SOT

100 gratë që bëhen bashkë për punime me dorë

Janë mbi 100 gra të cilat mblidhen çdo ditë këtu për të punuar në punë dore.

Me anë të qëndisjes ato krijojnë figura të ndryshme, sikurse lule, peizazhe, por edhe nga tradicionalja.

Punimet e tyre ekspozohen kryesisht në panaire, brenda dhe jashtë vendit, e shpeshherë u dërgohen edhe personave me nevoja të veçanta dhe familjeve me asistencë social.

Për një punim të tillë duhen rreth 2 ditë, varësisht nga lloji i artit që bëjnë.

Artizanalet ndonëse në qytetet e tjera janë në zhdukje, Prizreni njihet për ruajtjen e këtij lloji të artit.

Është kjo Seniha Gashi nga Prizreni që gjysmën e ditës e kalon me gra duke qëndisur e thurur punime të ndryshme. Ajo tregon se qëndisja është pasion, por edhe profesion për të. Më me qejf i ka punimet me rruaza.

Venera Rada, po ashtu, është një punëtore e zonja e cila kryesisht merret me filigran në letër, thotë se nuk është e lehtë për t’u realizuar, por, sipas saj, është art i veçantë që edhe tek ne ka filluar të pëlqehet.

Luljeta Shaipi krahas punëve të tjera gjen kohë për punë dore, ajo thekson se artizanalet janë drejt zhdukjes, apelon që tradita të vazhdohet edhe nga gjeneratat e reja.

Edhe Seher Kazaz është e kënaqur nga puna që ajo bën.

Organizata që mbledh vajza e gra pa dallim përkatësie për punime dore u themelua nga Sevgi Kervan në vitin 2017.

Kervan thekson se puna e tyre vlerësohet, gjithashtu ju bën thirrje të interesuarave që ta promovojnë punën e tyre përmes OJQ-ve të ndryshme.

Nga organizata e grave brenda vitit grumbullohen mijëra punime, të cilat ekspozohen në panaire dhe ekspozita të ndryshme. Shumica e tyre blihen nga vizitorët me çmime të arsyeshme.