundon një çantë.

Së fundmi ishte frymëzuar nga një çantë që e pa sa ishte në pushime. Nuk e harroi, e sapo u kthye në shtëpi filloi ta qëndisë vetë.

Porositë gjithnjë i kryen online, nëpërmjet rrjeteve sociale, ku edhe e bën reklamimin e tyre.

Ajo thotë që shtytja më e madhe për të punuar janë klientët e kënaqur.

Këtë e tregon edhe fakti se kur ka porosi brenda Prishtinës i dërgon ato vetë, e kur janë më larg i dërgon me postë.

Ajo nuk e ka ndërmend ta ndalë këtë aktivitet. Thotë se do të vazhdojë duke u kujdesur që në secilin punim të përçojë dashurinë e saj për këtë zanat.