SOT

Maskat, puna kryesore e rrobaqepësve në pandemi

Tashmë pamjet e njerëzve me maska janë të zakonshme, kjo sepse bartja e tyre është e domosdoshme për ta parandaluar përhapjen më të madhe të virusit COVID-19.

Kanë kaluar 7 muaj që nga rastet e para me koronavirus në Kosovë, e qytetarët thonë se shumë shpesh e harrojnë maskën kur dalin nga shtëpia.

Qytetarët thonë se në këtë sezon maska përveç si masë parandaluese për përhapjen e virusit, duhet vendosur edhe si mbrojtje nga ndotja e ajrit.

Maskat janë aktivitet kryesor edhe i rrobaqepësve, të cilave po ashtu pandemia ua ka ndryshuar përditshmërinë.

Flora Vrellaku tregon se në fillim ka menduar që qepja e maskave do të jetë për një kohë të shkurtër.

Tani që kanë kaluar muaj e që maskat janë pjesë e pandashme, Flora thotë që edhe kërkesat për to janë nga më të ndryshmet.

Për të qepur një maskë të merr diku rreth 5 minuta, e Flora për një ditë i qep afërsisht 100 maska.

Në muajt kur edhe rastet kanë qenë më të mëdha edhe punë kishte më shumë për Florën në qepjen e maskave.

Çmimet e maskave nuk kanë ndryshuar shumë nga fillimi i pandemisë, varësisht prej llojit të tyre variojnë edhe çmimet.

Në ditë të zakonshme qepja e fustaneve e riparimi i rrobave janë puna kryesore e saj.

Ngjashëm si Flora janë edhe pjesa tjetër e këtij sektori, duke siguruar mbijetesën me maska e punë të vogla.