Shtojca për Kulturë

Qëndrimi i Francës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

gjnd

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do t’i drejtohej me tekstin ku shkruan se është e bindur se “interesi më i lartë i stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor në tërësi, rreth të cilit bashkësia ndërkombëtare ka arritur të bashkohet”, mund të shpërfillej nëse do të shtrohej “artificialisht” pyetja për pajtueshmërinë me të drejtën ndërkombëtare të Deklaratës për pavarësi të Kosovës. Kjo bashkësi do të mund të komprometohej, sipas tekstit, me një ndërhyrje eventuale të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Si ambasador i Kosovës në Francë, nga mbarimi i vitit 2009 dhe gjysma e dytë të vitit 2010, njërin nga obligimet prioritare e kam pasur komunikimin e rregullt me diplomatët francezë në nivele të ndryshme, rreth mbështetjes së qëndrimit pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin dhe legalitetin e pavarësisë së Kosovës. Të përkujtoj këtu se më 17 shkurt 2008, pra ditën kur u shpall pavarësia, presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, në letrën dërguar presidentit të Kosovës, kishte theksuar se Franca e njeh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.

Tekstin e delegacionit të Francës, drejtuar GJND-së më 9 prill e kishte nënshkruar zonja Edvige Belliard, juriste dhe profesore e drejtësisë në Universitetin Sorbona II, Panthéon-Assas dhe drejtoreshë për çështje juridike e MPJ-së franceze. Ajo e udhëhoqi delegacionin e Francës në GJND.

Që në fillim të tekstit, të cilin e kishte paraqitur MPJ e Francës në GJND (70 faqe), ceket se ajo është e bindur se “interesi më i lartë i stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor në tërësi, rreth të cilit bashkësia ndërkombëtare ka arritur të bashkohet” mund të shpërfillej nëse do të shtrohej “artificialisht” pyetja për pajtueshmërinë me të drejtën ndërkombëtare të Deklaratës për pavarësi të Kosovës. Kjo bashkësi do të mund të komprometohej, sipas tekstit, me një ndërhyrje eventuale të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Deklarata e Pavarësisë – përmbyllje e procesit politik

Autorët në njërën anë nënvizojnë se bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht fuqitë perëndimore të angazhuara në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi i kishin shterur të gjitha mundësitë për ta realizuar një zgjidhje të negociuar, u orientuan kah mbështetja e të vetmit opsion të mundshëm: pavarësia. Ata theksojnë se Deklarata e pavarësisë “në mënyrë të parevokueshme” e kishte përmbyllur procesin politik për definimin e statusit të Kosovës. Ata saktësojnë njëherazi se ky opsion jo vetëm që nuk e rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në rajon, por madje e mbështet atë.

Së këndejmi, autorët në pikën 1.14 shfaqin bindjen se “pajtueshmëria apo jo e Deklaratës për pavarësinë e Kosovës me të drejtën ndërkombëtare”, siç e kishin formuluar përfaqësuesit e Serbisë, nuk mund të ketë asnjë rrjedhojë te ekzistenca e këtij entiteti si shtet “gjë që është një pyetje e thjeshtë faktike”. Ky konstatim i autorëve është shumë i rëndësishëm, ngase thekson qëndrueshmërinë, përtej rastësive politike në rajon apo më gjerë për vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Autorët e delegacionit francez më tej citojnë fragmentin nga Deklarata ku ceket se deputetët si përfaqësues të popullit të Kosovës, demokratikisht të zgjedhur, “deklarojmë se Kosova është një republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr me parime të jodiskriminimit dhe të mbrojtjes së barabartë para ligjit.

“Ne do t’i mbrojmë”, shtojnë deputetët, “dhe do t’i promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe do t’i krijojmë kushtet e domosdoshme për një pjesëmarrje efektive në procese politike në mënyrë të plotë për pjesëmarrjen e tyre efektive në procese politike dhe në marrjen e vendimeve”.

Autorët francezë në tekstin e tyre theksojnë se GJND-ja duhet ta marrë parasysh me kujdes faktin se asnjë rregull nuk lejon që të matet konformiteti i Deklaratës me të drejtën ndërkombëtare. Ata së këndejmi ua mbyllin shtegun kërkesave të Serbisë që të delegjitimohet jo vetëm Deklarata e pavarësisë, por vetë ekzistenca e Kosovës si shtet. Këtë e bëjnë edhe duke vënë në pah se e drejta ndërkombëtare nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë edhe duke shtuar se nuk kishte zgjidhje alternative.

Kësodore, ekspertët juridikë francezë me këtë vrojtim e fuqizojnë pavarësinë e Kosovës edhe me abstenimin e organizatave të mëdha ndërkombëtare që ta dënojnë apo t’i bëjnë vërejtje Deklaratës për pavarësi të Kosovës. Ata saktësojnë se në veçanti abstenimi i organeve të OKB-së është “shumë domethënës” meqë ato kishin autorizime të veçanta që i takojnë Këshillit të Sigurimit dhe UNMIK-ut. Domethënia ka të bëjë me faktin se ato organe nuk kishin konstatuar asnjë cenim të parimeve që burojnë nga rezoluta 1244 (e vitit 1999), konkretisht me adoptimin e Deklaratës së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Duke marrë parasysh analizat paraprake, autorët theksojnë se “nuk është fare e befasishme që Këshilli i Sigurimit, sikurse edhe Sekretari i Përgjithshëm i UNMIK-ut, e po ashtu edhe Asambleja e Përgjithshme si dhe BE-ja, të kenë abstenuar që ta formulojnë edhe vërejtjen më të vogël të Deklaratës.” Mungesa e çfarëdo vërejtjeje apo dënimi ndaj Deklaratës së Pavarësisë nga ndonjëri nga organet e OKB-së e konfirmon konstatimin e mëparshëm se ato qartazi nuk e kanë parë atë si diçka që nënkupton një shkelje e të drejtës ndërkombëtare apo si diçka që vë në rrezik paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Abstenimi i organeve të OKB-së, sipas autorëve, është edhe më domethënës shikuar nga aspekti i autorizimeve të veçanta me të cilat disponon Këshilli i Sigurimit, sikurse edhe shefi i UNMIK-ut, që të dënojë çdo cenim të parimeve që burojnë nga rezoluta 1244 e vitit 1999.

Diplomatët e juristët francezë e ftuan GJND-në të mos i përgjigjet pyetjes së Serbisë

Së këndejmi, është e qartë se, fundja, Deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk mund të konsiderohet në asnjë aspekt si jokonforme me të drejtën ndërkombëtare, ngase është fjala në këtë rast për një proces politik sui generis. Për këtë arsye, autorët e tekstit ftojnë GJND-në të mos i përgjigjet pyetjes së Serbisë; e nëse vendos të bëjë një përgjigje, të cekë si më lart, përkatësisht se ajo Deklaratë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në këtë dokument ceket se Franca shpreson se GJND-ja “me urtinë e saj dhe me përkushtimin e saj për veprimtarinë e OKB-së do të ketë parasysh papajtueshmërinë e kërkesës për të dhënë një mendim me funksionin gjyqësor të Gjykatës”. Autorët e tekstit shtojnë se edhe nëse GJND-ja merr vendimin që të japë një mendim këshillëdhënës lidhur me Deklaratën e Pavarësisë, ajo do të duhej të marrë parasysh për këtë çështje konkluzat e Këshillit të BE-së të 18 shkurtit 2008, ku bëhet i ditur themelimi i EULEX-it si mision që ka për synim mbështetjen e krijimit të një shteti të së drejtës.

Autorët ripërsëritin se GJND-ja duhet të ketë parasysh funksionin e vet gjyqësor e jo atë këshillëdhënës e konsultativ.

Vlen të cekim këtu se në dy pjesë të këtij teksti, në fillim shkurtazi e kah mbarimi në mënyrë më shteruese, shpjegohet se e drejta ndërkombëtare mjaftohet me konstatimin e ekzistencës së një shteti të pavarur pa u marrë me kushtet e formimit të tij, përveç kur është fjala për aksione të dhunshme.