Shtojca për Kulturë

“Shota” jehon në kujtim të klarinetistit e mikut, Mentor Krasniqi

Koncerti “Në vend të lotit” i “Shotës” ka qenë homazh për Mentor Krasniqin. Vepra dhe kontributi i tij janë nderuar me këngët e vallet që ai i pëlqente e janë interpretuar edhe ato të dedikuara veçmas për klarinetistin e ndjerë

Në skenën e muzikës shqipe ishte klarinetisti shembull, instrumentist i zoti. Në veprimtarinë e tij, patriot i pashoq e në përditshmëri, njeri fisnik e mik për të gjithë. Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” – ku pati një rol të çmueshëm për disa vjet – Mentor Krasniqin e ka kujtuar ashtu siç kujtohen artistët si ai: me koncert e në skenë. “Në vend të lotit” me këngë e valle ka jehuar kujtimi për të

Vijat melodike të muzikës tradicionale kanë magjepsur, por koncerti i ansamblit kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, ka pasur edhe një tjetër qëllim: Ka kujtuar ish-anëtarin, klarinetistin Mentor Krasniqi i cili vdiq nëntorin e kaluar. Pikërisht koncerti “Në vend të lotit” ka qenë homazh për të. Vepra dhe kontributi i tij janë nderuar me këngët e vallet që ai i pëlqente e janë interpretuar edhe ato të dedikuara veçmas për klarinetistin e ndjerë.

Jo veç në paraqitjen para publikut, por edhe prapaskenat e koncertit kanë qenë të veçanta.

Që në hyrje të Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar, ku është mbajtur koncerti të shtunën mbrëma, mysafirët janë pritur ngrohtë nga anëtarët e “Shotës”. Të veshur me veshjet kombëtare kanë qenë edhe në rolin e mikpritësve të publikut dhe mikpritja i ka ngjarë asaj tradicionale. Renditja e tyre ka qenë edhe udhërrëfyese deri te hyrja e Amfiteatrit.

Salla ka qenë plot, e jo pak veta koncertin e kanë ndjekur në këmbë, deri në fund. Nisi afro gjysmë ore pas kohës së paraparë në pritje të kryeministrit Albin Kurti, i cili qe i pranishëm bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. E pranishme qe edhe familja e instrumentistit të cilit i është dedikuar kjo mbrëmje, klarinetisti e njeriu fisnik, Mentor Krasniqi.

Skena në sallën tashmë shumëfunksionale nuk është dashur të dekorohet shumë. Ka qenë posteri i Ansamblit, e vetmja rekuizitë. Hijeshinë e vërtetë e ka marrë me anëtarët e “Shotës” që janë paraqitur para publikut për ta prezantuar repertorin e pasur. Paraprakisht, jo me një minutë heshtje, por me një minutë duartrokitje janë nderuar vepra dhe kontributi i klarinetistit Krasniqi.

Koncerti “Në vend të lotit” ka nisur me “Homazh” të muzikantit të ndjerë Shaqir Hoti, orkestruar prej Ylber Asllanajt. Pjesa me fyell në interpretim të Gent Hoxhës ka qenë tejet emocionale, derisa është shoqëruar nga orkestra e Ansamblit. Në këtë rast, si në krejt pjesët e tjera, tri violina, dy klarineta, flauti, kitara e kontrabasi marrin kontekst tradicional.

“Për ty vuaj, për ty këndoj”, e interpretuar prej Mirvete Hazirit, ka sjellë vargjet e këngës së bukur shqipe, sikurse edhe me këngën “Lul’zoi fusha, lul’zoi mali” në interpretim të Samir Krasniqit. Derisa e para ka qenë më e butë në interpretim, e dyta ka nisur me tingujt buçitës të sharkisë, e me vokal derisa i është bashkuar në interpretim edhe ansambli i instrumenteve.

Image
Para se të nisë interpretimi, jo me një minutë heshtje, por me një minutë duartrokitje janë nderuar vepra dhe kontributi i klarinetistit Mentor Krasniqi

Mjeshtri i kabasë, Telando Feta, bashkë me të birin Eraldon kanë udhëtuar nga jugu i Shqipërisë për ta përkujtuar me muzikë mikun e tyre të ndjerë. Kanë interpretuar kolonën zanore të filmit “Gjeneral Gramafoni” të kompozuar prej Aleksandër Peçit. Ngjyrat e muzikës tradicionale të jugut janë shkrirë në gërnetë e violinë, tingujt e së cilës nuk kërkojnë dominim në kaba. Interpretimin e tyre e ka kompletuar orkestra e ansamblit, ku kanë dominuar tingujt e shpeshtë të kitarës dhe ata tejet të lehtë të defit.

Në “Fantazi për çifteli dhe orkestër” me lojë të Gent Hoxhës, ka qenë interpretimi dinamik me tinguj të shpejtë në instrumentin unik. Kulmon që në fillim bashkë me ansamblin që e shoqëron herë pas herë derisa i jepet hapësira çiftelisë për të shpërfaqur tingullin e pastër. Hoxha ka interpretuar si solist edhe “Valle me bilbil e orkestër” të Aleksandër Peçit ndjekur nga ansambli, por që tingujt e fyellit janë kryefjalë e kësaj pjese.

Për instrumentistin Hoxha, koncerti ka qenë me rëndësi të veçantë për ta dhe se e kanë pasur të vështirë interpretimin për nga aspekti emocional, duke marrë parasysh se ka qenë dedikim për mikun e tyre, Mentor Krasniqi. Ka thënë se emocionet kanë qenë të pranishme tek e gjithë trupa artistike në përgjithësi.

“Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm, sidomos në avancimin e instrumentit të fyellit. Nga ai kam mësuar shumë. Ka pasur kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin në luajtje me tonalitete të ndryshme në këtë instrument, gjë që nuk ka qenë aq e pranishme”, është shprehur Hoxha.

“Valle me motive nga Librazhdi” me koreografi të Gjergj Prevazit ka sjellë harmoninë në sallë me ritmin e këngës e me lojën e valltarëve. Me elegancë shpërfaqet butësia e burrave dhe bukuria e çiltërsia e gruas. Lojë e veçantë tradicionale ka qenë edhe loja në tupan. Ndonëse është vazhdimisht në repertorin e ansamblit “Shota”, kishte pasur kohë që nuk ishte interpretuar. Sipas solistit kryesor Besnik Grajçevci, mesazhi brenda saj ka qenë biseda a kontakti me të vdekurit dhe me tokën. Ka thënë se janë munduar “të lidhen me botën e së ardhmes në mënyrë artistike”.

“Edhe pse jo përvjetor jubilar, jemi munduar të bëjmë një koncert jo vetëm si traditë që është në përkujtimet dhe përvjetorët, por thjesht koncert pranveror që ‘Shota’ e ka në repertorin e saj zakonisht, t’i dedikohet kolegut tonë Mentor Krasniqi, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Ka qenë ndër shtyllat e veçanta të ansamblit ‘Shota’ në përbërje të orkestrës”, është shprehur Grajçevci derisa është shprehur se secila pjesë e programit është ndërlidhur me punën e ish-kolegut të tyre.

“Ka qenë një punë me përkushtim të jashtëzakonshëm, ku secila pikë që u prezantua në program është ndërlidhur në një formë a tjetër me veprimtarinë, karrierën e Mentorit. Duhet thënë se ka pasur edhe vepra të veçanta që i janë dedikuar. Një emocion i jashtëzakonshëm. Vetëm kështu tregojmë vlera njerëzore për të cilat duhet të kujdesemi shumë”, ka thënë Grajçevci.

Ndryshe prej pikës koreografike, “Valle orkestrale” me muzikë të Ylber Asllanajt dhe solistët Dora Ramadani në violinë, e Visar Mehmeti në flaut, ka nisur me interpretim melankolik në fillim. E më pas në vijën dinamike i janë bashkuar krejt instrumentet. Fyelli e kontrabasi e kanë bërë të ndjeshme, pasuar prej harkorëve që tingujt i nxjerrin me gishtërinj derisa ngjyra harmonike janë përcjellë me klarinetat e fizarmonikën. Në “Valle me klarinetë dhe orkestër” pjesa e instrumentit kryesor ka qenë e butë, e qetë dhe dominuese, ndërsa pjesa ritmike e ansamblit ndjek tingujt paraprakë dhe krejt shkrihen në një.

Në përmbyllje të koncertit është interpretuar edhe instrumentali i këngës “Ashtu si t’mbajmë n’mend” me Arben Asllanajn në klarinetë dhe kënga “Vijnë vaporat, bregut t’detit” e kënduar nga Riza Bytyçi. Këngëtari është shprehur se i ka kujtimet e freskëta për mikun e tij Mentor Krasniqi, dhe se do ta kujtojnë gjatë.

“Ka qenë instrumentist me përvojë të gjatë, me të kam bashkëpunuar shumë edhe në shoqërinë kulturo-artistike ‘Ramiz Sadiku’ pastaj kemi punuar me ansamblin ‘Shota’ në koncerte e festivale të ndryshme. Me gjithë dëshirë kam marrë pjesë dhe jam i lumtur që isha pjesëmarrës i këtij koncerti kaq madhështor”, ka thënë Bytyçi.

Klarinetisti Mentor Krasniqi ka qenë anëtar i shoqërisë kulturo-artistike “Ramiz Sadiku” të Universitetit të Prishtinës qysh në vitet e ‘80. Përkrah kontributit në muzikë, vazhdonte traditën familjare dhe ushtronte e aktivitetin patriotik për çlirimin e atdheut, gjë për të cilën ai u mbajt në burgjet e okupatorit për më shumë se tre vjet. Vdiq vitin e kaluar më 23 nëntor në moshën 62-vjeçare.

Në kuadër të koncertit janë sjellë pjesë orkestrale të preferuara të Krasniqit me të cilat është bërë të ndihet prania e tij, duke kujtuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm në muzikë.

Drejtori artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Ylber Asllanaj, e ka kujtuar si një prej njerëzve më të dashur që ka njohur e si mik të shkëlqyer por jo vetëm.

“Instrumentist i shkëlqyer, mik i shkëlqyer. Ikja e tij para kohe, ka vdekur në moshën 62-vjeçare, na ka prekur shumë. Ne si ansambël natyrisht një artisti si Mentori ia kemi ndier borxh këtë homazh”, ka thënë Asllanaj.

Koncerti “Në vend të lotit” ka qenë përmbledhje me melodi të bukura dhe të ndjeshme, duke sjellë emocione të forta te publiku. Ashtu siç luante dikur edhe vetë Mentor Krasniqi.