“Takimi në Burgun e Sremit me të ishte një përvojë sa e dhimbshme, aq edhe mbresëlënëse, në kuptimin se aty kisha kohë dhe mundësi të bisedoja më shumë me të”, e ka kujtuar ish-i burgosuri politik, Enver Dugolli, intelektualin e atdhetarin Ukshin Hoti në takimin e mbajtur në 80-vjetorin e lindjes. Shkrimtari e studiuesi, Ag Apolloni, e ka vlerësuar “lider të dëshiruar dhe lider të mohuar të shqiptarëve të Kosovës”
Shpesh, krejt aktiviteti i Ukshin Hotit përmblidhet në një fjalë të vetme – veprimtar. Shkrimtari, filozofi, profesori, intelektuali e mbi të gjitha, atdhetari i çështjes kombëtare do të dënohej me pesë vjet burgim nga regjimi serb. Do të përfundonte burgun më 16 maj të 1999-s, ditë e diel, e pazakontë për lirimin e të burgosurve. Asnjë gjurmë prej tij që atëherë.
Ka qenë kujtimi për të, që 24 vjet pas, e mban të lidhur me vendin. Të dielën kur janë shënuar plot tetë dekada prej lindjes së tij, është kujtuar pikërisht nëpërmjet asaj që përkon me veprën e tij: me librat.
Në shenjë nderimi për veprën e Ukshin Hotit autorë librash janë mbledhur të shtunën në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” për të kujtuar figurën e tij e për të ndarë me të pranishmit kujtimin për të. Fokus kanë qenë librat “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” i Enver Dugollit dhe “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit që trajtojnë, ndër të tjera, temën e të pagjeturve.
Motivim për forcë edhe në burg
Enver Dugolli ka ndarë edhe kujtimet e tij me veprimtarin Ukshin Hoti, gjatë kohës sa ishte i burgosur politik. Ka thënë para të pranishmëve se për të kishte qenë njëfarë force burgosja e të tjerëve intelektualë dhe si shtytje për të vazhduar më tej. Derisa figurën e tij e ka përshkruar para publikut të të gjitha moshave, ka treguar se ka qenë motivim për të gjithë.
“Takimi me të Burgun e Sremit me të ishte një përvojë sa e dhimbshme, aq edhe mbresëlënëse në kuptimin se aty kisha kohë dhe mundësi të bisedoja më shumë me të. Dhe ishte e dhimbshme, sepse ndaj tij kanë ushtruar dhunë të jashtëzakonshme, të paparë. E kanë mbajtur tërë kohën të izoluar nga ne. Momentin kur kanë filluar bombardimet e kanë sjellë te ne. Ka qenë ai person që nuk fliste për ankesa, por ne e vërenim, nga qëndrimi, nga konstrukti i tij, shenjat që i kishte kudo”, ka thënë Dugolli derisa e ka vlerësuar Hotin edhe si diplomat.
Dugolli ka thënë se Ukshin Hoti ka qenë i hapur edhe me moshat e reja, ku ka treguar se gjatë asaj kohe, më i riu i burgosur ishte veç 17 vjeç. Mençurinë e tij e ka përkufizuar me parashikimin e tij për pasojat e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe e malazeze.
“Ka qenë njerëzor dhe qëndronte me të gjithë, të rinj e të vjetër. Thonë se gjatë bisedës me të kishte thënë se nuk do të duhej të zgjasnin bombardimet kaq shumë sepse Serbia do ta shfrytëzojë këtë rast dhe do të bëhen masakra të mëdha në popullatën civile në Kosovë dhe masakrat më të mëdha kishin ndodhur atë kohë”, ka thënë Dugolli.
Vendimin për të shkruar librin “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” e kishte marrë dy dekada pas. Libri ishte botuar në vitin 2019. Ka thënë se ruante copëza kujtimesh pasi nuk kishin ditar për t’i hedhur ato.
“Nuk kishim ditar që t’i ruanim dhe ishin copëza kujtimesh që shpeshherë i hedhja në letër, por shpeshherë ngelja aty për shkak se edhe kur isha në burg mendoja se nëse do të kisha fatin të shpëtoja, unë do të isha një burim i pashtershëm i kujtimeve te njerëzit e letrave, historisë e shkencës”, është shprehur Dugolli, deputet në Kuvendin e Kosovës.
Rrëfimet e tjera të shumta mbesin të pashpalosura ende. Ka vlerësuar se duhet të shkruhet e të thuhet më shumë për të burgosurit politikë. E kulmi i krejt ngjarjeve të asaj kohe ka thënë të ketë qenë masakra e Dubravës.
“Kulmi i këtyre përjetimeve është masakra e Dubravës që gjithsesi që është një ndër temat që sado që thua, sado shkruan, edhe po të flasim me javë e me muaj të tërë, për gjithë ata të burgosur, nuk do të arrijmë kurrë ta themi gjithë atë llahtar e tmerr që ka ndodhur. Sado që njerëzit e kanë lexuar librin dhe kanë marrë përshtypjet e para e kanë bashkëndier me dhimbjen tonë, është krejtësisht e vogël ajo që kemi arritur ta themi”, ka thënë Dugolli.
Lider i dëshiruar dhe i mohuar
Libri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit ka qenë tjetër rrëfim që trajton temën e të pagjeturve. Ai e ka vlerësuar Ukshin Hotin si “lider të dëshiruar dhe lider të mohuar të shqiptarëve të Kosovës”.
Për romanet dokumentare ka thënë se janë të rralla pos në vend, edhe në letërsinë botërore. Ka qenë i pari roman i këtij lloji që ka shkruar.
“Janë të vështirë sepse duhet t’i takosh personazhet, duhet të marrësh historinë e tyre, të krijosh dosjen, duhet të mos trillosh, por njëkohësisht të bësh një montazh të bukur që libri të duket artistik. Kjo pjesë e montazhit të jep mundësi të shumta të ngjyrosësh librin, të jetë i bukur, i pëlqyeshëm, por nuk guxon t’u ikësh fakteve”, ka treguar Apolloni para të pranishmëve.
Për romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” ka zgjedhur dy personazhe. Sipas tij, është akti i durimit që personifikohet me Ferdonije Qerkezin që humbi të katër të bijtë dhe bashkëshortin. Për fatin e dy të bijve dhe të bashkëshortit ende nuk dihet. Dhe në anën tjetër, është Pashkë Krasniqi-Markaj, si akt i revoltës me të cilën personifikohet në libër. Ishte vetëflijuar pasi i ishin kthyer trupat e vdekur të dy bijve në vitin 2003.
“Insistoj që gjithçka që thuhet në këtë libër është e vërtetë. Ky libër mund të paraqitet edhe si dëshmi nëpër gjykata. Ma ka propozuar përkthyesi i librit dhe unë kam thënë që i qëndroj pas. Historitë janë të vështira për t’u lexuar, të rralla. Disa mendojnë se është e pamundur të ndodhë diçka e tillë në fund të shekullit XX, por kur e lexojnë e shohin se romani është i klasifikuar në zhanrin dokumentar, çuditen”, ka thënë shkrimtari e profesori Ag Apolloni.
Ngjarja është moderuar prej Durim Abdullahut, ligjërues në Departamentin e Historisë në Universitetin e Prishtinës.
“Është përzgjedhur kjo datë, përkatësisht ditëlindja e Ukshin Hotit, si një sebep i mirë për të diskutuar për dy libra të cilët rrahin në mënyra të ndryshme me historinë politike të vonë të Kosovës”, ka thënë Abdullahu në fillim të ngjarjes.
Gjatë ditës është mbajtur edhe ceremonia përkujtimore për jetën dhe veprën e veprimtarit Ukshin Hoti, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Veprimtari i lëvizjes kombëtare, Ukshin Hoti, u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999. Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të SHBA-së ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar 5 vjet burgim.
Sipas biografisë së tij, më 16 maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë. Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se ishte liruar nga burgu më 16 maj, të dielën, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti e atdhetari Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet i zhdukur.