Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

2020-ta jo e zakonshme dhe ndikimi në shoqëri

2020-a është larg nga të qenët vit i zakonshëm. Maskat, distanca sociale, lëvizja me orar të caktuar, zvogëlimi i rretheve shoqërore, humbja e vendeve të shumta të punës, e kanë karakterizuar vitin. Për vitin e pazakontë, por edhe për periudha të ndryshme, psikologët rekomandojnë që secili ta bëjë një reflektim apo vlerësim të ndjenjave e ndodhive.

Për disa qytetarë reflektimi është i zakonshëm për periudha të ndryshme.

Ajete Prokshi-Dërguti, arsimtare e pensionuar e Edukimit Fizik thotë se bën reflektim vazhdimisht për kohët e kaluara.

“(Reflektoj) jo vetëm për këtë vit që po shkon por edhe për shumë vite të tjera. Nganjëherë ndodh të mendoj që nga fëmijëria si kam qenë e deri kur kam ardhur në këtë periudhë të viteve të pensionit”, thotë ajo.

Edhe regjisori e skenaristi, Jeton Neziraj, thotë se bën mendim e vlerësim të periudhave të ndryshme të vitit.

“Normalisht sepse, besoj se, njeriu i ka momentet kur ndalet dhe reflekton. E bën njëfarë bilanci se çfarë ka shkuar mirë e çfarë ka shkuar keq... Nuk kam moment të caktuar. Zgjohem në mëngjes e mendoj, por nuk është ndonjë proces që e përmbyll në një datë të caktuar”, thotë Neziraj.

Vlerësimi i ndodhive e ndjenjave në periudha të caktuara, sipas psikologes Florentina Dushi, është i nevojshëm. Kjo, sipas saj, duhet të bëhet me qëllim të nxjerrjes së mësimeve për të ardhmen. Fokusi, sipas saj, duhet të jetë edhe te gjërat pozitive te jeta e secilit.

“Ato gjërat pozitive që ne i shohim mbrapa në 2020-tën, ndoshta janë shumë të vogla, ndoshta janë edhe ndonjë imtësi. Nga ana tjetër, në një vit të zakonshëm, ndoshta nuk do t’i analizonim e vlerësonim aspak. Andaj duhet t’i potencojmë gjërat e tilla sepse kjo na bën më të vetëdijshëm rreth asaj se në çfarëdo ngjarje jo të mirë ka edhe gjëra të tilla pozitive. Nuk duhet të fokusohemi vetëm në anën negative”, thotë Dushi.

Mirëqenia mendore është bërë diskutim më i shpeshtë. Kjo ka ardhur edhe për shkak të shërbimeve të reja falas të këshillimit për qytetarët. Siç tregon udhëheqja e vullnetarëve, Shkurtë Bajgora, linja “Mbështetu”, përmes komunikimit, mbështeste mbi 2.000 qytetarë brenda vitit. 25 vullnetarë, përmes telefonit, dhe 15 të tjerë përmes mesazheve punojnë me rotacion për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Prej prillit deri më tani linja po vazhdon. Thirrje kemi marrë. Sidomos muajve të parë ka pasur thirrje të shumta. Deri më tani i kemi pasur mbi 2.000 thirrje nga mosha të ndryshme dhe (telefonues) me shqetësime të ndryshme. Në përgjithësi shqetësimet kanë qëndruar te ankthi, stresi, depresioni, problemet financiare, problemet me familjen”, tregon Bajgora.

Sipas saj, e mira e situatës së re është vetëdijesimi i më shumë qytetarëve rreth shëndetit mendor që telefonojnë në një linjë si “Mbështetu”.