Komuna e Shtimes tashmë po merr një pamje të bukur, me sheshin e shtigjet për ecje që e përshkojnë lumin, i cili kalon përmes qytetit.
Edhe shtigjet për biçikleta e shëtitoret janë anash rrugëve që e lidhin Shtimen me komunat e fshatrat për rreth, transmeton Koha.
Qytetarët e Shtimes thonë që ky projekt i ka dhënë hijeshi qytetit.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, thotë se ndërtimi i shtigjeve ka filluar para 3 vjetësh dhe është duke vazhduar ende si projekt.
Me këtë projekt qytetarët e Shtimes, sipas tij, do të kenë më shumë vende për aktivitete, si ecje e çiklizëm.
Ismajli tregon që dy fazat e para të projektit kanë përfunduar me investime nga organizata DEMOS, për të vazhduar me investime nga vetë Komuna.
Shtigjet e biçikletave do të mbërrijnë deri në 10 kilometra.
Mbrëmjet, sheshi e shtigjet mbushen plot me qytetarë derisa projekti në tërësi pritet të përfundojë vitin tjetër.
E lumi që kalon në qendrën e Shtimes, përveç që do të ketë rregullim, shtrati pritet të ketë edhe pengesa për mbeturina e pika akumuluese për grumbullimin e ujit.