Kjo është periferia e Prishtinës, përkatësisht Kolovica e re dhe e vjetër.
Shtëpitë karakterizojnë lagjen derisa ndërtimi i lartë nuk është i pranishëm në këtë pjesë. Shumica e shtëpive për ngrohje gjatë dimrit përdorin dru, qymyr e pelet. Si pasojë të shpeshta i ka vizitat në këtë pjesë punëtori i oxhaqeve, Aziz Ibrahimi. Brushën e veçantë me gjatësi prej 10 metrash ai e përdor në shumicën e pastrimeve. Ndërsa, puna e tij e zakonshme fillon me heqjen e qyngjeve, ndërsa letrat i vendos për ta shmangur përhapjen e hirit e pluhurit brenda hapësirës së shtëpisë.
Oxhaqet normalisht pastrohen një herë në vit. Ndërsa, cilësia e tyre ndikon në nevojën për pastrim më të shpeshtë. Për këtë ai i veçon ato pa standarde, transmeton Koha.
Cilësia e lëndës që digjet, po ashtu, ndikon në mbushjen e oxhakut me pluhur dhe hi.
Ibrahimi thotë se e do këtë punë, ndërsa shton se mundohet ta bëjë maksimumin në mënyrë që të mos i ndotë ambientet shtëpiake me hi.
Në kryeqytet me kalimin e dekadave ka rënë kërkesa për pastrim të oxhaqeve, sepse është shtuar ngrohja në mënyra të tjera. Por, sipas Ibrahimit, ka lagje të shumta të Prishtinës që kërkojnë pastrimin e oxhaqeve.
Me brusha më ndryshe ai pastron kaldajat e që në këtë rast nga peleti pati më shumë hi. Zakonisht, sipas tij, klientët e tij i qasen përmes rrjeteve sociale. Më e ngarkuara, thotë Ibrahimi është fundjava.
Oxhakpunuesit, sipas tij, janë ndër punëtorët e vetëm që i gëzohen motit të ftohtë pasi që u shtohet puna. Çmimet për këto shërbime brenda Komunës së Prishtinës janë 20 euro për oxhaqe të zakonshme dhe 30 kur bëhet në ndërtesa dhe kaldaja për ngrohje.