Pasqyrimi i betejave të rëndësishme historike përgjatë gjithë historisë njerëzore nëpër tablo arti nuk është diçka e pazakontë. Përkundrazi, pothuajse secila nga këto ngjarje, përmes penelit të piktorëve, shpeshherë është bërë mjeti kryesor për të shenjëzuar ngjarje të tilla në mendjen e njerëzve më thellë se me cilindo mjet tjetër si poezi, këngë a prozë.
Për rënien e Konstandinopojës (1453) - edhe pse janë shkruar me qindra libra e po aq poezi e këngë - asgjë më shumë se tabloja “Mehmedi II duke pushtuar Konstandinopojën” (1903) e Fausto Zonaros apo edhe pikturat e artistit popullor Theiphililos Hadzimihhail, nuk krijuan një imazh kaq ngulitës në mendjen e njerëzve për këtë betejë të rëndësishme të historisë njerëzore.
Të njëjtin ndikim patën edhe tablotë e piktorëve William Sadler, Clément-Auguste Andrieux dhe Robert Alexander Hillingford lidhur me betejën e famshme në mes forcave franceze dhe atyre anglo-prusiane të vitit 1815 e njohur si Beteja e Vaterlosë.
Emrat e protagonistëve të revolucionit francez, po ashtu edhe datat e rëndësishme që kanë të bëjnë me të mund të na ngatërrohen sado që mund të kemi lexuar për të, por tabloja “Liria udhëheq popullin” (“La liberté guidant le peuple”e vitit 1830 e Eugène Delacroixit na shfaqet në çast para syve sa herë që përmendet kjo ngjarje.
Tabloja “Vajza kosovare” (“Kosovska devojka”) e vitit 1919 e realizuar nga autori serb Urosh Prediq (1856-1953) kishte të njëjtin qëllim lidhur me Betejën e Kosovës të vitit 1389 në mes forcave të Aleancës së ushtrive ballkanike të udhëhequr nga princi serb Lazar në njërën anë dhe forcave osmane të udhëhequra nga Sulltan Murati I, në anën tjetër. Kjo tablo që paraqet një vajzë kosovare, e cila ndihmon një ushtar të plagosur në fushëbetejë, me vite ka shoqëruar tekste të shumta historike lidhur me këtë ngjarje. Bile kjo tablo qoftë si dublim, qoftë në formë të goblenit (tapicerisë) jo rrallë ka qenë pjesë e dekorimeve të shtëpive të shqiptarëve të Kosovës deri në vitin 1989. Pikërisht më 15 qershor 1989 me rastin e organizimit të festimit të 600- vjetorit të kësaj beteje, udhëheqësi serb, Slobodan Milosheviq, e keqpërdori këtë betejë për qëllime ditore të ndërtimit të një politike panserbe, e cila më vonë rezultoi me luftëra të përgjakshme, me pasojë qindra mijëra viktima në mbarë territorin e ish - Jugosllavisë.
Pikërisht ky lloj keqpërdorimi, i cili fatkeqësisht vazhdon ende edhe sot më bëri që të reflektoj mbi tablonë në fjalë. Kjo tablo klasifikohet si realizëm akademik, ashtu si dhe i gjithë opusi i piktorit Prediq, i cili në fakt paraqet njërin nga autorët më të rëndësishëm të realizmit akademik serb.
Karakteristikë e pikturave të realizmit akademik është gjuha e shprehjes artistike përmes së cilës imazhi i paraqitur u qëndron besnik figurave reale që përbëjnë kompozicionin. Por, nuk mjafton vetëm kaq. Çdo tablo e klasifikuar si e tillë përpos paraqitjes së saktë të figurave në kuptimin fizik ajo medoemos mëton që edhe ngjarjen që trajton ta sjellë sa më saktë. Ashtu si Fausto Zonaro - para se të realizonte tablonë “Mehmedi II duke pushtuar Konstandinopojën”, edhe William Sadler - para tablosë “Beteja e Vaterlosë” - me vite kishin studiuar faktet historike mbi ngjarjet që trajtonin, pjesëmarrësit në fushëbetejë, karakteristikat e terrenit ku ishte zhvilluar beteja, uniformat e ushtrive deri në detaje, e mbi të gjitha flamujt dhe stemat. Pozicioni i ushtarit të njërës palë apo tjetrës, pozicioni i shpatës në mbrojtje apo sulm, flamujt dhe stemat duke valëvitur apo rënë përtokë, kompozoheshin duke i qëndruar sa më besnik rrëfimit historik.
Një element kaq i rëndësishëm i realizmit akademik nuk mund t’i ikte pa vëmendje as mjeshtrit Urosh Prediq - i shkolluar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë - gjatë realizimit të tablosë “Vajza kosovare”. E para, është mjeshtëria e tij për t’i ikur paraqitjes së imazheve direkte gjatë konfrontimit të forcave pjesëmarrëse në një betejë - e cila në fakt përfundoi me thyerjen e forcave të aleatëve ballkanikë nga ana e osmanlinjve dhe rënien e tyre nën sundimin e Portës së Lartë - por paraqitja e një fragmenti pozitiv të kësaj beteje, ai i ushtarit të plagosur që po ndihmohej nga një vajzë kosovare, e që në fakt simbolizon solidaritetin ballkanik kundrejt një rreziku të jashtëm, siç ishte ai otoman. E dyta, dhe ndoshta më e rëndësishmja është se në kuptimin e përdorimit të simboleve dhe stemave në drejtim të komunikimit faktik të ngjarjes historike ai përdor vetëm një simbol të vendosur mbi mbrojtësen e ushtarit të plagosur, dhe ai simbol është shqiponja dykrenore në sfond të kuq.
Ky tekst u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” më 16 korrik 2016