SOT

Jetesa në shtëpitë e vjetra të Prizrenit

Trashëgimia kulturore, si simbol që tregon vlerat e përcjella ndër gjenerata me shekuj, s’do mend që duhet të ruhet e çmohet nga secili.

Prizreni njihet si qyteti i kulturës, e objektet e vjetra këtu mbrohen edhe me ligj. Mes tyre ka edhe shtëpi banimi. Në njërën jeton Valtida Shukriu, e cila tregon se si është të banosh në një shtëpi që është pjesë e trashëgimisë kulturore.

Dashuria për të vjetrën, sipas Shukriut, kultivohet e trashëgohet ndër gjenerata. Kësisoj edhe ka ndodhur në rastin e familjes së saj.

Mirëmbajtja e shtëpive të vjetra është më e vështirë, marrë parasysh që këto shtëpi në qytetin e Prizrenit thuhet se datojnë nga fillim-shekulli i 19-të. E çdo rregullim e ndërhyrje duhet t’i përshtatet arkitekturës të kohës së tyre.

Përveç që janë vlerë e kulturë e lartë, këto shtëpi e objekte mund të jenë edhe gjenerim i të hyrave, duke e ditur që Prizreni mirëpret turistë të shumtë.

Për mirëmbajtje e mbrojtje të këtyre shtëpive nevojitet një bashkëpunim i ndërsjellë në mes të qytetarëve e institucioneve përkatëse. Sipas Valtida Shukriut, ky bashkëpunim ka vend për përmirësime.

E Samir Hoxha tregon për punën që Qendra Rajonale Për Trashëgiminë Kulturore po bën për shtëpitë e mbrojtura në Prizren dhe komunat fqinje.

Hoxha flet edhe për procedurat që duhet kaluar, që një banor i këtyre shtëpive të mund të ndërhyjë në to.

Këtë vit janë ndihmuar pronarë e shfrytëzues të shtëpive të mbrojtura, duke u bërë një analizë më e thelle se si të shkojë kjo procedurë, kush ka përparësi në bazë të gjendjes së objekteve dhe asaj financiare të banorëve dhe institucioneve.

Valon Xhabali nga organizata EC Ma Ndryshe flet për reagimet që kanë bërë për këtë çështje, duke bërë sërish kërkesë për ndarje të fondeve për t’i mbrojtur vlerat e trashëgimisë kulturore.

Shumë nga këto shtëpi tashmë janë kthyer në restorante e bujtina, derisa Prizreni mbetet ndër qytetet më të vizituara në Kosovë.