Shtojca për Kulturë

Zjarrmitë pacifiste

Dëbimi i shqiptarëve nga Prishtina, mars 1999 (Foto: Reuters)

Dëbimi i shqiptarëve nga Prishtina, mars 1999 (Foto: Reuters)

Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve përmes likuidimit të regjimit diktatorial të Millosheviqit dhe instalimi i demokracisë në Jugosllavi, që do të thotë, një regjim i ligjshmërisë dhe lirisë që, në kuadrin e marrëveshjeve të Rambujesë, të negocionte me kosovarët një sistem bashkekzistimi apo pavarësie, që do të sillte paqe në rajon. Refuzimi absurd i NATO-s për t’i përdorur forcat tokësore e ka zbehur këtë synim dhe kam frikë se e ka bërë praktikisht të pamundur shkatërrimin e Millosheviqit, pasi lufta, në formën e tanishme, ka humbur në masë të madhe arsyetimin e saj

Qëkur shpërtheu lufta në Kosovë e kam ndjekur aq sa kam mundur debatin intelektual që provokoi ajo në Francë, Spanjë dhe Angli, vende midis të cilave, për arsye rrethanore, po lëviz prej disa muajsh. Pa hezitim mund të konkludoj se, edhe pse ka shumë për çka të ankohesh në jetën politike franceze, debati i ideve vazhdon të jetë shembullor në Francë, i gjallë dhe stimulues, brenda traditës më të mirë të kulturës së saj dhe me vite drite larg nga fqinjët e saj, ku ky debat ka qenë i paktë dhe i varfër. Profesorë, shkrimtarë, mendimtarë, gazetarë, artistë po prononcohen në Francë këto ditë, pro ose kundër ndërhyrjes së NATO-s, në radio, televizion dhe në gazeta, siç bënë gjatë luftës së Algjerisë dhe të Vietnamit, ose gjatë ngjarjeve të majit të ’68, në manifestime, diskutime, konferenca dhe artikuj që, përgjithësisht janë të një niveli të lartë, me më shumë arsye sesa sulme apo shpërthime. Dhe ashtu siç më ka ndihmuar mua ky debat për të pasur një pozicion mbi konfliktin, kam bindjen se mbështetja ndaj intervenimit e një mazhorance domethënëse të opinionit publik (deri tani, të paktën) u detyrohet shumë argumenteve dhe shpjegimeve të nxjerra në këtë debat nga intelektualët francezë, një pjesë e madhe e të cilëve është deklaruar, edhe pse ndonjëherë me ngurrim, pro NATO-s.

(Një nga përjashtimet, Rezhis Debre, këto ditë është objekt i një zjarri të vërtetë të artificit kritik për shkak të afërsisë së tij me tezën e Qeverisë Jugosllave mbi Kosovën.) Në Britaninë e Madhe, siç ndodh thuajse gjithmonë, intelektualët e vështrojnë nga larg, me ironi, cinizëm, apo përbuzje, këtë debat politik, duke i braktisur politikanët. Me disa përjashtime, si ai i Salman Rushdisë, i cili në një ese ka arsyetuar dyshimet dhe ankthet e tij mbi intervenimin, dhe ndonjë ese tjetër, më shumë piktoreske, si ajo e Harold Pinterit, sipas të cilit, problemi do të zgjidhej nëse “Toni Bleri nuk do t’ia lëpijë më bythën Bill Klintonit”, debati është kufizuar mes parlamentarëve, ministrave, militantëve dhe analistëve profesionistë. Në fakt, ndoshta, përpjekjen më të madhe intelektuale e ka bërë kryeministri Toni Bler, në intervenimet e vazhdueshme publike, duke shfaqur justifikimet morale dhe politike për ta sulmuar Millosheviqin dhe për ta ndaluar spastrimin etnik të Kosovës dhe, për më tepër, pa i shmangur paqartësitë që kjo paraqet mes aleatëve dhe duke u përpjekur t’u japë përgjigje kritikave të ashpra që provokojnë vdekjet e të pafajshmëve nga gabimet e bombardimeve. Dyshoj se pa këtë angazhim të shëndetshëm personal dhe thuajse të përditshëm të Toni Blerit për ta marrë pëlqimin e opinionit publik, do të mund të kishte në Britaninë e Madhe një konsensus kaq të madh në favor të intervenimit të aleatëve në Ballkan.

Ndryshe nga këto, në Spanjë, debati për Kosovën ka qenë minimal dhe, edhe pse të dyja partitë politike kryesore – Socialiste dhe Popullore – mbështesin NATO-n, kam përshtypjen se opinioni publik (nuk kam parë sondazhe për këtë) tregohet shumë më i vakët se në pjesën tjetër të Europës, ndoshta për këtë, në masë të madhe, armiqësor për ndërhyrjen kundër Millosheviqit. Shumë spanjollë, të terrorizuar nga bombardimet që, në mënyrë të vazhdueshme, dështojnë në objektivat e tyre dhe shfarosin të pafajshëm (serbë apo kosovarë), ndihen të prirë që t’i favorizojnë tezat pacifiste dhe ta refuzojnë çdo veprim ushtarak në Ballkan, duke i ngatërruar në një abdikim të njëjtë, qeverinë e Beogradit dhe Aleancën Atlantike.

Ai që e ka proklamuar me qartësi më të madhe pacifizmin e tij, duke marrë shtysë nga rasti i Kosovës, është Manuel Visenti [Manuel Vicent], romancier i shquar dhe kolumnist i gazetës “El Pais” (16 maj 1999). Pacifizmi i tij pushon kur mundohet t’i gjykojë intelektualët që mbështesin intervenimin ushtarak kundër spastrimit etnik të popullit shqiptaro-kosovar, duke u atribuuar mbiemra ndërluftues: “Intelektualë predha”, “intelektualë raketorë”, “intelektualë bombardues” që “gjithmonë pozicionohen në anën e më të fortit” dhe që pastaj, duke shprehur paqartësi rreth strategjisë së miratuar nga NATO-ja, “mundohen të shkëputen nga shtjella dhe të përvidhen në sipërfaqe”. Duke gjurmuar nënvetëdijen e këtyre mjerimeve njerëzore, pacifisti zbulon në to dëshirën që “këto krime të ishin akoma më të tmerrshme që ndërgjegjja e tij të mund ta treste poshtërimin e shumë të pafajshmëve të vdekur nga bombat e NATO-s”.

Ta shkarkosh indinjatën me një bombardim fyerjesh kundër atyre që mendojnë ndryshe, nuk është mënyra më e mirë për ta promovuar pacifizmin beninj si doktrinë dhe qëndrim moral fisnik në planin filozofik dhe abstrakt, por të pazbatueshëm dhe të gabuar në planin e historisë konkrete. Do të më pëlqente, që në artikullin e Visentit të lexoja më shumë, apo në vend të akuzave së tij, një shpjegim rreth dramës së Ballkanit dhe rreth qëndrimit që duhet të merrte përballë saj, për të kontribuuar në lehtësimin e saj, në dritën e pacifizmit. Ta përshkruash këtë dramë, siç bën ai (“Amerika e Veriut bombardon zemrën e Europës e ndihmuar nga vasalët e saj të NATO-s dhe e bekuar nga disa intelektualë predha”) është një mënyrë e të mosparit, e të mosbërit përpjekje për të kuptuar, e paketimit të kësaj tragjedie ku vdesin dhe vuajnë qindra e mijëra familje nën një slogan.

Konflikti aktual i Kosovës filloi dhjetë vjet më parë, kur Millosheviqi, për ta arritur pushtetin absolut në Jugosllavi, shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe nxiti fushatën nacionaliste në favor të Serbisë së Madhe, që rezultoi me shkëputjen e Sllovenisë dhe Kroacisë, me masakrat dhe copëzimet pasuese të Bosnjës. Edhe pse jo i vetmi, regjimi i Millosheviqit ka qenë përgjegjësi kryesor për tragjedinë kosovare. Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve përmes likuidimit të regjimit diktatorial të Millosheviqit dhe instalimi i demokracisë në Jugosllavi, që do të thotë, një regjim i ligjshmërisë dhe lirisë që, në kuadrin e marrëveshjeve të Rambujesë, të negocionte me kosovarët një sistem bashkekzistimi apo pavarësie, që do të sillte paqe në rajon. Refuzimi absurd i NATO-s për t’i përdorur forcat tokësore e ka zbehur këtë synim dhe kam frikë se e ka bërë praktikisht të pamundur shkatërrimin e Millosheviqit, pasi lufta, në formën e tanishme, ka humbur në masë të madhe arsyetimin e saj.

A do të thotë kjo se ata që mbrojnë abstenimin pacifist kanë të drejtë? Nuk besoj. Bombardimet nuk e kanë prodhuar spastrimin etnik. Ai filloi në mënyrë diskrete dhe të fshehtë prej gati 10 vjetësh, me represionin kulturor dhe politik dhe diskriminimin e mazhorancës shqiptaro-kosovare nga minoranca serbe dhe mbi të gjitha me zhvendosjen e 40 000 ushtarëve të Forcave të Armatosura Jugosllave në Kosovë në mes të negociatave të Rambujesë. Pacifizëm, në këto rrethana, do të thotë të rrish duarkryq para çrrënjosjes ose shfarosjes së dy milionë shqiptaro-kosovarëve. Dyqind mijë të vdekurit e Bosnjës janë një shembull i pastër që sapo lëshohet histeria nacionaliste e luftës, nuk njeh as kufizime dhe as skrupuj. Nëse Perëndimi demokratik do të kishte ndërhyrë atje me kohë, ata të vdekur do të ishin gjallë dhe nuk do të kishte pasur krizë në Kosovë. Pacifizmi që u imponua në atë rast, me gjasë, shkaktoi më shumë viktima dhe fatkeqësi njerëzore sesa ato që do të kishin rezultuar nga një sulm me kohë.

Përkrahja e luftës është shumë e rrezikshme, ka një kosto, revolton ndërgjegjen, sepse gjithmonë paguajnë të pafajshmit për fajtorët dhe, për këtë arsye, duhet të shmanget me çdo kusht, sa herë që të jetë e mundur. A ishte në këtë rast? Në një manifest të kryesuar nga një sociolog i njohur, Pjer Burdio [Pierre Bourdieu], një grup i intelektualëve francezë deklarohen “Kundër spastrimit etnik të Millosheviqit dhe kundër bombardimeve të NATO-s!”. O njerëz, nëse kjo do të ishte një zgjidhje e mundshme, kush nuk do ta mbështeste? Duhet të jesh i çmendur (siç beson Manuel Visenti se janë jopacifistët e kësaj bote) nëse vë bast për luftën kur, mes opsioneve realiste, figuron ndërprerja e njëkohshme e bombardimeve dhe sulmeve serbe kundër popullit shqiptaro-kosovar. Të deklarohesh në këtë mënyrë duket bujare, një festë për paqen, por, në praktikë, është një fluturim jashtë realitetit, një arrogancë, një deklarim i qëllimeve pa lidhje me atë që tashmë po ndodh në këtë botë konkrete. Nëse NATO-ja nuk e fiton këtë luftë, dy milionë kosovarë humbin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, tokat e tyre dhe, shumica, jetën e tyre. Kjo bindje, shumë prej nesh na bën – jo pa frikë e dyshime – ta mbështesim ndërhyrjen.

Koncepti i luftës së drejtë është i vështirë, natyrisht, por është gjithashtu një realitet. Kjo nuk do të thotë se të gjitha luftërat janë të drejta. E vërteta është se një pjesë e mirë e tyre, si gjakderdhja apokaliptike me të cilën u përballën Iraku dhe Irani – me bilancin e një milion të vdekurve – është absurde dhe e evitueshme. E tillë ishte lufta mes Perusë dhe Ekuadorit disa vite më parë, të cilën e kundërshtova dhe për shkak të së cilës diktatura e Fuxhimorit [Alberto Fujimori] më nderoi me tri veprime ligjore si “tradhtar ndaj atdheut”. Por, në rrethana të jashtëzakonshme, si atëherë kur Europa demokratike dhe Shtetet e Bashkuara u përballën me Hitlerin, apo kur raketat e NATO-s arritën të ndalonin që tirania staliniste e BRSS-së ta gllabëronte Kontinentin e Vjetër, përdorimi i armëve është një e keqe më e vogël. “Tamam bishë spanjolle”, thotë një varg i njohur i bashkëpatriotit tim Sezar Vajeho [César Vallejo] (krejt e kundërta e asaj që beson Eduardo Aro Tegleni1, kur më quan “ish-peruan”, pasi marrja e nënshtetësisë spanjolle nuk më ka privuar nga nënshtetësia peruane). Ai e shkroi atë varg, i copëtuar nga trishtimi që i prodhoi egërsia me të cilën spanjollët u shqyen mes tyre gjatë luftës civile. Spanja që ai njihte kishte një të kaluar shumë të pasur, por në jetën e saj politike dhe sociale ishte akoma barbare. Inkuizicioni ishte zhdukur, por jo edhe shpirti jotolerant i të vërtetave absolute, i shkishërimeve, i ukazëve, i censurës, i krimeve. Dhe i mbijetoi asaj paaftësie proverbiale, pothuajse ontologjike, për të bashkëjetuar në diversitet dhe për të mbajtur një dialog civil ndërmjet kundërshtarëve. Sezar Vajeho, nëse do ta shihte sot, do të mrekullohej me atë se sa shumë ka përparuar Spanja që ai e donte dhe për të cilën vuajti. Është një demokraci moderne, e lirë, e integruar në Europën që lulëzon dhe ku bashkekzistenca politike është një realitet i pagabueshëm që nuk arrijnë ta dëmtojnë grupet e vogla të dhunshme, të margjinalizuara dhe të refuzuara nga pjesa më e madhe e popullsisë. Madje, edhe Kisha, mbi të cilën peshon një hipotekë fondamentale prej shekujsh, përditësohet dhe i ruan format. Është interesante të hetosh se shpirti “shtazarak” tradicional ende nxjerr gaca në mesin intelektual, ku zakonisht, në shkëmbimet dhe debatet, shfaqet ashpërsia e vjetër, tentimi irracional për t’i nxjerrë, jo argumentet, por kockat, muskujt dhe të brendshmet e kundërshtarit. Shiheni këtë në epitetet që vezullojnë në kolumnën e Manuel Visentit. Nëse ai, prozator bukurosh, intelektual kult dhe, kulmi, pacifist, ekzaltohet në mënyrë të tillë, paramendoni çfarë mund të pritet nga të tjerët, që janë më të trashë dhe më grindavecë se ai?

24 maj 1999

Përktheu nga spanjishtja: Orjela Stafasani

Marrë nga libri “Çështja e Kosovës”, botoi “OM”, Tiranë 2019.  

Botohet me leje të botuesit