Shtojca për Kulturë

Teatri i Izraelit përballë sfidave e censurës në synimet bashkëkohore

Teatri i Izraelit

Në kuadër të programit të teatrit “Oda” në Prishtinë është mbajtur diskutimi “Teatri i Izraelit”, ku është folur për mënyrën e funksionimit të teatrit në Izrael, për sfidat me të cilat përballet dhe dallimet me shtetet e tjera, me këtë rast edhe me Kosovën. Sipas dyshes izraelite Lilach Dekel-Avneri dhe Allex Fassberg, dallimi i madh me Kosovën është audienca shumë më e re dhe pjesëmarrja më e madhe në shfaqjet teatrale

Teatri i Izraelit duket i largët, por kur nis shpalosja e sfidave me të cilat përballet, sa vjen e afrohet me skenat e këtyre anëve, edhe kur teatrot kundrohen nga aspekti se çfarë kanë kaluar nëpër të kaluarën, gjendjen e tanishme dhe synimet për të ardhmen.

Në hapësirat e teatrit “Oda” në Prishtinë, të premten mbrëma është mbajtur diskutimi me dyshen Lilach Dekel-Avneri dhe Allex Fassberg. Pikërisht teatri atje ka qenë temë diskutimi, i cili synon t’i përshtatet kohës bashkëkohore. Në dimensione të ndryshme përkufizohet i njëjti nocion kur bëhet fjalë për shtete të ndryshme. Censura është çështja shekullore që vazhdon edhe sot. Në Izrael ajo kushtëzohet me financimin e projektit nëse ai shpërfaq anën negative të qeverisjes së shtetit, ndërkohë festivale të ndryshme kanë rregullore që nuk lejojnë pjesëmarrjen e shfaqjeve të caktuara.

Sipas personaliteteve të skenës teatrale në Izrael, dallimi i madh me Kosovën është audienca shumë më e re dhe pjesëmarrja e tyre në shfaqjet teatrale pa dallim. Audienca izraelite tashmë është ndarë ku vetëm të moshuarit marrin pjesë në shfaqjet tipike teatrale. Të vështirë e konsiderojnë të sjellin gjeneratat e reja në ulëset e sallave të teatrove të mëdha, pasi konstatojnë se ata bashkohen në skenat alternative si teatër më bashkëkohor.

Regjisorët e rinj, në kërkim të pavarësisë

Lilach Dekel-Avneri ka thënë se koncepti i tyre është i tillë që mendojnë më pak se çfarë pret audienca të shohë, dhe më shumë për sfidat në interpretimin në skenë për shkak të paraqitjes para numrit të madh të audiencës.

Ajo është artiste multidisiplinare, regjisore teatri, dramaturge e kuratore. Për punën e saj është vlerësuar me shumë çmime prestigjioze, përfshirë “Prosenblum” në vitin 2016. Prej vitit 2017 është drejtoreshë artistike në “Mi-Darom Festival” në Ofakim të Izraelit dhe prej vitit 2016, koordinatore e EURODRAM, rrjet evropian për shfaqje dhe përkthime. Kështu, ka përkthyer dramat e autorëve të ndryshëm dhe ka inskenuar shumë të tjera. Shfaqjet si “Adam Geist”, “Someone is Going to Come”, “Macbeth” e “Phaedra's Love” janë fituese të çmimeve “Golden Hedgehog” nga Britania e Madhe. Shfaqja “Lost Paradise” është fituese e çmimit në Festivalin “Acco” në Izrael gjatë vitit 2014 për shfaqjen më të mirë në teatrin alternativ, aktoren më të mirë në rol dytësor, dizajnin e hapësirës dhe muzikën.

Veprat e saj shpesh përshkruhen si ngjarje teatrale ose vepra arti me cilësi poetike dhe sureale që ofrojnë alternativa reale ndaj teatrit konvencional. Shfaqjet e performancat në skenën alternative i vlerëson si më komerciale, kryesisht të lidhura me muzikën, megjithatë sfiduese i konsideron buxhetet e vogla përkundër zgjerimit çdoherë në rritje të aktivitetit të teatrove.

“Ka shumë grupe të tjera dhe çështja është se buxheti nuk rritet. Kemi shumë të rinj që punojnë në të njëjtin buxhet. Jemi pesë grupe kryesore të pavarura, ndërsa në përgjithësi mendoj se janë rreth 30 të tilla. Çdo vit ka regjisorë të rinj që mundohen të bëjnë më të mirën duke qenë të pavarur dhe gjithashtu të arrijnë të formojnë grupet e tyre të cilat rriten dhe rriten çdoherë”, ka thënë ajo derisa ka përmendur Ministrinë e Kulturës si organ që njeh teatrin si institucion dhe si rrjedhojë mund të përfshihet në financim. Ato që nuk njihen synojnë mbështetjen nga fondacionet e ndryshme.

Shkrimtari e dramaturgu Allex Fassberg ka rikonfirmuar fjalët e Dekel-Avneri derisa ka thënë se ka më shumë se 30 grupe të pavarura që funksionojnë në kuadër të skenës teatrale në Izrael.

“Ka shumë grupe që punojnë para se të bëhen të njohur, e që do të thotë se ata punojnë për të mbledhur fonde. Zyrtarisht ata mund të mos jenë të njohur, por në çdo qytet ka grupe të pavarura. Të gjithë punojnë me buxhetin e njëjtë”, ka thënë ai.

Allex Fassberg ka studiuar për Teatrin dhe Shkencat Humane në Universitetin e Tel-Avivit dhe i ka vazhduar në drejtimin e Dramaturgjisë në universitetin “Goethe” në Frankfurt të Gjermanisë. Punon edhe si dramaturg i pavarur në Izrael dhe Gjermani, si dhe në kuadër të kompanisë “Pathos Mathos” bashkë me Lilach Dekel-Avneri.

Shfaqja “Etwas Kommt Mir Bekannt Vor” me të cilën ka debutuar, ka fituar çmimin “Retzhofer Dramapreis 2017”. Premierë ishte dhënë në Vjenë, në prill të vitit 2018.

I pyetur nga dramaturgu Jeton Neziraj – i cili ka moderuar diskutimin – se a duhet të njihen dramaturgët më gjerë për të qenë të njohur edhe në vendin e tyre, Fassberg ka thënë se gjithçka ka të bëjë me financimin, pasi shtetet si Gjermania dhe Austria japin të drejtën për financim, ndërsa në Izrael nuk ka mbështetje sistematike për shkrimtarët. Ka thënë se mbështetja financiare mund të merret nëse prodhon, ndërsa për të prodhuar duhet një tjetër burim i të ardhurave dhe kjo është arsyeja pse shumë shkrimtarë synojnë të dalin nga vendi.

“Në Gjermani është dallimi se cila është tema dhe se si punohet në të. Është tradita e regjisë së teatrit ku secili nga regjisorët e mëdhenj ka themeluar gjuhën artistike dhe kjo është mënyra e sjelljes e aktorëve dhe performuesve. Është diçka për të cilën në Izrael vetëm kemi dëgjuar, mënyra e sjelljes së tyre është shumë më ndryshe”, ka thënë ai.

Vetëcensurimi në këmbim të audiencës dhe financimit

Censura si fenomen në shfaqjet teatrale ka qenë një temë tjetër e diskutimit mes dramaturges izraelite Dekel-Avner dhe bashkëkombësit të saj, Fassberg. Lilach Dekel-Avneri është shprehur të premten në teatrin “Oda” se qeveria e di se mund të censurohesh duke marrë parasysh pasojat që mund të vijnë më pas. Ka shpjeguar se në Izrael ka po ashtu festivale, statusi i të cilave nuk u përshtatet shumë shfaqjeve ku rast konkret përmend lakuriqësinë, gjë e cila i është ndaluar në shfaqjen e saj në një nga festivalet ku ka marrë pjesë. “Unë mendoj se nuk duhet dëgjuar vetëm njërën anë, por duhet të shfaqim të dyja. Nëse zgjedhim vetëm njërën dhe ajo nuk është ana e duhur, atëherë censurohesh. Ka shumë artistë që janë të frikësuar të kalojnë limitet edhe për shkak të censurës dhe preferojnë të vetëcensurohen në këmbim të audiencës më të madhe, të ardhurave, si dhe për t’u prezantuar në më shumë vende”, është shprehur ajo para të pranishmëve.

Artistët e politikës radikale

Në anën tjetër, dramaturgu Fassberg mendon se censura mund edhe të mos jetë e nevojshme paraprakisht, por kur prezantohet projekti, censurohet financimi i tij nga shteti apo censura vjen edhe në forma të tjera.

“Kjo ndodh në shumë artistë izraelitë që mund të bëjnë diçka që thumbon shtetin, por pastaj është prapavija ku nuk mbështetet, nuk pranohen në pozita të ndryshme apo nuk ftohen në festivale. Pastaj janë edhe njerëzit e quajtur artistë të politikës radikale, të cilët e shohin veten si artistë aktivistë. Censura vjen zakonisht në formë të financave, më shumë sesa ndërhyrje në regji”, ka treguar ai.

Gjatë diskutimit është thënë se kualiteti i punës është kriter i njohur, mirëpo pyetja vjen më pas se kush janë anëtarët që përbëjnë jurinë vlerësuese për shfaqjen. Dy folësit izraelitë kanë bërë të ditur se është krijuar një lloj komiteti, kusht i të cilit është që duhet pasur fillimisht dy vjet veprimtari, secilin vit nga 20 performanca.

“Imagjinoni nëse keni 20 performanca që duhen paguar dhe të bëhen për 20 aktorë në skenë. Gjithashtu varet edhe nga numri i audiencës pasi në Izrael është shprehi të shkojnë të gjithë në teatro të mëdha, përkundër se biletat janë shumë të shtrenjta”, ka treguar Dekel-Avneri.

Më tej ka treguar se vetë ajo ka ndikuar në tekste të shfaqjeve të ndryshme duke i shkurtuar e ndryshuar gjuhën ku ka vlerësuar se nuk është e rregullt. “Ne kemi filluar të bëjmë atë që e quaj ‘reagim’ ndaj tekstit klasik. E kemi marrë tekstin e Aeschylus nga ‘Prometheus Bound’ për ta bërë në një mënyrë post-dramatike. Kemi bërë skenën ku Prometeu nuk lëviz, karakteri kryesor nuk lëviz dhe të tjerët vijnë pranë tij. Kështu e vendosim audiencën në një udhëtim duke u përshtatur në hapësirën në të cilën punojmë. Ngjarja lëviz nga dhoma në dhomë duke iu përshtatur tekstit”, ka shpjeguar ajo.

Teatri në Izrael konsiderohet element kryesor i skenës së artit dhe kulturës në shoqërinë izraelite. Ai vlerësohet si krijues dhe i vlerësuar, me prodhime dhe shfaqje vendore e ndërkombëtare si në skena të vogla ashtu edhe në teatro në shkallë të gjerë. Shfaqjet në Izrael jepen në hebraisht, anglisht dhe shumë gjuhë të tjera. Atje shpesh priten trupa teatrore ndërkombëtare por gjithashtu ka shumë grupe teatrore dhe shfaqje lokale. Shfaqjet atje konsiderohen si ngjarje miqësore për familjen me shumë shfaqje për fëmijë në të gjithë vendin, që krijojnë argëtim për të gjithë familjen. Tel-Avivi numëron shtatë teatro, përfshirë atë të Akademisë së Arteve Performuese dhe teatrin e fëmijëve “Oma Poral”. Teatro të lashta romake janë “Caesarea Maritima” dhe “Tiberias”. Tre teatro gjenden në Jerusalem, katër në qytetin Jaffa, dy në Haifa dhe në qytete tjera.

Teatri amator hebre u shfaq në kohët e lashta në formën e “purimspiel”, një skeç ose monolog, zakonisht në gjuhën popullore në mjedis shtëpiak.

“Këto tekste nuk janë thjesht të parafrazuara, por janë kthyer në dramatizime të gjalla dhe shpikëse të tregimeve biblike dhe postbiblike. Gjithashtu të dukshëm janë përbërësit e kulturës popullore çifute siç janë shpërndarë nga yeshiva (si parodia e rabinëve ose predikimet komike), këngëtarët dhe mësuesit, ose nga figura karnavalesh si kllouni (lets), budallai (nar) dhe shakaja apo badkhn”, shkruhet në ueb-faqen e enciklopedisë “YIVO” të hebrenjve në Evropën Lindore.

Teatri profesional hebre ekziston që nga fundi i shekullit të 19-të dhe dramaturgu dhe regjisori hebre-rus, Abraham Goldfaden, njihet si baba i teatrit profesionist hebre.