SOT

Çardaku historik në Prishtinën e vjetër

Dikur shtëpia që përfaqëson një tregtar tipik osman gjatë shekullit të 19-të, i përkiste familjes Koçadishi.

Veranda, muret e larta dhe zonat e ndara në mënyrë rigoroze në kuadër të kompleksit për biznesin dhe çështjen e familjes janë ato që e karakterizojnë shtëpinë, raporton KOHA.

Mirëpo, pas nacionalizimit të pronës së tyre, kjo familje emigroi në Turqi. Ndërsa, në vitin 1954, ndërtesa i është dhënë Institutit të sapoformuar për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Kosovë. E prej kësaj kohe kjo shtëpi banimi është kthyer në ambient pune për punëtorët e Institutit.

Historiani, Emin Sallahu, thotë se kjo shtëpi ka qenë një ndër objektet më reprezentative të ndërtuara në atë kohë në Prishtinë.

E çardaku është pjesa kryesore e kësaj shtëpie, i cili është shfrytëzuar që nga fillimi i pranverës e deri në vjeshtë. Këtu janë pritur mysafirët. Në krye të vendit ka qëndruar i zoti i shtëpisë, ndërsa në pjesën e poshtme gratë dhe fëmijët.

Si pije freskuese në atë kohë është shërbyer sherbeti me trëndafila.

Sallahu ka treguar arsyet se pse familja Koçadishi këtë pronë ia kishte shitur shtetit.

E gjatë viteve kur ka qëndruar familja Koçadishi në këtë shtëpi pranë saj ka rrjedhur lumi Vellusha.

Në oborrin e shtëpisë, sipas tij, ka pasur hambarë, të cilët i kanë mbushur me drithëra që i kanë marrë nga tokat.

Gjatë shekullit të 20-të, në çdo nisje të një shtëpie është mbjellë një dudë, pasi që kjo pemë simbolizon jetë të re në një hapësirë. Një i tillë gjendet ende në oborrin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Kosovë.