Në Kopiliq të Poshtëm të Skenderajt, Drita Mala e zhvillon punën me bletë. Për të arritur deri këtu, ajo tregon se ka kaluar nëpër sfida, duke përfshirë problemet e saj me shkrim dhe lexim.
Kishte qenë pikërisht ky projekt që e kishte nxitur që të mësojë më shumë, raporton KOHA.
E tëra nisi kur Drita dëgjoi për organizatën “Gratë për Gratë” para 3 vjetëve dhe menjëherë e ka parë si mundësi për të zhvilluar veten.
Pas përfundimit të trajnimit të parë, Malës iu besua ta drejtojë shoqatën “Jeta”, ku i dhuruan një bletë të cilën ajo e shumoi dhe ashtu filloi puna e saj në bletari.
Përmes projektit “Mundësitë e grave në treg, ekonomi dhe rrjetëzim”, i cili u implementua nga Kosova “Women 4 Women”, Drita ishte përfituese e grantit.
Pas kësaj, ajo filloi me përkushtim të merret me bletari, ta rrisë numrin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit.
Krahas kësaj, ajo ka të mbjella në oborr edhe disa lloje të luleve me veti shëruese, si mullaga e zezë, ciani e kalendula nga të cilat bletët e marrin nektarin.
Drita është ajo e cila kujdeset për bletët dhe thotë që është një punë që e bën me shumë kënaqësi. Ajo tashmë e ka synim që të jetë e barabartë në mos edhe më e suksesshme se bletarë të njohur të Kosovës.
Ajo i inkurajon gratë që të mos ndalen së punuari drejt realizimit të synimeve të tyre, në çfarëdo fushe qofshin ato.