Shtojca për Kulturë

Vija e vërtetë e ndarjes midis Izraelit dhe Palestinës

Teksa aktet mizore të terrorizmit nga Hamasi duhet të dënohen pa kushte, nuk duhet ngatërruar se cila është çështja e vërtetë në Tokën e Shenjtë. Opsioni nuk është një fraksion ekstrem apo tjetri; ka të bëjë me fundamentalistët e të dyja anëve dhe atyre që ende besojnë në mundësinë e bashkekzistencës paqësore

Barbarizmi që Hamasi ka lëshuar ndaj Izraelit duhet të dënohet pa kushte, pa “nëse” ose “por”. Masakrat, përdhunimet dhe rrëmbimi i civilëve, kibucëve dhe festivali muzikor ishin pogrom, duke konfirmuar qëllimin e vërtetë të Hamasit për shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe krejt izraelitëve. Thënë këtë, situata kërkon kontekstin historik – jo si një lloj të justifikimit, por për hatër të qartësisë së rrugës përpara.

Së pari duhet menduar për zhgënjimin absolut që karakterizon jetët e pothuajse të gjithë palestinezëve. Kujtoni serinë e sulmeve të izoluara vetëvrasëse nëpër rrugët e Jerusalemit para një dekade. Palestinezi i zakonshëm do t’i afrohej hebreut, do të nxirrte thikën dhe do ta therte viktimën, duke e ditur plotësisht se ai ose ajo do të vritej menjëherë. Nuk kishte mesazhe në këto akte “terroriste”, nuk kishte as thirrje “Palestina e Lirë”. Nuk kishte organizata të mëdha prapa tyre. Ishin veç akte individuale të dhunës në shenjë dëshpërimi.

Gjërat shkuan për të keq kur Benjamin Netanyahu formoi qeverinë duke u bërë aleat me të djathtën ekstreme, partitë pro kolonizimit që hapur bëjnë thirrje për aneksimin e territoreve palestineze në Bregun Perëndimor. Ministri i ri i sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir, beson se, “e drejta ime, e gruas sime dhe e fëmijëve të mi për të lëvizur lirshëm në [Bregun Perëndimor] është më e rëndësishme sesa e arabëve”. Ky është burri që iu ndalua shërbimi ushtarak, për shkak të lidhjeve të tij me partitë ekstreme antiarabe që janë shpallur si organizata terroriste pas masakrës së arabëve në Hebron më 1994.

Pas shumë vjetësh mburrjeje të statusit si demokracia e vetme në Lindjen e Mesme, Izraeli nën qeverisjen aktuale të Netanyahut është shndërruar në shtet teokratik. Lista aktuale e qeverisë të “parimeve bazë” thekson se “populli hebraik ka të drejtën ekskluzive dhe të patjetërsueshme ndaj të gjitha pjesëve të tokës së Izraelit. Qeveria do të promovojë dhe do të zhvillojë vendbanimet e të gjitha pjesëve të Tokës së Izraelit – në Galilee, Negev, Golan, Judea dhe Samaria”.

Karshi angazhimeve të tilla, është absurde të qortosh palestinezët për refuzimin e negociatave me Izraelin. Programi zyrtar i qeverisë aktuale heq negociatat nga tavolina.

Disa teoricienë të konspiracionit do të insistojnë se qeveria e Netanyahut do të ketë ditur se njëfarë lloji i sulmit po vinte, duke pasur parasysh kapacitetet e fuqishme të Izraelit nën mbikëqyrje dhe mbledhje të inteligjencës në Gaza. Mirëpo teksa sulmi patjetër që u shërben interesave të ekstremistëve izraelitë që janë në qeveri, gjithashtu hedh dyshime mbi qëndrimin e Netanyahut se është “Zotëri Siguria”.

Në çfarëdo rasti, nuk është shumë e vështirë të shohësh se të dyja palët – Hamasi dhe qeveria ultranacionaliste e Izraelit – janë kundër çfarëdo opsioni të paqes. Të dyja janë të përkushtuara për luftë deri në vdekje.

Sulmi i Hamasit është bërë në kohën e konfliktit të madh përbrenda Izraelit, falë përpjekjeve të qeverisë së Netanyahut për të shkatërruar gjyqësorin. Kështu, shteti është ndarë mes fundamentalistëve nacionalistë që duan të braktisin institucionet demokratike dhe lëvizjen e shoqërisë civile që është fort e brengosur karshi këtij kërcënimi, por ngurruese që të jetë aleate me palestinezët më të moderuar.

Tani, kriza afatgjatë kushtetuese është pauzuar dhe është formuar qeveria e unitetit kombëtar. Është tregim i vjetër: ndarjet e brendshme të thella dhe në dukje ekzistenciale janë tejkaluar papritur, falë armikut të përbashkët, por të jashtëm.

A duhet të ketë armik të jashtëm për të arritur paqen dhe unitetin në shtëpi? Si mund të thyhet ky rreth vicioz?

Mënyra për të ecur përpara, vlerëson ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, është që të luftohet Hamasi dhe gjithashtu të përafrohen palestinezët që nuk janë antisemitë dhe të gatshëm për negociata. Ndryshe prej asaj që pretendojnë ultranacionalistët, këta njerëz ekzistojnë. Më 10 shtator, më shumë se 100 akademikë palestinezë dhe intelektualë nënshkruan letrën e hapur “duke kundërshtuar me vendosmëri çdo përpjekje për të zbehur, shtrembëruar ose justifikuar antisemitizmin, krimet naziste kundër njerëzimit ose revizionizmin historik vis-a-vi Holokaustit”.

Pasi të kuptojmë se jo të gjithë izraelitët janë nacionalistë fanatikë dhe jo të gjithë palestinezët janë antisemitë fanatikë, mund të fillojmë të dimë se dëshpërimi dhe konfuzioni shkaktojnë shpërthimin e së keqes. Mund të shohim ngjashmëri të çuditshme midis palestinezëve, atdheu i të cilëve u mohohet, dhe hebrenjve, historia e të cilëve është e markuar me përvojën e njëjtë.

Homologji e ngjashme vlen edhe për termin “terrorizëm”. Gjatë periudhës së përpjekjeve hebraike ndaj ushtrisë britanike në Palestinë, “terroristi” kishte konotacion pozitiv. Në fund të viteve ’40, gazetat amerikane botuan reklamën me titullin “Letër Terroristëve të Palestinës”, në të cilën skenaristi i Hollywoodit, Ben Hecht, shkruante: “Miqtë e mi të guximshëm. Ju mund të mos besoni atë që po ju shkruaj, por ka shumë pleh në ajër për momentin. Hebrenjtë e Amerikës janë me ju”.

Nën të gjitha polemikat e sotme se kush konsiderohet terrorist, ekziston masa e arabëve palestinezë që kanë jetuar në gjendje harrese për dekada. Kush janë ata dhe cila tokë është e tyre? A janë banorë të “territorit të okupuar”, “Bregut Perëndimor”, “Judea dhe Samaria”, ose... shtetit të Palestinës që është i njohur nga 139 shtete dhe ka qenë “shtet vëzhgues joanëtar” i Kombeve të Bashkuara që prej vitit 2012? Megjithatë, Izraeli, i cili kontrollon territorin aktual, i trajton palestinezët si kolonë të përkohshëm, si pengesë për krijimin e shtetit “normal” me hebrenjtë si të vetmit vendas të vërtetë. Palestinezët trajtohen ashpër si problem. Shteti i Izraelit kurrë nuk ua shtriu dorën atyre, duke ofruar pak shpresë ose duke përshkruar pozitivisht rolin në shtetin që jetojnë.

Hamasi dhe ekstremistët izraelitë janë dy anët e së njëjtës monedhë. Zgjedhja nuk është fraksioni ekstrem i njërës apo anës tjetër; është mes fundamentalistëve dhe të gjithë atyre që ende besojnë në mundësinë e bashkëjetesës paqësore. Nuk mund të ketë kompromis mes ekstremistëve palestinezë dhe izraelitë, të cilët duhet të luftohen me mbrojtje të plotë të të drejtave të palestinezëve që shkon dorë për dorë me angazhimin e palëkundur në luftën kundër antisemitizmit.

Sado utopike që mund të duket, dy problemet janë një copë. Ne mund dhe duhet të mbështesim pa kushte të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten nga sulmet terroriste. Por gjithashtu duhet të na vijë keq për kushtet vërtet të rënda dhe të pashpresa me të cilat përballen palestinezët në Gaza dhe në territoret e pushtuara. Ata që mendojnë se ka “kontradiktë” në këtë pozicion janë ata që në mënyrë efektive po bllokojnë zgjidhjen.

Slavoj Zhizhek, profesor i Filozofisë në European Graduate School, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Humane në Universitetin e Londrës dhe autor i librit më të ri “Heaven in Disorder” (OR Books, 2021). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.

Përktheu: Gent Mehmeti