Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Vjetari”- pasqyrë e Institutit Albanologjik

Hyrje

Nga viti 1967, kur u rithemelua Instituti Albanologjik e deri në vitet ‘80, veprimtaria shkrimore dhe intelektuale e këtij institucioni, kryesisht, u promovua përmes shtypit ditor e periodikut që ekzistonin asokohe.

Në muajin mars të vitit 1981, në ish-Jugosllavi shpërthyen demonstratat e njohura të vitit 1981 dhe intelektualët shqiptarë u vunë në shënjestër të pushtetit të atëhershëm, rrjedhimisht edhe veprimtaria shkrimore e intelektuale e tyre u vendos në survejim, andaj ky aspekt përbënte vështirësi në promovimin e kësaj veprimtarie.

Me gjithë këto, veprimtaria e tyre vazhdoi, me fokus të veçantë në botimin e veprave albanologjike. Ky qendërzim i veprave albanologjike u bë deri në vitet ‘90.

Nga viti 1994, kur punonjësit shkencorë dhe administrativë të Institutit Albanologjik u larguan dhunshëm nga objektet e tyre nga pushtuesit serbë, gjer në vitin 2000, fokusi ishte mbajtja gjallë e frymës albanologjike në vendin tonë, përmes disa organizimeve shkencore e botimeve, por nuk kishte shumë hapësirë për promovimin e kësaj veprimtarie.

Edhe “Rezistenca në Kosovë...” shfleton shtypin e fshehtë midis ideologjisë e lirisë Kulturë 1 muaj më parë “Rezistenca në Kosovë...” shfleton shtypin e fshehtë midis ideologjisë e lirisë

Pas vitit 1999, kur punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik u rikthyen në objektet e tyre dhe u sistemuan, Instituti u përball me vështirësi të ndryshme financiare, administrative etj. Mirëpo, pavarësisht këtyre vështirësive, punonjësit e këtij institucioni vazhduan me projektet e tyre në studimet dhe hulumtimet nga fusha e albanologjisë. Një fazë e tillë, mund të themi se, ka vazhduar deri në vitin 2009.

Nga viti 2010 u krijuan rrethana më të favorshme për punonjësit shkencorë të këtij institucioni, si rrjedhojë edhe për veprimtarinë e tyre, një gjë e tillë u shpërfaq me organizime të shtuara shkencore, botime, ekspedita etj. Ky aspekt imponoi që veprimtaria shkrimore dhe ajo intelektuale e punonjësve tanë, të mos lihej vetëm brenda raporteve gjashtëmujore a atyre vjetore Ministri e Arsimit - Instituti Albanologjik, apo në kudër të ndonjë kronike shkencore, por të bëhej një format më i avancuar, ku do të prezantoheshin veprimtaritë e këtij institucioni.

Njëra nga format e prezantimit të punës së këtij institucioni është padyshim edhe ky botim. Ky format i prezantimit është “Vjetari”, për të cilin ka marrë vendim Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik. Pra, ai ka paraparë botimin e një reviste në format katalogu vjetor dhe, për përgatitje, ky këshill ua ka besuar punën punonjësve të këtij institucioni: Valon Shkodrës nga Dega e Etnologjisë, Faton Krasniqit nga Dega e Gjuhësisë dhe Nuridin Ahmetit nga Dega e Historisë.

Një dekadë veprimtari

Pas një konsultimi të bashkëpërgatitësve me drejtuesit e Institutit Albanologjik u dakorduam që, para se të fillojmë me botimin e numrit të parë, të botonim një numër të veçantë të “Vjetarit”, ku do të përfshiheshin të dhënat më të rëndësishme për aktivitet shkencore të këtij institucioni nga viti 2010 gjer në vitin 2020, meqë kishim materiale të konsiderueshme. Ky botim është konceptuar në këtë format, ku përveç parathënies në gjuhën shqipe dhe asaj në gjuhën angleze e hyrjes, janë prezantuar, po ashtu, në kapituj të veçantë edhe:

“Aktivitetet”, duke përfshirë veprimtaritë shkencore, si: përurimet e ndryshme të veprave, tryezat shkencore, sesionet, simpoziumet, konferencat shkencore, pjesëmarrja e studiuesve tanë në aktivitete shkencore ndërkombëtare, aktivitete hulumtuese në terren, arkiva etj.

“Botimet”, ku janë përfshirë botimet e kësaj periudhe, të cilat gjithsej kapin shifrën prej 295 vëllimesh: revista shkencore monografi, përmbledhje punimesh, fjalorë, bibliografi, materiale albanologjike të vjela në terren dhe në arkiva të ndryshëm etj.

Edhe Zotim në fushatë për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik Kulturë 1 muaj më parë Zotim në fushatë për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik

“In memoriam”, ku shkurtimisht, prezantohen si një jetëshkrim i përmbledhur, edhe si homazh, edhe si informacion, jeta dhe kontributi që dhanë në dimensione të ndryshme të veprimtarisë së këtij institucioni kërkimor-shkencor, i ish-punonjësve të Institutit Albanologjik, të cilët nuk janë më në mesin tonë.

“Shtypi për Institutin Albanologjik”, këtu përmblidhen artikujt e gazetave që kanë shkruar për aktivitetet tona gjatë një dekade. Kryesisht janë artikujt të botuar në të përditshmet e Kosovës, por nuk mungojnë as edhe artikujt të shtypit që janë botuar në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe, janë botuar një mori artikujsh, por ne kemi përzgjedhur disa sish. Në këtë përmbledhje janë përfshirë mbi dyzet artikuj, duke përfshirë këtu të përditshmet “Koha ditore”, “Kosova sot”, “Epoka e re”, “Lajm” etj. Ne u jemi mirënjohës dhe i falënderojmë të gjithë gazetarët dhe mediumet e tyre që na kanë përkrahur në këtë drejtim. Në kapitullin e fundit janë prezantuar:

“Foto me rastin e ditës së Institutit Albanologjik”, ky institucion në traditën e tij, datën 1 qershor e shënon si datë themelimi. Punonjësit dhe ish-punonjësit e këtij institucioni, këtë ditë, organizojnë shëtitje në hapësirat shqiptare. Këtu janë prezantuar disa fotografi të realizuara në vende të ndryshme shqiptare, si: në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni. Ky botim së shpejti do të jetë edhe në formë elektronike në uebin e Institutit Albanologjik, me qëllim që të kenë qasje të gjithë ata që dëshirojnë.

Përfundim

Mund të thuhet se, në prag të festimit të 70-vjetorit të themelimit, Institutit Albanologjik iu shtua edhe një botim i ri - “Vjetari 2010-2020” – dhe, së shpejti, pritet të dalë nga shtypi “Vjetari” numër 1, në të cilin përfshihen aktivitetet e vitit 2021. “Vjetari” do të jetë botim i përçdovitshëm i Institutit.

Ky vëllim, me 377 faqe, nuk do ta kishte këtë formë sikur të mos ishte edhe përkrahja pa rezervë e dy bashkëpërgatitësve Valon Shkodra e Faton Krasniqi, si dhe e redaktorit prof. dr. Hysen Matoshi.

Modestia si tipar njerëzor, padyshim se, çmohet edhe sot e kësaj dite. Por, të jesh modest si institucion, ndonjëherë edhe mund të keqpërdoret apo keqkuptohet nga dikush që punën e institucionit dëshiron ta shikojë nga larg. Instituti Albanologjik, përkatësisht punonjësit e këtij institucioni, veprimtarinë e vet studimore, intelektuale e kombëtare, kam bindjen se, më shumë e kanë lënë nën ombrellën e modestisë sa i përket promovimit.

Edhe Demonstratat e 1981-s, Rexhep Qosja dhe gjendja e albanologjisë Shtojca për Kulturë 2 muaj më parë Demonstratat e 1981-s, Rexhep Qosja dhe gjendja e albanologjisë

Andaj, puna dhe veprimtaria e punonjësve, e prezantuar edhe në këtë format, është edhe një përgjigje nga ana jonë për të gjithë ata që janë të interesuar të dinë më shumë për këtë institucion.

Dhe krejt në fund, më lejoni të them se, ky botim dhe botimet e tjera të përvitshme që do të pasojnë do të jenë pasaportë në formë libri e Institutit Albanologjik.