Në vorbullën e përditshmërisë dhe të varshmërisë nga droga, Eroll Shporta vendosi të dalë prej saj, duke lënë prapa atë që për një përdorues nuk është veç fjalë, por edhe mënyre jetese: “Veç edhe sot”. Kështu titullohet edhe libri me rrëfimin e tij, rrëfimin e një njeriu që ia doli të fitojë betejën me drogën, e tash nëpërmjet historisë së tij synon t’ua hapë sytë të tjerëve
Përvojat personale si ish-përdorues i heroinës dhe disa llojeve të tjera të drogës gjatë viteve të shkuara, i kishte shpalosur gjatë takimeve e seminareve të ndryshme me karakter ndërgjegjësues. Njëri prej miqve të afërt të tij e kishte këshilluar që këto tregime t’i përmbledhë në formë të shkrimeve.
Para më shumë se një dekadë e kishte marrë iniciativën për të shkruar, por shpejt ishte dorëzuar. Përtesa e kishte bërë të veten.
Mirëpo në nëntor të vitit 2020, Eroll Shporta do të izolohej për tre javë pasi do të rezultonte pozitiv me COVID-19. Do të niste “shkrimin”, që gradualisht me plotësimet gjatë muajve në vijim, është shndërruar në libër. Promovimi i librit të titulluar “Veç edhe sot” të autorit Eroll Shporta, botuar nga Botimet KOHA, është bërë të shtunën mbrëma në “DokuKino” në Prizren. Me këtë rast miku i autorit që kishte sugjeruar shkrimin e librit është shprehur krenar me të arriturën e shokut të tij të kamotshëm.

Një vepër e jashtëzakonshme
“Ka një shtegtim ky tregim derisa ka mbërritur këtu, edhe përnime po ndihem krenar me Erollin që e ka bërë këtë”, ka thënë Aliriza Arënliu, duke hapur takimin promovues dedikuar librit të veçantë. Ai ka shtuar se iniciativat e tilla të “një individi munden me tregu shumë sende që janë të vlefshme e që nuk janë tregu dhe këso tregime kemi plot në këtë vend dhe në këtë qytet”.
Ndërsa redaktorja e librit “Veç edhe sot”, Flaka Surroi, e ka quajtur atë një vepër të jashtëzakonshme, që shpesh e ka lënë edhe pa gjumë.
nuk ka qenë i lehtë. Sa herë e lexoja e rilexoja tekstin kishte emocione edhe kishte mbresa, të cilat më linin pa gjumë, më shtinin me mendu se a është e vërtetë që dikush mund ta jetojë jetën në këtë formë dhe ta gjejë fuqinë që ta tejkalojë problemin të cilin e ka pasur”, ka deklaruar Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA. Duke qenë kështu edhe parathënien e librit e ka shkruar më shumë si notë personale, të cilën e ka lexuar para audiencës së pranishme në promovimin e librit.
“Teksti i shkruar nga Erolli, ashtu siç i kanë ardhur fjalët dhe kujtimet, kishte një kronologji shumë të logjikshme e mbi të gjitha të rrjedhshme për veten, shoqërinë, drogën, shërimin dhe përvojën empirike që mund të zgjidhë shumë telashe vetëm po të gjendeshin të tillë që do ta dëgjonin”, ka thënë ajo.

Thyerja e tabusë
Arsyeja se pse autori kishte vendosur ta rrëfente jetën e vet, sipas Flaka Surroit, “kishte qenë nevoja për të folur për një diçka që nuk duhet të jetë, pas gjithë këtyre viteve, ende temë tabu në shoqërinë kosovare”.
“Kishte qenë aq i kujdesshëm, saqë kishte vendosur të mos e përmendte asnjë emër të vetëm, as të njerëzve me të cilët ishte shoqëruar apo tregtuar, e as të atyre që janë shtirur se e luftojnë krimin duke e cytur atë me tregti droge. Përjashtimin e vetëm e bëri me bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët pa dyshim e kanë vlerën dhe shpërblimin më të madh për fitoren më të madhe që e ka arritur në jetë”, është shprehur Surroi. Tutje ka sqaruar se me Erollin janë pajtuar që tekstin të mos e standardizojnë, për shkak të ruajtjes së autenticitetit të rrëfimit të Erollit.
“E ai ju flet me një sens humori të papërsëritshëm të një njeriu natyrshëm inteligjent, një zanatliu që shkollën e ka kryer pse është dashtë, kurse librat i ka lexuar sepse ka dashtë. Erolli me gjithë sinqeritetin të cilin e shpreh gjatë gjithë tekstit, në asnjë moment nuk e fajëson askënd për faktin se dikur u ishte futur drogave”, ka thënë Surroi.
Sipas saj, në nëntekst do të perceptohet përherë ndjenja e fajësisë me të cilën ka jetuar gjatë, duke iu futur një rruge e cila dukej pa kthim deri në çastin kur, disi si rastësisht, e gjeti zgjidhjen.
“Përkrahja e jashtëzakonshme e familjes, e në veçanti e nënës tashmë të ndjerë të Erollit, me të pranuar varësinë e tij nga droga dhe pa u përpjekur ta gjenin një fajtor jashtë vetë Erollit, do të shndërrohej në çelësin që do t’ia shpëtonte jetën dhe do ta shndërronte në njeriun i cili sot ofron përkrahje të parezervë të gjithë atyre që jetojnë me moton që u shndërrua në titullin e këtij libri. Të atyre që mendojnë se me dozën e kësaj dite do të ndalet dëshira për ta marrë edhe një, edhe një, edhe një...”, ka thënë Surroi.
Në të njëjtën kohë ka thënë se shoqëria nuk duhet të jetë e verbër karshi dukurisë së përhapjes së përdorimit të drogave.
“Është rrëqethëse të kuptohet se sa lehtë mund të biesh në droga e sa vështirë të dalësh nga to. Është edhe më e rëndë të vërehet se sa verbërisht po sillemi si shoqëri ndaj një fenomeni që, nëse para 30 vjetësh ka qenë mbase i lokalizuar, tash është i gjithëpërhapur dhe pa ndonjë ide të qartë se si të luftohet. Narkomania është sëmundje e rëndë. Ajo jo vetëm që merr jetë, por edhe shkatërron familje, pra e shkatërron bërthamën e një shoqërie. E ky shkatërrim nuk mund të ndalet duke u shtirë se nuk ekziston”, ka nënvizuar ajo.
“Unë po e jap kontributin tim...”
Në anën tjetër, autori Eroll Shporta ka bërë të ditur se botimi i këtij libri është një përpjekje për të dhënë kontribut në parandalimin dhe përballjen me drogat, një dukuri që po zgjerohet gjithnjë e më shumë në terren.
“Kjo nuk është vepër artistike letrare prej ndonjë shkrimtari, sepse unë nuk jam shkrimtar, kurrë s’kam shkruar kurrgjë. Por arsyeja është me u tregu qoftë prindërve, qoftë atyre të rinjve çka kam përjetuar unë gjatë asaj kohe, si kam fillu, pastaj duke i shtuar materialet aty kam shkruar për fëmijërinë time. Kam dashtë me tregu për atë përvojë si kam fillu, si më kanë shkuar 10 vjet me to, si e përfundova atë përvojë të hidhur edhe çka pas asaj”, ka thënë Shporta.
Si ish-përdorues, që angazhohet edhe sot e kësaj dite për t’i ndihmuar të varurit nga droga, Shporta thekson se ka ndier nevojën për ta bërë ‘shkrimin’ përkatësisht librin, meqë e kishte vërejtur se askush nuk po e tregonte rrëfimin e plotë për drogat. Sipas tij, për parandalim dhe ballafaqim duhet informim i saktë dhe në mënyrë të plotë.
“Mjaft kanë probleme, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit, se ashtu siç e kam cekur edhe në libër, kur ta lexoni do ta shihni, që në fillim kur kemi marrë ne drogë, kemi qenë disi të etiketuar, këta njerëz, këta që rrinë në ‘Gjenis’ këta janë drogirasha, këta janë kësi, dhe pak a shumë është ditë kush jemi ne. Por në ditë të sotme nuk besoj se ka ndonjë rrugicë në Prizren ose fshatra që nuk e dinë se çka është droga, aq është përhapë dhe aq është e gjindshme saqë është tmerr”, ka deklaruar Shporta.
Para audiencës ai ka shtuar se secili individ duhet të ofrojë kontributin e tij në luftimin e kësaj dukurie, meqë nuk mjafton vetëm angazhimi i organeve ligjzbatuese.
“Unë po e jap kontributin tim. Nuk po them se e zgjidhi problemin e as nuk po them që s’do të ketë drogë, por së paku disa prej tyre me iu ndihmu, me i udhëzu”, ka thënë ai.
Në mesin e pjesëmarrësve, Semahate Mashkulli dhe Burim Myftiu kanë vlerësuar guximin e Shportës për t’ia prezantuar publikut një vepër të tillë, që do t’i shërbejë shoqërisë për të nxjerrë mësimet e duhura nga pësimet e autorit.
Libri, sipas ‘kumbarës’ së tij, përkatësisht Aliriza Arënliut, ka dramë, histori, dokumentim të 1980-ave, voajerizëm në përdorim të drogës dhe emocione që ngjallen nga tregimet e shumta në 22 kapituj.
“Erolli ka bërë një hap të guximshëm që ka ndarë përvojën e vet, e juve ju mbetet ta merrni guximin për ta lexuar këtë libër”, ka shkruar ai.
Eroll Shporta është i lindur në Prizren, në vitin 1967. Ai është i martuar dhe baba i tre fëmijëve, si dhe njëri prej themeluesve të “DokuFestit”, ku edhe punon.