E njeh mirë komunikacionin në Prishtinë. Orët e ngarkuara në trafik e ato kur ka më pak lëvizje. Rrugët më problematike e detaje të shumta nga lagjet e Prishtinës.
Është ky Ismet Gërvalla, i cili është shoferi më i vjetër i ndërmarrjes publike, “Trafiku Urban”.
Timonin e autobusit e kapi për herë të parë në vitin 2002 e që atëherë Gërvalla thotë se ndryshime të shumta ndodhen në qytet.
Për të atmosfera që krijohet gjatë udhëtimit ka rëndësi të madhe. Këtu veçon bashkëpunimin e mirë që ka me udhëtarët me një pjesë të madhe të të cilëve është familjarizuar, transmeton Koha.
Thotë se i vjen keq kur disa i lë nëpër stacione për shkak të kufizimit të numrit të udhëtarëve të lejuar, si masë parandaluese ndaj COVID-19.
Derisa dikur voziste autobusë më të vjetër se mosha që ka e diskutimet që bëheshin ishin për falimentim të ndërmarrjes e privatizim të saj, 2017-a sipas Gërvallës është vit historik për transportin publik në Prishtinë. Kjo për shkak të ardhjes së autobusëve të rinj.
Në mes të linjës 1, 3. 7c dhe 4 Gërvalla thotë se i pëlqen më shumë kur ndërrimi i tij është në linjën që lidh “Bregun e Diellit” me parkun e Gërmisë.
Pjesë e orarit të punës është edhe komunikacioni. Derisa në kushte normale rotacionin e caktuar e kryen në 50 minuta, kur automjetet mbesin në kolona atëherë kjo shkon deri në 1 orë e 10 minuta.
Pamundësia për ta vazhduar shkollimin në të kaluarën e ka shtyrë ta kërkojë një vend pune e tani Gërvalla nuk mund ta mendojë veten në një profesion tjetër.
Nga 50 mijë kilometra në vit bën shoferi më i vjetër i “Trafikut Urban”, derisa timonin e autobusit do ta drejtojë edhe 2 vjet deri në pensionim.