Marrë për bazë ciklet e tij të skulpturave bashkë me ato monumentale, Luan Mulliqi, i cili vdiq të dielën e javës së kaluar në moshën 70-vjeçare, mund të përshkruhet edhe si artist i parakohshëm në këto anë. Në krijimtari e në botëkuptimet për shprehjet artistike në skulpturë, Mulliqi ishte njëfarë vetmitari në këto anë. Ecte përballë normave që shumë artistë kufizoheshin prej tyre. Skulptori modern i autoktonisë shqiptare qe në betejë me shijen e masës
Qershor 2019. Eufori e përmasave të mëdha. Normale, jo sa në qershorin e vitit 1999. Por njëzetvjetori i çlirimit të Kosovës qe festë më vete. Prania e dy personaliteteve që kanë luajtur rol esencial në çlirimin e Kosovës nga Serbia, presidentit Bill Clinton dhe ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, veç ia rritnin pulsin masës. Moment i veçantë qe zbulimi i bustit të Albright në sheshin që mban emrin e saj në kryeqytet. Por të shpejta ishin reagimet. Masa nuk e pëlqente. Madje shumë prej tyre, fare. Në njëfarë forme euforia e festës u kthye në aso euforie e reagimeve në rrjete sociale kundër mënyrës se si ishte paraqitur Albright nga skulptori Luan Mulliqi. Shkoi deri në atë masë, sa që qëndrimi i Albrightit në bust qe krahasuar edhe me shtatoren e mareshalit Josip Broz Tito, që deri më 2015 kishte qëndruar në rajonin e Zagorjes në Kroaci.
Krejt kjo, Mulliqin e bënte që të qeshej me zë. Krejt akuzat e krahasimet sipas tij, ishin reagime “të një shijeje të realizmit socialist”. Marrë për bazë ciklet e tij të skulpturave bashkë me ato monumentale, Mulliqi, i cili vdiq të dielën e javës së kaluar në moshën 70-vjeçare, mund të përshkruhet edhe si artist i parakohshëm në këto anë.
Në krijimtari e në botëkuptimet për shprehjet artistike në skulpturë, Mulliqi ishte njëfarë vetmitari në këto anë. Ecte përballë normave që shumë artistë kufizoheshin prej tyre. Pra qe në betejë me shijen e masës.

Skulptura për gjeneratat e ardhshme
Rryma e realizmit socialist kishte ngulur këmbë keq në Shqipërinë moniste. E njëjta do të bartej edhe në Kosovën e pasluftës. Por këtë formë sidomos bota perëndimore e ka braktisur para shumë kohësh. Mulliqi qe i së resë. Pas studimeve në Prishtinë e më pas në Beograd e Zagreb, ai ishte “pjekur” si artist tjetër. Jo pak rol kishte luajtur edhe jeta në SHBA për më shumë se një dekadë. I qasej krejt ndryshe artit në hapësira publike, sidomos skulpturave monumentale. Donte të shpërfaqte karakter, peshë e mendim, të bëma të personit që e paraqiste në vepër.
Ta zëmë, tek Albrighti kishte parasysh se ajo kishte shërbyer ambasadore në Kombet e Bashkuara e më pas qe sekretare e ShBA-së që ka kontribuar për paqe në disa vende të botës midis tyre, Ruanda, Bosnjë-Hercegovina e Kosova.
“Në portret ka një pamje shumë energjike. Jam munduar të jetë sa më moderne e të mos i përngjajë realizmit socialist apo komunist që na është imponuar te popullata. I gjithë koncentrimi ishte që portreti të jetë sa më psikologjik”, shpjegonte Mulliqi. Bile, asokohe institucioni i Presidentit të Kosovës nuk është se e kishte pëlqyer aq bustin për Albright. Por Mulliqi as që e çante kokën. Fotografitë për realizimin e skulpturës i janë dërguar nga Zyra e Albrightit në Washington. Sipas tij, vetë Zyra e saj e ka pranuar shumë mirë veprën.
“Me rendësi është që vetë Albrighti e ka pëlqyer shumë dhe më ka përqafuar”, do të thoshte ai përballë kritikave. Madje presidenti Clinton do t’i thoshte se e “ka paraqitur gjithë energjinë e Albrightit në bust”. Jo rastësisht që të dy këto personalitete janë midis emrave botërorë që te koleksionet e tyre private gjenden edhe veprat e Mulliqit.
“E di që nuk është për shijen e popullatës së gjerë pasi na është imponuar realizmi socialist. Por skulpturat e mia kanë të bëjnë më shumë për gjeneratat e ardhshme”, do të thoshte Mulliqi me një ton me ngjyrat e zërit të dikujt që donë t’i japë fund një diskutimi. “Më vjen keq për popullatën e gjerë që është në ndikimin e një shijeje soc-realiste”, do të thoshte për fund.

Oborri i shtëpisë së tij në periferi të kryeqytetit është si një park skulpturash. Aty gjendet bota e Luan Mulliqit. Por edhe bota pa shumë prej tij. Ekspozoi prej rajonit e deri në ShBA. Bile, një prej muzeve më të rëndësishëm në Evropë, Muzeu Arkeologjik i Francës mban “Hyjneshën” e Mulliqit që u ekspozua bashkë me “Hyjnitë e Ballkanit” më 2015 në Paris. Atje nga Kosova zinin vend simotrat e “Hyjneshës në Fron”, vepra parahistorike. Por stili i Mulliqit kishte bërë që arti i tij të shpërfaqej edhe në atë rast. E moçmja e tradicionalja do ta preokuponin fort. Por edhe më shumë mënyra se si t’i promovojë vlerat e kamotshme të këtyre anëve.
“Balerinat” e “Hasjania” janë midis cikleve ku Mulliqi kishte punuar me vite. I interesonte të shpërfaqte tradicionalen nëpërmjet modernes. Në këtë rrafsh, promovonte trashëgiminë kulturore të Kosovës.
“Unë jam përpjekur shumë të hulumtoj nga e kaluara në mënyrë që nëpërmjet shprehjes moderne ta kthej në të tashmen”, do të thoshte ai në tetor të vitit 2016 në një intervistë për “Koha Ditore”, pasi kishte hapur ekspozitën personale “Hasjania”.
“Mulliqi... po e paraqet fytyrën e Kosovës me të vërtetën e saj”
Tiparet e tij të modelimit të skulpturave, ana konceptuale e tyre do t’u binte në sy personaliteteve me nam në rajon e në botë. Nëpërmjet skulpturave të tij dhe atyre monumentale që gjenden në Kosovë e Shqipëri, Mulliqi do t’i bënte shumë përshtypje shkrimtarit më të njohur shqiptar në botë, Ismail Kadaresë. Më 2010, Kadare asokohe rezident në Paris do të shkruante se në botën e sotme një nga fushat më të rëndësishme ku shtetet dhe popujt përfaqësohen është ajo e imazhit.
“Imazhi nuk është e as nuk ka qenë ndonjëherë çështje luksi. Aq më pak për Shqipërinë e sidomos për Kosovën”, shkruan Kadare. Sipas tij, historikisht prej Mesjetës e më pas populli shqiptar ka pasur një trashëgimi imazhi të zbehtë dhe kjo mungesë në disa periudha historike qe ndier në mënyrë dramatike. Sipas Kadaresë, Mulliqi nëpërmjet bronzit, drurit, mermerit e materialeve të tjera po e paraqet fytyrën e Kosovës bashkë me të vërtetën e saj.
“Veprat monumentale skulpturore të Luan Mulliqit, që nga Skënderbeu te Nënë Tereza e deri te balerinat, bëjnë pjesë në fytyrën dhe të vërtetën e gjithë kombit shqiptar”, shkruan Kadare.

Idetë që bartin shumëçka nga antikiteti
Të vërtetesën e kombit shqiptar Mulliqi e hulumtonte vazhdimisht. Në muhabete midis kolegësh a gazetarësh, rrëfimet gjithnjë silleshin rreth hulumtimeve e koncepteve se si donte të paraqiste traditën shqiptare. Qe mik me shumicën e artistëve shqiptarë me nam në botë. Rrëfimet me Gjelosh Gjokajn i kishte të panumërta. Qe i pranishëm edhe në ceremoninë mortore për të në Milesh të Tuzit. E adhuronte grafistin që lumin Cem e kishte bërë të “derdhej” në shumë muze të botës. Namin e tij do ta përmendte edhe në fjalën e mbajtur në ceremoninë për Gjokajn në fillim të tetorit të 2016-s. Shoqërohej nga Rexhep Ferri. E Ferri një prej piktorëve më me emër të Kosovës, e vlerësonte fort Mulliqin. Sipas Ferrit, kulmi kreativ i Mulliqit është përshkrimi i një njohurie të re.
“Me vlera shtesë, idetë e tij bartin shumëçka nga antikiteti. Ato mbajnë me vete skeletin, të njohurën, të panjohurën, thirrjen, plagën, eksodin...Nga rrugëtimi i këtij afshi dhe erupsioni vullkanik, na shfaqet një anatomi e re që flet për kohën e tanishme që është zbuluar si një hije e zgjatur e së ardhmes”, do të shkruante Ferri në katalogun e ekspozitës “Hasjania” e hapur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në tetor të vitit 2016.
Mulliqit i interesonte fort skeleti shqiptar. Ai i zakoneve, i artit. Sa studionte nëpër rrënjë të vjetra, ta zëmë të veshjes së Hasit, sa modelonte tipare të kësaj vlere etnografike. Por në skulpturat e tij të materialeve të ndryshme, hasjanet nuk vijnë veç si forma por edhe si personalitete. Janë elegante por njëkohësisht pak të bjerra nga koha. Duket sikur u kanë shpëtuar stuhive, por qëndrojnë krenare. Manifestojnë zotnillëk. Shkojnë përtej paraqitjes së një traditë. Duken sikur kanë rrugëtuar ndër shekuj e vijnë në një tjetër frymë. Atë bashkëkohore. Skicat e para për “Hasjanen” i kishte bërë qysh në fillim të viteve ’80. Por për atë kohë figurinat ishin shumë festive.
“Derisa para luftës kam pasur figura më dramatike që kanë simbolizuar okupimin, pas luftës kemi një figurë, e cila ka një lëvizje jashtëzakonisht të gjallë dhe energjike, por në të njëjtën kohë është shtatzënë. Dihet që ne pas luftës fituam lirinë, por jo pavarësinë. Dihet që një grua shtatzënë pret lindjen, e kjo simbolizon edhe lirinë”, do të shpjegonte ai në një intervistë për “Koha Ditore” në tetorin e 2016-s.
Rojtari i shijes artistike në këto anë
Interesimet e Mulliqit për të kaluarën hynin te preokupimet e tij për ta paraqitur atë në mënyrë sa më bashkëkohore. Jo veç rajoni, por edhe bota njeh shumë përmendore për Nënë Terezën. Por asnjë nuk ngjan me stilin, konceptin e paraqitjen që i ka bërë ai. E vendosur në afërsi të Aeroportit të Rinasit në Shqipëri, institucion ky që mban emrin e nobelistes shqiptare për një dekadë, shtatorja ka qenë nikoqire e miliona udhëtarëve. Pas një dekade, më 2015 do ta zhvendosnin në hyrje të Shqipërisë afër pikës kufitare me Maqedoninë në Qafë Thanë. Historiani i artit, Ferid Hudhri, ka krahasuar namin e Mulliqit me atë të një prej skulptorëve më të njohur shqiptar, Odhise Paskalit. Bile, për shtatoren e Nënë Terezës, Hudhri shkruan se ngjitjet e zbritjet me avion bëheshin pranë përmendores që simbolizon “autoktoninë, lartësimin njerëzor dhe hyjnor drejt qiellit”. Të shumtë duhet të kenë qenë vizitorët që shtatorja ua ka zgjuar kureshtjen për të marrë vesh se humanistja ishte shqiptare. Mandej mënyra e paraqitjes është më shumë përmbajtje e veprave të Shën Terezës sesa ndonjë aso skulpture realiste që në Shqipëri janë më bollëk.
Mulliqi nuk e duronte realizmin socialist as si formë e as si përmbajtje propagandistike që shpesh bënte që figura e paraqitur dhe përmendorja të mos kishin asgjë të përbashkët. Kritikonte fort në këtë aspekt.
“Zahir Pajazitin kurrë nuk e ka parë kush me kallashnikov me vete. Ai e ka kryer aksionin e vet dhe askush nuk e ka parë me kallashnikov e revole. Pra është në kundërshtim me personalitetin e Zahir Pajazitit. Ai ka qenë pionier i UÇK-së, e ata që e kanë punuar e kanë kthyer në luftëtar të rëndomte të UÇK-së. Pra e kanë zhveshur nga ajo që ka qenë”, do të thoshte Mulliqi për “Koha Ditore” duke marrë shembull veç një prej shtatoreve të pasluftës në Kosovë. Konturat e tij me të cilat vepronte për të prezantuar para publikut një skulpturë monumentale i kanë bërë përshtypje shumëkujt. Për studiuesen e artit, Suzana Varvarica-Kuka skulptura e Mulliqit e vendos publikun përballë dy impenjimeve të artistit.
“Së pari te figura e njeriut të rëndësishëm shqiptar dhe së dyti te figura e gruas. Te figurat e para ai është i kujdesshëm, i qetë, meditativ, dhe i respektueshëm, me nderim edhe obligativ ndaj individit dhe kombit. Te figura e gruas ai është shpërthyes, marramendës, i dashuruar, emocional dhe shpirtëror”, ka shkruar Varvarica-Kuka në katalogun “Hasjania”. Por në të dyja rastet nënvizonte ekspresivitetin dhe lëvizjen e pandalshme. Asaj do t’i bënte përshtypje se Mulliqi konceptin mbi heroin e njohur dhe mbi gruan e lidhte me aktet e vazhdueshme të qëndrueshmërisë së një populli mbi tokën e vet. Në njëfarë forme, skulpturat monumentale të Mulliqit, si Ismail Qemali në Prishtinë e Fehmi Agani në Prishtinë, Nënë Tereza në Shqipëri, e bustet e Robert Doll e Madeleine Albright po në kryeqytet duken – pos si personazhe me rol të rëndësishme të shtetësisë së të dyja shteteve – edhe si një lloj roje e këtyre anëve. Mulliqi kujdesej që këta “rojtarë” të jenë ekspresionistë edhe në dukjen e tyre të bronztë.
“Shpesh kur rrinim me Ali Podrimjen e Kadarenë talleshim duke thënë se ne jemi rojat e atdheut. Artistët janë më të ndjeshëm sesa të tjerët”, rrëfente me shaka Mulliqi në intervistën për “Koha Ditore” më 2016 derisa fliste për ndjeshmërinë e të qenit artist. Ai vetë ishte një lloj rojtari i shijes artistike dhe i paraqitjes së traditës në këto anë.
“Unë jam përpjekur shumë të hulumtoj nga e kaluara në mënyrë që nëpërmjet shprehjes moderne, ta kthej në të tashmen”, do të thoshte ai. Kjo edhe e bënte tejet atraktive punën e tij dhe do të bëhej shkas që shumë personalitete të botës të mbajnë në koleksione skulpturat e Mulliqit. Ato kanë arritur deri te Princesha Diana, mbreti Hirohito, mbretëresha Elizabeth II, presidenti George W. Bush e Papa Benedikti.
“Nëse nuk kam diçka nga hapësira ku kam lindur dhe jetoj, atëherë ai për mua nuk është art”, qe një lloj maksime e tij. E hapësirës ku është lindur e ka jetuar, ia ka shpërfaqur rrënjët nëpërmjet artit modern.
“Nëna Terezë e Mulliqit ka një metaforë të rrallë që duke mbirë nga toka dëshmon për autoktoninë e shenjtores sonë”, do të shkruante Ismail Kadare. Luan Mulliqi është pikërisht i tillë: skulptori modern i autoktonisë.