Shtojca për Kulturë

Teatri – skena e çlirimit nga përndjekja e së kaluarës

Teatri - "Hija e gjatë e Alois Brunerit"

Prapaskena e “Hije e gjatë e Alois Brunerit” – shfaqjes e cila hapi edicionin e 15-të të festivalit “Polip” të enjten mbrëma në teatrin “Oda” – ka qenë shembulli ideal për ta qëmtuar temën “E kaluara që përndjek të ardhmen: artikulim kreativ i momenteve historike”

“E kaluara që përndjek të ardhmen: artikulim kreativ i momenteve historike”, ka qenë tema e diskutimit me pjesëtarë të ekipit sirian të shfaqjes “Hija e gjatë e Alois Brunner” e cila ndjek deri në Siri kriminelin nazist. Por ajo që del në skenë është vetëm njëra anë e shfaqjes. Tjetra ka të bëjë me jetën reale. Dy aktorët Mohamad Al Rashi e Wael Kadour dhe dramaturgu Mudar Alhaggit në festivalin “Polip” kanë shpalosur dramën e tyre. Për ta ndonëse teatri ose arti nuk e ndryshojnë botën, skena ia kujton njeriut se ndryshimi i botës është gjithmonë i mundur

“Hija e gjatë e Alois Brunner” ka një hije të gjatë prapa. Historia e saj as nuk nis e mbaron në skenë. Deri aty, krejt ekipi ka një tjetër “shfaqje”: atë të jetës. Ikjes nga Siria edhe sherri i saj. Teatri është një lloj shpëtimi prej dramës jetësore. Prapaskena e “Hije e gjatë e Alois Brunerit” – shfaqjes e cila hapi edicionin e 15-të të festivalit “Polip” të enjten mbrëma në teatrin “Oda” – është shembulli ideal për ta qëmtuar temën “E kaluara që përndjek të ardhmen: artikulim kreativ i momenteve historike”. Një ditë më pas, të premten, diskutimi në këtë temë e ka rikthyer ekipin sirian të shfaqjes po në teatrin “Oda”, për ta zbërthyer jo vetëm thelbin e procesin e “Hijes...”, por edhe të fuqisë së teatrit e momenteve të jetës së tyre. “Dhe prapë dielli lind” – siç është motoja e festivalit treditor – ka marrë kuptim edhe në këtë diskutim, njëri prej dy diskutimeve që ka sjellë sivjet “Polipi” krahas shfaqjeve teatrore, shfaqjes së filmit dhe leximit të tregimeve deri në përmbyllje të shtunën.

Dy aktorët Mohamad Al Rashi e Wael Kadour dhe dramaturgu Mudar Alhaggit kanë shpalosur idetë dhe rrethanat nën të cilat është krijuar shfaqja. Trupa ndërkombëtare që përbëhet nga artistë të mërgatës siriane në skenë ka sjellë një punë që është produkt i një procesi dyvjeçar kërkimi, diskutimi dhe improvizimi të ndërtuar mbi jetën dhe figurën enigmatike të Alois Brunnerit – një ish-nazist i njohur që gjeti strehë në Siri pas Luftës së Dytë Botërore.

Regjia e shfaqjes mban firmën e Omar Elerianit, regjisor i njohur për qasjen e tij eksperimentale, i cili bashkëpunoi nga distanca me aktorët përmes platformës Zoom. Prishtina është stacioni i parë i “Hijes...” para një publiku ballkanik.  

Megjithëse është një figurë që në dukje përfaqëson të kaluarën e largët, prania simbolike e Brunnerit në shfaqje ngre pyetje të mprehta për mënyrën se si historia ndikon mbi të tashmen, për mënyrën se si ideologjitë mbijetojnë, për mënyrën se si trauma – personale dhe kolektive – mbetet e pashëruar kur nuk emërtohet. 

“Hija e gjatë e Alois Brunner” nuk është vetëm një përpjekje teatrale, por një ndërmarrje që prek thellë identitetin dhe përvojat personale të aktorëve dhe artistëve që morën pjesë në të. 

Alhaggi Mudar, dramaturgu dhe njëri nga aktorët, që jeton aktualisht si refugjat në Gjermani, e ka përshkruar përvojën si një përballje me vetveten. Ai ka thënë se në njëfarë mënyre Brunneri dhe vetë ai janë reflektime të njëri-tjetrit me histori të përmbysura. Ai kishte ardhur në vendin e tij për të gjetur paqe pas krimeve që kishte kryer, ndërsa aktori e dramaturgu ka thënë se u detyrua të largohet nga vendi i vet për të gjetur njëfarë paqeje që i mungonte.

“Mbaj mend kur më 2020 e dëgjova për herë të parë historinë e Brunnerit dhe më erdhi shumë interesant, dukej si histori ankthi, por ajo që ma tërhoqi vëmendjen ishte historia se si një punëtor gjerman kishte ikur në Siri si refugjat dhe unë jam një refugjat sirian në Gjermani. Kjo ishte gjëja e parë që ma tërhoqi vëmendjen, por nuk na mjaftonte ankthi i historisë dhe kështu na lindi pyetja ‘pse po duam ta bëjmë një shfaqje për Alois Brunnerin?’”, ka treguar ai gjatë diskutimit.

Për Mohamad Al Rashin, aktorin që në shfaqje e portretizon Brunnerin, procesi krijues ishte një rrëqethje emocionale. E ka përshkruar rolin si një “kërkim të rrezikshëm”, duke theksuar se në fillim kishte ndier dëshirën për ta kuptuar personazhin.

“E kemi diskutuar sigurisht bashkë me regjisorin sepse jemi aktorë partnerë në këtë shfaqje dhe na duket pak e ekzagjeruar, meqë unë jam personazh i Brunnerit dhe kishim diskutime të mëdha, a është me të vërtetë ky Alois Brunner apo është imagjinatë dhe përveç kësaj, kishim problem me gjuhën, sepse ai është refugjat i huaj. Është personazh i ekzagjeruar, por në të vërtetë ai është kriminel”, ka thënë Mohamad Al Rashi, teksa u përgjigjej pyetjeve gjatë panelit.

Sipas tij, ndoshta ai “nuk është më njeri, por një sistem”. Një pasojë. Një mostër e ndërtuar, jo e lindur.

“Nuk e dinim a duhet ta lëmë si njeri apo si djall. Arritëm të vendosim se nuk është njeri, por as djall s’është. Është shumë interesante”, ka shtuar ai.

Në kontekstin e shfaqjes, Siria paraqitet jo vetëm si vendi që strehon një kriminel, por si një vend që vuan prej dekadash – një vend ku kujtesa përplaset me nevojën për mbijetesë, ku dhuna strukturore e të sotmes përzihet me hije të errëta të së shkuarës.

Aktori Wael Kadour, ka përmendur gjatë diskutimit se ky projekt ishte si një udhëtim drejt brendësisë së vetes. E kishte ndier që për herë të parë pas shumë vitesh po rifitonte të drejtën për të imagjinuar. Lufta, pandemia, distanca nga vetja, nga gjuha e vet, nga teatri – të gjitha e kishin shndërruar në një trup që lëviz pa zë.

“Unë dhe kolegët e mi, pas pandemisë, ishim emigrantë të mërguar në Evropë, të harruar dhe më shpresëhumbur për ta ndryshuar jetën personale ose politike në shtetin tim, sepse gjatë asaj kohe mes COVID-it dhe regjimit, isha futur në një shtjellë, në depresion, i varur nga ilaçet dhe më dukej sikur po e humbja të drejtën për të pasur një jetë më të mirë”, e ka përshkruar historinë e tij gjatë diskutimit Wael Kadour.

Me këtë projekt, ai ka treguar se u ndie sërish si një person që ka diçka për të treguar dhe se perspektiva e re i kishte mundësuar të përjetojë rritje personale.

“E kam përdorur Brunnerin si arsye që të më lërë të kthehem në të kaluarën, sepse si mund ta takonim Alois Brunnerin, nuk e dija, por teknikisht e takova vetveten aty, e takova versionin e vjetër të vetes, bashkë me Mudarin dhe Mohamedin i takuam në fakt hijet tona që i kishim lënë 14 vjet më parë në Siri. Andaj kjo ishte shumë personale, më ka zhvilluar shumë dhe çka më pëlqen për këtë projekt – ndonëse teatri ose arti nuk e ndryshojnë botën – puna me djemtë dhe me Omarin më ka kujtuar se ndryshimi i botës është gjithmonë i mundur, thjesht kërko ndihmë. Kur pak më vonë ra regjimi, u ndjeva sikur nuk dua të vdes, kam akoma kohë dhe mund ta përmirësoj jetën time”, ka rrëfyer ai.
Në fund të panelit – udhëhequr nga Alban Beqiraj –  kur njëri nga të pranishmit në audiencë – pa dashakeqësi, por me ndjenjën e thellë të lodhjes që shkaktojnë krizat e pafundme – pyeti: “A është Siria ende sexy?”, dhoma e vogël e foajeut të “Odës” u mbulua nga një heshtje që nuk lypte përgjigje, por reflektim.

“Mendoj se në krejt Evropën, i gjithë teatri po shkatërrohet, të gjitha projektet e shteteve po dështojnë, sidomos për shkak të luftërave, asgjë nuk është më sexy”, u përgjigj Mohamed me një buzëqeshje të lodhur.

E në këtë lodhje, kjo shfaqje e gjen arsyen e vet. Është një përpjekje për të mos harruar, për të rikujtuar se historia nuk është një dosje që mbyllet, por një dritare që mund të hapet papritur – ndonjëherë nga skena e një teatri, ndonjëherë nga një zë që përmend një emër të harruar, ndonjëherë nga pyetja që e zhvesh spektatorin nga pozita e rehatshme e shikuesit.