Shtojca për Kulturë

Shqipëria dhe shqiptarët në këndvështrimin e autorit rus më 1878

I mahnitur me guximin e shqiptarëve që treguan gjatë Betejës së Plevenit (20 korrik – 10 dhjetor 1877), të cilën e kishte përcjellë për së afërmi shkrimtari dhe gazetari rus, Vasily Ivanoviç Namiroviç - Dançenko (В. И.Н. – Данченко 1844 - 1936), vetëm pak muaj më vonë do ta shkruante një artikull të gjatë të titulluar “Shqipëria dhe shqiptarët”, që në vijim po e sjellim për lexuesit. Përkundër që artikulli dominohet nga një frymë antishqiptare, megjithatë Dançenko në fund e ka tërhequr vërejtjen se “Shqipëria, si shtet, është e domosdoshme”. “Ajo do jetë, si të them, një pengesë e natyrshme për grekët dhe sllavët për antipatitë e tyre të mëhershme (antiruse)“, shkruan ai. Më tej në këtë shkrim të këtij autori – të përgatitur nga Skënder Latifi – është portretizuar edhe gjendja e Shqipërisë dhe shqiptarëve në raport me shtetet fqinje: Greqinë, Serbinë, si dhe Malin e Zi. Duke e paraparë instrumentalizimin e shqiptarëve në favor të Rusisë cariste, Dançenko i var shpresat ruse te gegët shqiptarë, sepse ai është thellë i bindur se këta janë me origjinë sllave!

Adrianopol, 5 shkurt 1878

Kur me vetë logjikën e ngjarjeve u përgatit ndërhyrja e Serbisë në luftën e vërtetë, lindi çështja e atyre “fiseve“ të cilët në një mënyrë apo në një tjetër janë të lidhura me fatet e sllavizmit, që ishte në ringjallje e sipër. Në këtë raport të ngjarjeve u ngjallën edhe shpresat për përfshirje në kryengritje (antiosmane) edhe të Shqipërisë, që edhe vetvetiu nënkuptohej se do të ngjante.

Me luftën e tanishme, “Çështja Lindore” nuk merr fund. Unë e marr guximin të them se në fillim paqja as që mund t’i qetësojë popujt, në përpjekjet e tyre të papërgjegjshme e në qëllimet e papërcaktuara mirë, ndërkaq në anën tjetër ata instinktivisht kërkojnë rrugëdalje nga situata në të cilën ndodhen tani. Unë mendoj se lufta e tanishme (e viteve 1877 – 1878) është fillimi i mbarimit, por jo vetë fundi i saj. Në një mënyrë ose një tjetër ne kemi zgjidhur çështjen bullgare, por në vend të saj, tani na dalin një seri çështjesh të tjera të reja dhe që kanë lidhje me shqiptarët, prandaj duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe “Çështjes shqiptare“, prandaj nuk duhet lejuar që ajo të zgjidhet e fundit në radhë. Vetëkuptohet që për shqiptarët, Rusia nuk ka pse të derdhë gjak, bile edhe pa “Çështjes shqiptare“ është derdhur shumë gjak rus, tepër shumë, pra duke u shfrytëzuar pushteti, nami dhe emri rus. Tani përfundimisht mjafton të dihet se çfarë ia vlen të mbrohet, kë mund ta ndikosh me moralin tënd e të tjera.

Në kohën e lirë të armëpushimit, unë jam duke i shkruar disa letra të cilat ua kushtoj popujve të ndryshëm të Gadishullit të Ballkanit dhe në fakt ne i njohim pak këta popuj dhe njëri prej tyre që e zë vendin e parë dhe që ne nuk e njohim mjaftueshëm është populli shqiptar. Rëndësia e këtij “fisi“ në Ballkan është shumë e madhe. Pushtetarët turq shkëlqyeshëm e kanë kuptuar situatën, se nëse lufta në mes “fiseve të tjera“ (mendohet për serbët dhe bullgarët, S.L.) zvarritet, atëherë për lirinë e tyre do të ngrihen në këmbë edhe shqiptarët.

Në ecurinë e përgjithshme të veprimeve luftarake sapo të nisë kryengritja shqiptare, për Rusinë ajo do jetë resurs i rëndësishëm dhe ne tashmë duhet ta marrim përsipër organizimin përfundimtar të fatit të këtij populli!

Të nxituarit, me të cilin Turqia synon për ta përfunduar procesin e paqes, shpjegohet jo vetëm me mungesën e ushtrisë, por dhe me lodhjen e rraskapitjen e saj përfundimtare.

Ambasadorët e Portës së Lartë, me naivitet, mendojnë që si pretekst jo i vogël i gjendjes së sipërpërmendur shërben frika se mos Turqia përfundimisht do ta humbë Shqipërinë, Thesalinë, Maqedoninë e të tjera. Për marrëdhëniet tona me Turqinë ka shumë rëndësi aktualizimi i “Çështjes shqiptare“. Populli shqiptar mund të krijojë vështirësi të pakapërcyeshme për ne, por në anën tjetër kjo çështje do të jetë edhe ndihmë për ne! Kjo do varet nga vendosja e marrëdhënieve tona me popullin shqiptar.

Ndërmjet Greqisë dhe Malit të Zi dhe pothuajse deri në kufijtë me Serbinë, shtrihet një vend i madh malor, më pastaj ky vend shtrihet nga Deti Adriatik dhe shkon në thellësi të Thesalisë, Maqedonisë dhe “Serbisë së Vjetër“. Luginat e bekuara prej Zotit dhe vargmalet madhështore plot me thesare të pashfrytëzuara, pyjet e egra e që në to nuk pipëtin asgjë, liqenet me ujë të kulluar, me lumenjtë që gjarpërojnë maleve dhe thuajse ka shumëçka që kurrë nuk janë eksploruar fare dhe kjo ka ndikuar që pavarësisht nga pozicioni i saj gjeografik, Shqipëria të paraqitet në Evropë si një vend i panjohur (terra incognita). Pjesa më e madhe e vendit nuk është vizituar nga evropianët edhe pse Shqipëria e ka një popullsi të dendur dymilionëshe, enigmatike dhe të larmishme deri në atë pikë sa që me ta bashkëjetojnë edhe sllavët, vllehët, grekët, ciganët, hebrenjtë dhe turqit. Megjithëse dy popujt e fundit janë në një pakicë të papërfillshme.

Vetë shqiptarët kryesisht ndahen ne veriorë (gegë) dhe jugorë (toskë); dhe gegët dhe toskët nga ana e tyre ndahen në mijëra klane – fise të tjera. Edhe diçka, toskët janë transformuar mjaft nën ndikimin e kolonive dhe komunitetit grek në Shqipëri, ndërsa veriorët – gegët janë me një prejardhje të pastër sllave! Ata na kujtojnë me padyshim mënyrën e tyre të jetesës identike me fiset skoceze. Ashtu siç popullsia këtu është e përzier, ashtu të përziera janë dhe besimet fetare, prandaj shqiptarët myslimanë, ortodoksë dhe katolikë bashkëjetojnë pranë njeri-tjetrit.

Ja se çfarë thotë në shkrimin e tij njëri prej diplomatëve tanë të talentuar, shkrim ky që fatkeqësisht nuk mund të publikohet: “Në mjediset e fisit shqiptar dëgjohet edhe predikimi i hoxhës mysliman, edhe i priftit grek, edhe i popit ortodoks dhe i fratit italian. Por, shqiptarët, qofshin këta myslimanë, katolikë apo ortodoksë, mbahen ftohtë dhe në mënyrë shumë formale ndaj predikuesve të fesë dhe besimi për ta përbën thjesht vetëm një simbol të jashtëm, që nuk ka depërtuar në thellësi në jetën e përditshme, spontane e misterioze të tyre. Por, këtë raport të shqiptarëve ndaj fesë mund ta kuptojë vetëm ai i cili e ka pasur rastin të jetojë në mes tyre. Deri tani në rrethinat e Elbasanit ekziston një krahinë e tërë me njëzet e pesë fshatra, e njohur me emrin Shpat, e populluar me të krishterë të fshehtë. Zyrtarisht ata janë myslimanë dhe mbajnë emrat Hasan, Hysen, Omar, Murat, kurse mes vete ata e thërrasin njëri-tjetrin me emrat e vërtetë që ata i bartin dhe ata janë Dhimitër, Ivan, Naum, Nikollë. Kështu që asnjë dasmë e myslimanëve nuk kryhet pa bekimin e mitropolitit elbasanas. Të tillë të krishterë të fshehur të këtij lloji përbëjnë fiset e Shoshit, Pultit, Shijakut e të tjerë.

Përgjatë lumit malor ka pesëdhjetë fshatra me shqiptarë ortodoksë, që nga Sharri në jug e deri në Tetovë, afër malit të Korabit dhe Kërçelit. Në Sharr ka gjashtëdhjetë fshatra me myslimanë me prejardhje ortodokse, të cilët e pranuan islamin vetëm njëqind e tridhjetë vjet më parë. Në Shqipëri nuk ka shumicë myslimane, prandaj është i kotë pretendimi se cili vend është mysliman! Gruaja shqiptare që predikon islamin nuk e mbulon fytyrën e saj dhe në qoftë se asaj i sëmuret fëmija, ajo e dërgon te prifti ortodoks dhe i lutet atij që t’ia këndojë një lutje fëmijës. Këtu myslimanët i nderojnë festat e të krishterëve, i respektojnë disa priftërinj ortodoksë dhe të gjithë së bashku bëjnë nderimet më të mëdha faltoreve dhe manastireve vendore, përkundër që ka kohë që ato ndodhen nën gërmadha të mbuluara nga të gjitha anët me gëmusha, por edhe atëherë ku ato gjenden midis maleve të pakalueshme.

Image

Vasily Ivanoviç Namiroviç - Dançenko (В. И.Н. – Данченко 1844 - 1936)

Trashëgimia kulturore e shqiptarëve dhe ligjet e panjohura të Skënderbeut

Diplomati, që po e kujtonte zhvillimin shoqëror të këtij vendi, flet se si në Shqipëri ai e ka vërejtur trashëgiminë e kulturës se lashtë, që vërehet fare qartë ku çdo pjesë e këtij vendi misterioz ka krijuar tradita me karakteristikat e tyre të veçanta. Trashëgimia e kulturës së lashtë vërehet në institucionet që ruhen me fanatizëm, e me shumë rreptësi me një formë elegante të marrëdhënieve të ndërsjella dhe në përgjithësi me karakteristikat e atyre manifestimeve të pjesshme dhe shoqërore, ku në mes tyre në mënyrë të papritur ti ndeshesh në një mënyrë ose një tjetër me ashpërsinë e madhe të vetë sjelljeve të tyre të rrepta.

Afër qyteteve që lulëzojnë, këtu sheh shkretëtira të mëdha e të egra dhe vetëm rrallëherë sheh aty-këtu ndonjë kullë të fortifikuar që akoma na kujton atë shqiptarin karakteristik me ashpërsinë e tij të njohur! E çfarë njeriu është ai? Në këtë kullë të fortifikuar ku atë njeri e ka mbyllur hakmarrja familjare dhe ku kujdestaria për njëri-tjetrin është sikur te kafshët e egra! Të gjitha stadet e zhvillimit shoqëror, të gjitha ngjarjet botërore kanë lënë gjurmë në këtë komb. Kështu, në të hasen gjurmë për kujtimet e botës pagane të Romës me luftën shekullore kundër sllavëve, shto këtu dhe jetën luksoze romantike të republikave mesjetare pranë Detit Adriatik. Kujtimet e procesioneve të të krishterëve ndërthuren me legjendat naive, të gjalla të zgjimit të parë kulturo-sllav në aktin shtatëditor të nxënësve të priftërinjve Qirili e Metodi, me të metat e përjetuara të botës greko-bizantine... Më pastaj tregimet e goditjeve të para fatale të pushtimit turk paraqiten me nota kërcënuese. Këtu, në këtë vend të panjohur u kryqëzuan lakmitarë të ndikimeve rivale, këtu ata reciprokisht e luftojnë njëri-tjetrin; nga njëra anë qëndron Greqia me “Idenë e Madhe“ të saj, në anën tjetër sllavizmi që po rilind me forcën e tij fatale e spontane që duke u kapur pas fijes së kashtës e shkatërron fuqinë e Habsburgëve, si dhe ambicia e ethshme dhe e dhimbshme e Italisë dhe së fundi fuqia e Stambollit që zbehet e venitet çdo ditë duke u pasivizuar në mënyrë graduale. Dhe në mes të gjithë kësaj rrëmuje, i vendosur përballë të gjithëve, shqiptari mbetet shqiptar, duke e ruajtur në majat më të larta të maleve të paqasshme, një neglizhencë totale për gjithçka, si dhe duke i qëndruar besnik gjithçkaje që tregohet si traditë lidhur me disa ligje të panjohura të Skënderbeut. Shqiptari e di që jeton për luftën dhe ai kurrë nuk ka qenë patetik e të shprehë keqardhjen e tij pse nuk e arrin parajsën! Pasioni për luftën këtu është i tillë, sa që edhe në kohë të paqes të gjithë shqiptarët mbajnë armë; tashmë çdo çun i ri është i armatosur që nga mosha shtatë vjeçe. Bile gra shqiptare janë të armatosura!

Kuptohet që për Turqinë ky vend i luftës është gjetja e vendit të duhur. Osmanët këtu e kanë përqendruar një pjesë domethënëse të forcave luftarake dhe mund të thuash që ky vend tani është djepi i ushtrive të sotme osmane. Prandaj turqit sillen me shqiptarët me një durim shumë të madh. Në qoftë se do t’i besonim statistikës zyrtare, Shqipëria përfaqëson kryesisht një vend mysliman. Turqit e dinë mirë që numri i myslimanëve është fiktiv, edhe pse zyrtarisht vlerësojnë se raporti është ky: një i krishterë vjen në tridhjetë myslimanë. Porta e Lartë e kupton që duke lejuar vetëm një predikim zyrtar të islamit, duke mos lejuar krijimin e besimeve të vërteta, ajo mund të marrë nga Shqipëria ato resurse, që nuk mund t´i përfitojë në rrugë të tjera. ”Dallgët e lashta“ (tradita zakonore dhe kultura kombëtare) të Shqipërisë, prandaj janë të tolerueshme për Turqinë, por duhet theksuar se nga ana tjetër shqiptarët i dinë përfitimet e tyre karshi pozicionit që ata e kanë me Turqinë. Pavarësisht nga përçarja në dukje, ata në mënyrë të habitshme janë unikë sa që me një shkathtësi të paparë ata njëkohësisht sillen si me turqit, ashtu dhe me popujt e krishterë fqinj. Pavarësisht nga ashpërsia dhe rreptësia e zakoneve shqiptare, grindjet në mes feve, ndikimet e huaja, megjithatë deri më tani nuk ka ndodhur që ndonjë ngjarje e madhe historike ta gjejë në befasi këtë popull! Bile kur janë në pyetje interesat e përgjithshme kombëtare edhe grindjet e pjesshme, hakmarrjet familjare midis shqiptarëve këtu heshtin. Familjet, të cilat me shekuj kanë qenë të ndara dhe të armiqësuara për shkak të mosmarrëveshjeve, në rast rreziku pa u marrë vesh mes vete ngrihen në këmbë, duke u mbrojtur mes vete sikur të ishte vënë në rrezik jeta e në njeriu të vetëm! Në të tilla raste fiset me një unitet vërtet të mrekullueshëm, me një takt politik të papritur, veprojnë në atë mënyrë dhe kjo e jep përshtypjen se sikur çdo gjë ka qenë e planifikuar më parë në dobi të interesit të përgjithshëm. Kështu ata kanë vepruar dhe më parë me republikat e Adriatikut, më vonë me veprime të tilla ata i përmbaheshin marrëdhënieve edhe me pashallarët gjysmë të pavarur, që ndërkohë udhëhiqnin Shqipërinë…

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Përgatiti: Skënder Latifi