“Ukraina – Përplasja Perëndim-Rusi”, “Historia e Ukrainës dhe e Krimesë” dhe “Roli i diplomacisë botërore në konfliktin Rusi-Ukrainë” me autor Lutfi Bilallin, përbëjnë triptikun e librave që vijnë jo vetëm si botime të veçanta që kapërthejnë historinë, kontekstin e luftës së fundit e të tjera fakte, por edhe si thirrje për ndërgjegjësim mbi pasojat e luftës që nuk po ndalet
Në muajin kur do të bëhen dy vjet prejse Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në Prishtinë vjen në triptik, jo vetëm shpërthimi i luftës më 24 shkurt të 2022-s, por e gjithë historia e pushtimeve të një pjese të territorit të saj – Krimesë. “Ukraina – Përplasja Perëndim-Rusi”, “Historia e Ukrainës dhe e Krimesë” dhe “Roli i diplomacisë botërore në konfliktin Rusi-Ukrainë” me autor Lutfi Bilallin, u përuruan të shtunën. Pikënisje e librave kishte qenë solidariteti me popullin ukrainas dhe mungesa e literaturës. Veçmas ndërgjegjësimi i publikut për rrezikun që i kanoset botës.
Në ngjarjen ku janë promovuar tre titujt e rinj të ish-konsullit të Kosovës në Gjermani ato janë konsideruar si burim njohurish e referencë për punë hulumtuese.
Gadishulli i Krimesë në jug të shtetit lindor të Evropës është i pashmangshëm në të tre librat e Bilallit që trajtojnë aspektin politik e historik të vendit. Vëllimet vijnë si studim analitik i historisë, marrëdhënieve diplomatike të Ukrainës me vendet e tjera e pushtimet ndër shekuj. Në librin “Roli i diplomacisë botërore në konfliktin Rusi-Ukrainë”, trajtohen përpjekjet diplomatike për të zgjidhur konfliktin. Aty analizohet edhe ndikimi i konfliktit në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pasojat e mundshme për sigurinë botërore. Libri fokusohet edhe në profilet e dy personazheve kyçe sa i përket kësaj çështjeje, por edhe shumë të përfolura sa i përket skenës ndërkombëtare politike: presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Trajtohet kryesisht e tashmja, për dallim nga dy botimet e tjera.
Siç edhe është thënë në kafe-galerinë “Kultplus”, ku është mbajtur promovimi, ata konsiderohen si pasqyrë e qartë mbi situatën në të cilin është bota, çdoherë më e pasigurt. Libri voluminoz “Ukraina...” nis duke e trajtuar aspektin gjeografik të Ukrainës që nga periudha e mesjetës, e deri në shpërbërjen nga Bashkimi i Republikave Sovjetike Socialiste. Përfshin pozitën e shtetit gjatë dy luftërave botërore. Revolucionet politike e udhëheqësit e saj politikë janë tjetër pjesë, sikurse edhe lufta për regjionin e Donbasit, prej ku edhe kishte nisur lufta hibride ndërmjet Rusisë e Ukrainës. Ndikimi i luftës në raportet SHBA-Rusi elaborohen si kërcënim që lufta të zgjerohet në kahe të tjera. Si ilustrim janë armët bërthamore e furnizimi i vazhdueshëm me armatim. Sfond i krejt kësaj është edhe historiku i rivalitetit ndërmjet dy superfuqive botërore: Rusi dhe SHBA.
Sipas autorit Lutfi Bilalli, çështja e sigurisë është njëri prej dy qëllimeve që e kanë drejtuar në realizimin librave. E ka theksuar ndikimin e kësaj lufte në destabilizimin e Ballkanit.
“Qëllimi i parë ka qenë mungesa e literaturës dhe pastaj çështja e sigurisë. Ballkani është vatër e ndjeshme. Po flitet se Ukraina po përdor edhe bombë disk. Si kundërpërgjigje, gjithë ai kontaminim do të vijë edhe te ne. Unë besoj se do të ketë edhe të tjerë që merren me këtë problematikë. Për mua ka qenë një punë bukur e lodhshme. Diku tre vjet kam shpenzuar në këtë drejtim”, ka thënë ai. Ka thënë se botimet kanë qenë edhe një lloj mishërimi me çështjen e Krimesë, aneksuar prej Rusisë më 2014.
“Prej vitit 2014 merrem me këtë çështje e më pas edhe me invazionin në Luhansk dhe Donjetsk që janë komplet të kontrolluar nga forcat ruse. Vija e Dneprit është ajo që i ndan dy kultura, megjithatë për ne është e rëndësishme që lexuesit dhe njerëzit e shkencës të kenë literaturë me informacione për këtë luftë që ka pasoja të mëdha, mund të them, edhe për sigurinë globale”, ka thënë autori i tri botimeve më të reja të tij. Një të llojit të ngjashëm e kishte botuar në vitin 2011. “Konflikti izraelito-palestinez dhe shanset për paqe në Lindjen e Afërt", është libri tjetër që trajton marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë e konfliktet në vatrat e krizave në botë.
Në “Historia e Ukrainës dhe e Krimesë – Luftërat dhe aleanca ‘Vëllazëria sllave’ mes ukrainasve dhe rusëve”, një nga tri librat e botuar nga shtëpia botuese “3SD”, lexuesi njoftohet me historinë e Ukrainës nga antikiteti e deri në vitet e fundit. Në vëllimin voluminoz prej më shumë se 500 faqe, sjell figurat e rëndësishme të historisë së popullit ukrainas. Në libër përfshihet edhe rezistenca e popullit ndaj pushtuesve të shumtë. Kjo, për shkak të pozitës së favorshme e si vend i begattë, që e bënte atë të merrte emrin “Hambari i Evropës”.
Në njërin prej kapitujve janë edhe informacionet mbi shqiptarët dhe historia e tyre në Ukrainë e Krime, se si kanë lëvizur dhe përfunduar deri atje.

Autori Bilalli ka thënë se pushtimi i Ukrainës ka krijuar kontura të një rendi të ri botëror, aty ku ka vatra të mëdha të krizave. Ka thënë se e tashmja e Ukrainës është e përafërt me të kaluarën e Kosovës.
“Në diplomaci dhe në qarqet ku ka të bëhet me forcë, gjërat mund të shkojnë edhe më ndryshe, por ne dëshirojmë që këtij konflikti t’i vihet kulmi dhe të jepet një zgjidhje që të ketë fund”, ka thënë Bilalli, i cili prej tetorit të vitit 2018 deri në mars të 2020-s ishte Konsull i Republikës së Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë.
Recensenti i të tre librave, politologu Nexhmedin Spahiu, ka thënë se botime si këto janë të rëndësishme, për shkak se janë të parët të këtij lloji në vend dhe se synojnë vetëdijen e publikut për gjendjen politike në të cilën ndodhet bota.
“Ata që e kuptojnë fjalën pionier, nuk kam çfarë flas më shumë në këtë drejtim. Pastaj është momenti, vetë lufta në Ukrainë, e cila përcakton rendin e ri botëror në kuadër të njerëzimit. Nuk është një luftë që bëhet kudo në botë. Është gati si një luftë e tretë botërore nga vetë përmasat e shtetit të Ukrainës, involvimit të njërës prej superfuqive në mënyrë direkte, do të thotë se këtu përcaktohet fati i globit”, ka thënë Spahiu.
Ka shtuar se nëse përdoren armët bërthamore në këtë konflikt rrezikohet globi.
“Vetë fakti që po ndodh një luftë e përmasave të tilla dhe ku gjithë vëmendja botërore është e drejtuar andej, të jemi indiferentë ndaj saj na barazon me injorancë shumë të madhe. Paraqitja e këtyre tre librave na bën një popull normal me botën. Në gjuhën shqipe kjo është e para dhe është e rëndësishme që edhe ne të jemi pjesë e këtij normaliteti”, ka thënë Spahiu, derisa ka vlerësuar se lufta në Ukrainë e ka bërë të ndjeshme secilën luftë në botë dhe se duke e ditur historinë e këtij vendi e njohin më mirë vetveten.
Temën jo pak komplekse, në “Ukraina – Përplasja Perëndim-Rusi” e trajton pozitën e historinë e Ukrainës, sistemin e saj politik e rolin e saj në kontekstin e sigurisë bërthamore. Aty janë edhe raportet e Ukrainës me fuqitë botërore. Profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi, e ka bërë recensionin e këtij libri.
Derisa ka cituar në analizën për këtë libër, ka thënë se në të argumentohet që Ukraina ishte në qendër të vëmendjes gjatë dy luftërave botërore, duke theksuar edhe pasojat e Luftës së Dytë Botërore: tetë milionë të vrarë dhe dëme të mëdha në infrastrukturë. Sa i përket periudhës së fundit që trajton libri përmend financimin e Ukrainës deri në fund të vitit 2023.
“Në libër paraqiten në detaje të dhënat financiare të mbështetjes për Ukrainën, që deri në fund të vitit 2023 arrijnë shifrën mbi 143 miliardë euro. Në vijim autori trajton arsenalin bërthamor dhe fuqitë atomike, përfshirë aspektin e zhvillimin historik dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë në historinë e zhvillimit bërthamor. Kjo pjesë është paraqitur nën hijen e rivalitetit historik SHBA-Rusi”, ka thënë Qerimi.
Botuesi Osman Gashi është shprehur i lumtur që e kanë sjellë trilogjinë për lexuesit shqiptarë. Njërën prej arsyeve e ka përmendur mungesën e literaturës shqip në vend në lidhje me këtë çështje. Tjetra është çështja e pozicionimit si popull.
“Arsyeja e dytë është se edhe ne si shqiptarë duhet të pozicionohemi kah e dyta është që ne si shqiptarë duhet të orientohemi drejt botës perëndimore duke e mbështetur në formë morale e intelektuale, si dhe të sjellim informacion më të saktë dhe më të përmbledhur, të cilin Lutfiu me punën e tij voluminoze ka sjellë informacion, referenca, burime të saktësuara”, ka thënë Gashi.
Në ngjarje kanë qenë të pranishëm edhe gazetaret ukrainase që tash e një kohë janë vendosur në Kosovë.
Lyudmila Makey ka thënë se publikimi i librave vjen kur është zbehur vëmendja për luftën në Ukrainë. Ka thënë se kjo e fundit duhet ta njohë Kosovën sapo të përfundojë lufta.
“Fatkeqësisht, vëmendja për luftën në vendin tonë është zvogëluar. Ne kemi të njëjtën të kaluar historike, kemi karakter të njëjtë si shtete, duam liri dhe luftojmë për të. Nuk mund të tregoj mendimin rreth punës me librat, por mendoj se është kontribut i çmuar. Doja t’ju falënderoja një milion herë dhe të them se pas fitores sonë na duhet të bëjmë një gjë të rëndësishme. Ukraina duhet ta njohë Kosovën”, ka thënë ajo.