SOT

Studentët i kthehen mësimit klinik në QKUK

Rrallëkush i gëzohet shkuarjes në objektin e Klinikës së Kirurgjisë në Prishtinë. Por, lajm i mirë për studentët e stafin e Universitetit të Prishtinës ka qenë kthimi i mësimit klinik. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, qysh prej 1 nëntorit, ka rinisur mësimi klinik që bëhet me vizita te pacientët e ndonjëherë edhe pjesëmarrje në operacione.

Por, siç tregon profesor-asistenti, Fatos Sada, këto po bëhen me kufizime pasi që nuk lejohen më shumë se dy ose tre studentë për dhomë pacientë, transmeton Koha.

Për këtë lloj mësimi klinik, siç tregon Sada, ka edhe rotacion të studentëve në mënyrë që të mësojnë sa më shumë për sëmundje të ndryshme.

Ai thotë se angazhimi i asistentëve është shtuar. Shton se gjithmonë janë të hapur për zgjatje të minutave të paraparë për t'i mbuluar nevojat e mjekëve të ardhshëm.

Mësimi në kohë pandemie nuk është aq i jashtëzakonshëm kur mendohet se qëllimi i mësimdhënies dhe i mjekimit është human. Aq më tepër kur mjekët e Kosovës, sipas tij, kanë përballuar situata edhe më të vështira.

Edhe studenti Veton Gashi thotë se pavarësisht se në këtë situatë nuk mund të mësojnë si vitin e kaluar, është ndjenjë e mirë t'i kthehen mësimit praktik.

Ndërkaq, sipas tij, fillimi i mësimit klinik ka qenë për kohë të gjatë kërkesë e vetë studentëve.