SOT

Ambiente të rinovuara në shoqatën e të shurdhërve

Ky është objekti që tash e shumë vjet i takon Shoqatës së të Shurdhërve në Prishtinë, e që së fundmi mori një pamje krejtësisht ndryshe.

Tashmë gjithçka është rinovuar dhe është e re.

Kjo erdhi si një “dhuratë” pikërisht në Javën Ndërkombëtare të Personave të Shurdhër, transmeton Koha.

Ky ndryshim u mundësua nga Komuna e Prishtinës, e drejtori për Mirëqenie Sociale, Dren Kukaj, tregon se si nisi realizimi i këtij projekti.

Kukaj flet edhe për raportet që mban me këtë shoqatë dhe tregon sesi Komuna vazhdimisht ka qenë e përkushtuar për ta promovuar punën e tyre.

Brenda kësaj hapësire tashmë janë krijuar kushtet që të zhvillohen edhe më shumë aktivitete të ndryshme, e madje edhe sportive.

Kryetari i Shoqatës së të Shurdhërve në Prishtinë, Armend Ademi, i cili ka 14 vjet që është pjesë e kësaj shoqate, nuk heziton të flasë për gjithë mundin e bërë që të arrihet deri në këtë nivel, e edhe për pamjen që dikur kishte ky vend.

Personat e këtij komuniteti për çdo të premte bëhen bashkë këtu.

Besa Preniqi është interprete e gjuhës së shenjave, e cila kësaj shoqate nuk iu nda që nga vegjëlia. Madje, gjuha e shenjave për të ishte mjeti i parë i komunikimit me të tjerët.

Sipas Besës, në Kosovë ende ekzistojnë paragjykime për këtë kategori.

Në Kosovë janë të rralla institucionet që njoftojnë të shurdhrit me gjuhën e shenjave. Ata thonë se gjatë pandemisë, Shoqata kosovare e të Shurdhërve është angazhuar vetë që të realizojë video-informuese për koronavirusin.