Argumenti i urrejtjes së lashtë ose i dhunës pereniale, në studimet e nacionalizmit është kritikuar ashpër për mungesën e nuancave dhe thjeshtimin e tepërt të dinamikave komplekse historike. Ky argument nënkupton se identitetet etnike dhe kombëtare kanë qenë të fiksuara dhe të pandryshueshme gjatë historisë dhe se çdo konflikt midis grupeve të ndryshme mund të gjurmohet në armiqësitë e lashta pikërisht ndërmjet këtyre identiteteve. Një analizë diskursive e mitit mbi “perenializmin e dhunës në Ballkan” të rishfaqur në kontekst të raporteve Kosovë-Serbi pas shpalljes së Pavarësisë
Kategoria përshkruese e Ballkanit si “fuçi baruti” e përshkon pjesën e mirë të ligjërimeve të shekullit XX, madje për habi ky interpretim i kufizuar vazhdon të ripërtërihet kurdoherë në lajme ku rishfaqen Kosova dhe Serbia. Megjithëse koncepti i “dhunës pereniale” si kategori epistemologjike nuk përkon me teoritë më të fundit të studimeve të dhunës, konfliktit e paqes, ky koncept rishfaqet si interpretim historik i problemit të raporteve ndërmjet Serbisë e Kosovës duke e reduktuar interpretimin në mite historike/fetare e në presupozimin e ekzistimit të një karakteri të brendshëm të dhunshëm si tipar i grupeve të tëra kombëtare e gjuhësore.
Argumenti i dhunës pereniale
Argumenti i urrejtjes së lashtë ose i dhunës pereniale në studimet e nacionalizmit është kritikuar ashpër për mungesën e nuancave dhe thjeshtimin e tepërt të dinamikave komplekse historike. Ky argument nënkupton se identitetet etnike dhe kombëtare kanë qenë të fiksuara dhe të pandryshueshme gjatë historisë dhe se çdo konflikt midis grupeve të ndryshme mund të gjurmohet në armiqësitë e lashta pikërisht ndërmjet këtyre identiteteve. Kjo qasje nuk arrin të njohë natyrën e ndryshimit të identiteteve dhe rolin e forcave moderne politike dhe ekonomike në formësimin e identiteteve qytetare bashkëkohore. Për më tepër, ky argument injoron rolin e agjencisë dhe aftësinë e individëve dhe grupeve për të formuar identitetet e tyre në kontekst me situatën e tyre socio-politiko-ekonomike dhe e injoron mundësinë për të krijuar forma të reja solidariteti ndërmjet grupeve që ndajnë fate të njëjta në këto situata. Së fundi, kjo qasje mund të shihet si një formë esencializmit që redukton fenomenet komplekse në një faktor të vetëm dhe mund të përdoret për të përforcuar stereotipat dhe për të përjetësuar dinamikat ekzistuese të pushtetit.
Përkundër kësaj, gazetarë, publicistë e madje edhe studiues, nuk hezitojnë që problematikën e Kosovës ta thjeshtëzojnë pikërisht në këto arsyetime kurdoherë që marrin në trajtim apo diskutim çështjen e shtetësisë së Kosovës dhe raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Rasti më eklatant i ditëve të fundit cytur nga zhvillimet ndërmjet raporteve Kosovë-Serbi është deklarata e një profesori në London School of Economics, James Ker-Lindsay, i cili i pyetur për çështjen e Pavarësisë së Kosovës, përgjigjet se procesi i shpalljes ishte proces thellësisht i padrejtë e keq i menaxhuar, e nuk kishte pasur tentativa serioze që të gjendet një zgjidhje në diskutime me Serbinë. Unë e kuptoj që dinamika e sotme e ‘publish or perish’ në akademitë botërore i shndërron shumë profesorë në regurgitatorë të dhënash para se që të bëhen studiues, por një nivel i tillë i injorancës për proceset antikoloniale i profesorit në fjalë nuk justifikohet dot as me mirëkuptimin që mund ta kemi për të si ngjitës i përshpejtuar i shkallëve akademike.
Edhe Dy ministra të Serbisë dhe analogjia që Evropa shmangRelativizimi dhe barazimi i dhunës
Ka edhe publicistë të tillë që kur e trajtojnë çështjen e Kosovës, tentojnë të mbajnë objektivitet në raport me të dyja palët, duke i relativizuar në proces të bëmat historike të një grupi shtypës karshi grupit të shtypur. Kështu dhuna gjenocidale ndaj civilëve shqiptarë e orkestruar nga një aparat i tërë shtetëror barazohet me dhunën ndaj serbëve pas luftës. Relativizimi i tillë i një realiteti objektiv nuk kontribuon fare në krijimin e një platforme të përbashkët për mirëkuptim, aq më pak nëse situata shpjegohet me maksima naive ku ‘secili ka ndopak faj’. Përkundrazi, një platformë e mirë për të përmirësuar raportet për të ardhmen është pranimi i fajësisë shtetërore dhe kërkimfalja. Megjithëse, ne nuk mund të presim që Vuçiqi, Daçiqi apo Vulini të jenë Willy Brandt i ardhshëm, të paktën mund të shpresojmë që vëzhguesit e jashtëm ta kenë bonsensin të dallojnë këto ndryshime qenësore ndërmjet palëve Kosovë-Serbi.
Riciklimi i ligjërimeve për viktimizimin e serbëve
Roli i publicistëve në riciklimin e ligjërimeve ku viktimizimi i serbëve si të shtypur në Kosovë merr rol qendror brenda diskursit historik, është i tillë që i kontribuon vlugut të madh të dezinformatave të përdorura me qëllim të caktuar. Kjo qasje qartazi luan edhe me kujtimet kolektive të masës, dhe e shndërron historinë në mjet lehtësisht të përdorshëm nga politika. Historia si e tillë shërben për ndërtimin e një hierarkie ku dominon një grup i caktuar shoqëror dhe çon tutje te stigmatizimi i grupeve të tjera shoqërore, kulturore, fetare dhe etnike. Pra, kështu identitetet e dhunshme shndërrohen në profeci vetëpërmbushëse.
Tek autorët historianë akademikë, një qasje për tentim të mbajtjes së objektivitetit është edhe klisheja e ripërsëritur në historiografi rreth vështirësisë së ilustrimit të tablosë së përbërjes kombëtare në Kosovë. Mbase në kontekst të trajtimit të historisë çështja e përqindjeve të përkatësisë etnike ka relevancë, por përdorimi i këtij vektori historik si rrugë për të kaluar te ditët e sotme është regres i qartë në argumentin e dhunës pereniale. Pra, këtu historia merr kahe lineare dhe arrihet në konkluzionin që situata e sotme është një nyjë gordiane që nuk zgjidhet dot, paçka që gjithçka reduktohet te këto identitete të supozuara konstante etnike, te hasmëritë e lashta, dhe te karakteri primordial i dhunshëm – “ballkanasi i egër” që shpeshherë përdoret si kategori përshkruese ekzotike e fetishizuar.
Këtë relativizim e shohim edhe te botimet e reja historike, posaçërisht kur diskutohet për gjenocidin. Kështu disa thonë se për secilën herë që Serbia akuzon shqiptarët për gjenocid, shqiptarët u kundërpërgjigjen me një variant të ngjashëm akuzës. Edhe këtu e piketojmë tendencën të reduktohet çdo zhvillim në identitete të dhunshme primordiale dhe çështja të lihet me aq.
Edhe
Beshlin: Doktrina e Vuçiqit bazohet në sovranitetin e kufizuar të shteteve fqinje
Megjithëse ndërmjet akademikëve debati mund të zgjerohet e të tejzgjatet, duhet të kemi parasysh efektin që artikujt publicistikë kanë në formësimin e opinionit për këtë çështje te lexuesit pasivë ndërkombëtarë, te diplomatët e përfshirë në rajon e madje edhe te njerëzit me pozita fuqiplotë. E këta publicistë shpeshherë bazohen edhe në këto studime të mangëta akademike për t’ia vulosur artikullit të tyre petkun e seriozitetit e thellësisë.
Kështu përmbyllet cikli i ripërtëritjes së këtyre stereotipave dhe plasimi i këtij konstruksioni kuaziepistemologjik në breshërinë e artikujve publicistikë që synojnë të analizojnë e të gjejnë zgjidhje për përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi, të justifikojnë krijimin e Asociacionit me komuna ekskluzivisht serbe (çfarë lidhje ka që Kosova është themeluar si shtet multietnik i barabartë për të gjithë), e në fund t’i shpëtojnë nga dhuna pereniale këta ballkanasit kokëfortë.