Kur e mendoi për herë të parë qepjen e çantave, e kishte menduar si punë të komplikuar dhe kishte drojë se s’do të mund ta arrinte.
Mirëpo, sapo u njoftua me makinën e qepjes Nadire Muqaku e fitoi menjëherë dashurinë për këtë zanat.
Puna e saj e parë ishte në industrinë e tekstilit dhe që prej atëherë i lindi dëshira e madhe që ta krijoj një linjë të vetën.
E tash brendi i saj “Nada Bags” ka 1 vit që është në treg, transmeton Koha.
Muqaku qep çanta të llojllojshme, e interesimi për to është në rritje kryesisht për ato të personalizuara dhe për fëmijë.
Familjarët janë ata që i dalin në ndihmë në kohë të kërkesave të mëdha.
Hapësira ku ajo i punon çantat është në qytetin e Fushë-Kosovës.
Por ajo për klientët e qyteteve të tjera përdor dërgesën me postë derisa ato porositen në rrjete sociale.
Kualitetin thotë se ka prioritet në punimet e saj.
Kënaqësia e klientëve thotë se është motiv për përmirësime.
Gjithçka nis nga dizajni, për të vazhduar me qepje e me detaje zbukuruese për fund.
Materialet për çantat i merr në tregjet e Kosovës, e çdoherë thotë se i kërkon ato më të qëndrueshmet.
Nga familjarët e shoqëria, Nadirje Muqaku është dalluar gjithmonë për talentin e saj në qepje derisa punon edhe jastëkë dhe si të tjerët e kësaj industrie, maska në pandemi.