Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Problemi i keqinformimit në epokën pa besim

Duke u kënaqur në kaos, Elon Musk e ka kthyer platformën “X” në një eksperiment nëse “burimi më i mirë i së vërtetës” do të thotë një gjë pa bazë besimi për ta mbështetur atë. Analizat dhe përshkrimet e politikave mund të ndihmojnë në kuptimin e problemit të dezinformimit dhe zanafillën e fushatave dezinformuese. Musku mendon se një treg i lirë idesh do ta përmirësojë veten. Liberalët duan ta rregullojnë atë. Të dyja palëve u mungon një kuptim më i thellë

Kur sipërmarrësi miliarder, Elon Musk, u ul për intervistën e tij blasfemike në Samitin “DealBook” të “The New York Times” në fund të nëntorit, fjala banale që përdori, mori fort vëmendje. Më pak e vënë re, por shumë më demaskuese ishte përbuzja e tij e dukshme për një fjalë që fillon me shkronjën B (besim). “Nuk mund të më besoni”, ka thënë Musk, indiferent e i ashpër, me xhaketën e tij me jaka të mprehta dhe çizmet e zeza me shkëlqim. “Është e parëndësishme. Rekordi i raketës flet vetë”.

Musk nuk ishte duke u intervistuar për “rekordin e raketave” – në fund të fundit, numri i njerëzve në audiencë që ishin duke kërkuar për të blerë një anije kozmike ishte me sa dukej i paktë. Por megjithëse dukej se nuk e pranonte, çështja e besimit është në thelb të “X”, platformës së mediave sociale që ai e mori në tetor të vitit 2022 dhe ku së fundmi iu përgjigj një postimi antisemitik me fjalët: “Ju keni thënë të vërtetën aktuale”, duke e cilësuar atë “fjalë për fjalë postimin më të keq dhe më budalla që kam bërë ndonjëherë”. Nuk e ka hequr ende atë postim.

Image
Elon Musk në Samitin “DealBook” të “The New York Times” në New York më 29 nëntor 2023. (Foto: Haiyun Jiang/The New York Times)

I pyetur në samit për të komentuar mbi besueshmërinë e tij, Musk përmendi zëshëm statistikat për lëshimin e raketave në orbitë dhe mburrej për prodhimin e “makinave më të mira”. Më shumë se dy milionë nga ato makina janë tërhequr që atëherë nën presionin e rregullatorëve të shqetësuar për softuerin Autopilot. Por ai rezistoi të reflektonte se si nxitja e njerëzve e për t’u marrë me “X” – që është ndërtuar rreth informacionit dhe marrëdhënieve shoqërore – mund të jetë cilësisht e ndryshme nga dërgimi i tokësorëve në Mars. Kishte momente kur sjellja e tij provokuese kalonte në moskuptim. Fjalën “besim” nuk dukej se e kishte llogaritur.

Njëri nga ndryshimet e para që Musk bëri në “X” ishte ndalimi i vendosjes së burimeve për të ruajtur besimin që ai e vlerësonte aq pak. Filloi të kërkonte pagesë për shenjën identifikuese të kaltër, e cila kishte sinjalizuar në mënyrë të besueshme dhe pa kosto se një llogari në “X”, atëherë “Twitter” ishte e “verifikuar” dhe jo një imitim. E vetmja gjë që një shenjë e kaltër sinjalizon me besueshmëri tani është se dikush është i gatshëm t’i paguajë Muskut 8 dollarë në muaj – ose ndoshta jo, pasi ai i ka lëshuar pa pagesë disa shenja verifikuese për disa llogari të të famshmëve. Ai shkatërroi ekipin e moderimit të përmbajtjes në platformë. Riktheu llogaritë që ishin pezulluar për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe falsifikimit të dëmshëm të informatave rreth vaksinave.

Kritikët paralajmëruan se lëvizjet e Muskut po lejonin lulëzimin e dezinformatave, por matjet e besueshme të dezinformatave në “X” janë bërë shumë më të vështira për t’u arritur – kryesisht për shkak se ato janë penguar nga “X”. Përveç paditjes ndaj një organizate që gjurmon gjuhën e urrejtjes dhe gënjeshtrat në mediat sociale dhe duke refuzuar thirrjet e ligjvënësve për transparencë, “X” tani u kërkon studiuesve deri në 42 mijë dollarë në muaj për qasje në mjetet e mbledhjes së të dhënave që dikur ishin falas. Gjatë gjithë kohës, Musk ka insistuar se ai po e bën “X” një hapësirë virtuale në të cilën është e mrekullueshme të marrësh pjesë. Për prova mbeten dy forma jashtëzakonisht të kufizuara vërtetimi: dëshmitë nga përdoruesit individualë dhe fjala e Muskut.

Edhe Elon Musku humb betejën ligjore me OpenAI Tech 2 muaj më parë Elon Musku humb betejën ligjore me OpenAI

“Aspirata ime për platformën ‘X’ është që ajo të jetë burimi më i mirë i së vërtetës, ose burimi më pak i pasaktë i së vërtetës”, ka thënë ai në samitin e “DealBook”. Më pak se dy javë më vonë, ai mirëpriti përsëri në platformë prezantuesin e ekstremit të djathtë të “Infowars”, Alex Jones, të cilit më 2018 i ishte penguar qasja për shkak të ngacmimit. Në mesin e teorive sensacionale të konspiracionit të cekura nga Jones ishte gënjeshtra e kobshme se vrasja masive e fëmijëve në shkollën fillore “Sandy Hook” ishte një mashtrim. Musk propozoi që Shënimet e Komunitetit – programi i kontrollit të fakteve me burime të shumta të “X” – do t’i përgjigjen me shpejtësi çdo postimi të Jones që ka nevojë për korrigjim. Disa orë më vonë, Musk shkroi se një shënim i komunitetit i bashkangjitur në një prej postimeve të tij ishte “duke u luajtur nga aktorët shtetërorë”.

Të bëra bashkë, komentet dhe veprimet e Muskut kanë qenë të çrregullta deri në pikën e hutimit. Dhe për këdo që shqetësohet për përhapjen e dezinformatave në botën e re dhe të guximshme digjitale, janë padyshim të tmerruar. Por ato ekspozojnë gjithashtu një problem thelbësor në qendër të debatit mbi atë që duhet bërë. Platforma e Muskut bashkon njerëzit dhe informacionin dhe për ta klasifikuar atë informacion në të vërtetë dhe të rremë kërkon një kuptim themelor në të cilin mund të mbështetet burimi i tij. Me fjalë të tjera, ky proces klasifikimi kërkon besim – pikërisht atë që Musk e refuzon.

Duke u kënaqur në kaos, Musku e ka kthyer “X” në një eksperiment nëse “burimi më i mirë i së vërtetës” do të thotë një gjë pa bazë besimi për ta mbështetur atë. Analizat dhe përshkrimet e politikave mund të ndihmojnë në kuptimin e problemit të dezinformimit dhe zanafillën e fushatave dezinformuese. Por këmbëngulja e Muskut që çdo gjë të jetë pjesë e platformës së tij ekspozon disa nga supozimet më të thella që shpesh merren si të mirëqena – se si e dimë atë që dimë dhe pse besojmë në atë që e bëjmë.

Gardianët e së vërtetës

Zgjedhja e Donald Trumpit, president i SHBA-së në vitin 2016, shkaktoi një furnizim të qëndrueshëm të librave për keqinformimin dhe dezinformimin, megjithëse ekziston një dallim kritik midis të dyjave. “Keqinformimi” është informacion i rremë që njerëzit sinqerisht i besojnë dhe i përhapin pa dashje; “dezinformomi”, i cili vjen nga ajo që sovjetikët e quajtën “dezinformatsiya”, është mashtrim i qëllimshëm. Zbulimet në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s nënkuptonin që të dy termat u përdorën në mënyrë të frytshme dhe shpesh në mënyrë të ndërsjellë.

Përhapja e dezinformatave dhe gënjeshtrave:

• Shfrytëzimi i yjeve të SHBA-së: Taktika e fundit e Kremlinit në luftën e tij të informacionit me Perëndimin mbështetet në video të rreme të të famshmëve të regjistruara në “Cameo”, një aplikacion ku përdoruesit mund të paguajnë për mesazhe të personalizuara nga njerëz të famshëm.

• I.A. Audio: Falsifikimet audio të krijuara nëpërmjet Inteligjencës Artificiale po bëhen një armë e re dhe e fuqishme në fushën e betejës së dezinformimit në internet, duke kërcënuar të turbo-ngarkojë dezinformimin politik para zgjedhjeve të vitit 2024.

• Përpjekjet e verifikuesve të fakteve: Me një valë zgjedhjesh që priten në vitin 2024 në dhjetëra shtete, komuniteti global i verifikimit të fakteve po bën vlerësimin e përpjekjeve të tyre gjatë disa viteve intensive – dhe shumë nuk e pëlqejnë atë që shohin.

• Një përleshje e afërt: Një ligj i Bashkimit Evropian synon të detyrojë gjigantët e mediave sociale të miratojnë politika të reja për të frenuar dezinformimin. Masa pritet të përballet me goditje nga Elon Musk, pronari i “X”, i njohur më parë si “Twitter”.

Image
Demonstruesit në një protestë kundër vaksinave dhe maskave në Qendrën Kombëtare në Washington, D.C., në janar 2022. (Foto: Kenny Holston/The New York Times)

“Mbi dezinformimin: Si të luftojmë për të vërtetën dhe të mbrojmë demokracinë”, një libër i ri nga Lee McIntyre, kap disa nga alarmet aktuale. Libri i tij është një paralajmërim polemik i madhësisë së xhepit të “vrasësve të së vërtetës” që po zhvillojnë “një fushatë të koordinuar” që synon “të përhapë dezinformata te masat – me qëllim që të nxisë dyshime, ndarje dhe mosbesim – dhe të krijojë një ushtri mohuesish”. McIntyre, filozof dhe studiues nga Universiteti i Bostonit, tregon për gënjeshtra konspirative në lidhje me vaksinat anti-COVID dhe zgjedhjet e 2020-s. Nuk është se informacionet e sakta për vaksinat dhe zgjedhjet nuk ishin të disponueshme – është se ai po konkurronte kundër një numri të madh të gënjeshtrave lehtë të shpërndara nëpër mediat sociale dhe në internet.

Por siç shpjegon Thomas Rid në “Masat aktive: Historia sekrete e dezinformimit dhe luftës politike” (2020), vëmendja e përcjellë me panik që amerikanët u kanë kushtuar dezinformatave që prej vitit 2016 është ndoshta një korrigjim i tepërt, një përgjigje e vonuar ndaj një fenomeni që ata e kishin nënvlerësuar më parë.

Edhe Elon Musk thirret në Paris nën akuzat për sjellje të pahijshme në X Tech 3 muaj më parë Elon Musk thirret në Paris nën akuzat për sjellje të pahijshme në X

Rid është dijetar dhe hulumtues, ndonëse i pakursyer në përshkrimin e tij se si operacionet e dezinformimit mund të gërryejnë ngadalë shoqëritë e hapura, ai thotë se interneti në fakt ka bërë fushata të tilla “më të vështira për t’u kontrolluar, më të vështira për t’u drejtuar dhe më të vështira për të izoluar efektet e projektuara”. McIntyre, në të kundërt, miraton një qasje më të thjeshtuar, duke e trajtuar internetin si një shumëzues të forcës së dezinformimit. Ai favorizon më shumë rregullim të platformave të mediave sociale, duke lënë mënjanë shqetësimet e Amendamentit të Parë: Përhapja e “fjalës së keqe”, thotë ai, është si të bërtasësh: “Zjarr!” në një teatër të mbushur me njerëz.

​Ky është pikërisht lloji i argumentit që Jeff Kosseff shpërfaq në “Gënjeshtar në një teatër të mbushur me njerëz: Liria e fjalës në një botë të keqinformimit” (2023). Aty ku McIntyre bën thirrje për veprim, Kosseff, profesor i ligjit të sigurisë kibernetike në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkuara, kërkon kujdes. Ai nuk e mohon se teknologjia mund të përforcojë gënjeshtrat dhe se gënjeshtrat – qofshin të projektuara qëllimisht apo jo – mund të jenë të rrezikshme. Ai vë në dukje “pasojat e paqëllimshme të dhënies së qeverisë më shumë pushtet censorial”.

Atëherë kur dikush ka bërë një gënjeshtër, shpesh është tepër vonë për ta parandaluar dëmin që mund të shkaktojë. Ashtu si një numër autorësh që shkruajnë për dezinformatat që nga viti 2021, Kosseff rrëfen atë që ndodhi më 6 janar, kur kryengritësit sulmuan Capitolin, sepse besuan gënjeshtrat e Presidentit Trump se në zgjedhje kishte pasur vjedhje. Pavarësisht mbrojtjes së patundur të Amendamentit të Parë nga Kosseff, ai nuk e mohon mundësinë që “gënjeshtra e madhe” të mos përfshihet në fjalën e mbrojtur, duke cituar qasje të reja nga studiues juridikë që janë përpjekur ta trajtojnë këtë çështje.

Aty ku McIntyre përdor metafora luftarake, duke deklaruar se kohët e ashpra kërkojnë masa të ashpra, Kosseff dëshiron që agjencitë qeveritare të përqafojnë “sinqeritetin” dhe “përulësinë” kur komunikojnë me publikun dhe ai promovon mësimin e shkrim-leximit mediatik për fëmijët – të gjitha këto duken të arsyeshme. Por në një moment kur edhe listat e leximit të shkollave fillore krijojnë mosmarrëveshje të egër, çdo përpjekje për të krijuar rrugën për të dalë nga gjendja e vështirë, kthen prapa te mosmarrëveshjet e thella se si të përcaktohet situata në radhë të parë: për shembull, gati 40 për qind e amerikanëve e konsideronin faktin që Joe Biden është fituesi legjitim i zgjedhjeve të 2020-s si lajm të rremë.

Në të njëjtën kohë, disa kritikë kanë argumentuar se lufta kundër dezinformimit po zhvillohet vrullshëm nga ata që kanë diçka për të fituar nga pozicionimi i tyre si rojet e ligjshme të së vërtetës. Në një shkrim balline për “Harper's Magazine” në vitin 2021, reporteri i “BuzzFeed” Joseph Bernstein (tash gazetar i “The Times”) shkroi për atë që ai e quan “Big Disinfo”: një kompleks industrial i grupeve të mendimit, kompanive mediatike dhe qendrave akademike që u shfaqën gjatë kohës së Trumpit për të studiuar efektet e dezinformimit. Këto institucione e paraqesin veten si një shërbim thelbësor për audiencën – duke ndarë informacionin e mirë nga i keqi.

Një projekt i tillë duket se është në kundërshtim me prirjet libertariane të Silicon Valleyt, megjithatë Bernstein vëren se “Big Disinfo” ka marrë mbështetje nga “Big Tech”. Ai argumenton se një kompani si “Meta”, e cila fiton miliarda nga reklamuesit, ndodh gjithashtu të ketë një interes të veçantë për të promovuar idenë e një publiku të ndikueshëm – një i prirë për t’u ndikuar në platforma që janë “magjishëm bindëse”.

Image
Trazirat brenda Capitolit më 6 janar 2021. (Foto: Erin Schaff/The New York Times)

“Kriza e autoritetit”

Rikthen besimin. Apeli i McIntyre për ushtrinë si një burim i shkëlqyer informacioni të besueshëm nxit reagimin e disa lexuesve. Një pikëpamje më e qartë për besimin është paraqitur nga Chris Hayes në “Muzgu i elitave: Amerika pas meritokracisë”, një libër që u botua në vitin 2012 dhe doli të ishte jashtëzakonisht parashikues. Aty, Hayes përshkruan keqbërjen e elitës – luftërat pas 11 shtatorit; kriza financiare e vitit 2008 – që ishte thellësisht gërryese, duke minuar besimin e publikut tek institucionet. Kjo “krizë e autoritetit” është e merituar, thotë ai, por gjithashtu na ka lënë të pambrojtur. Një demokraci e madhe dhe komplekse kërkon besim institucional që të funksionojë. Pa të, “ne vërtet rrezikojmë një lloj kaosi Hobbesian, në të cilin e vërteta kapërcehet nga vullneti për pushtet”.

Njohja se sa thellë shkon kjo krizë të lë në një vend të vështirë. T’i bësh njerëzit të refuzojnë gënjeshtrat e demonstrueshme nuk është thjesht një çështje për t’i hedhur poshtë ato me fakte. Siç shkruan studiuesi i komunikimit Dannagal Goldthwaite Young në “Gabim: si media, politika identiteti shtojnë oreksin për keqinformim” (2023), impulsi për të qortuar dhe tallur njerëzit që besojnë se gënjeshtrat konspirative zakonisht do të dështojë: “Rrënjët e gabimit shpesh qëndrojnë në konfuzion, pafuqi dhe nevojë për lidhje shoqërore”. Ndërtimi i besimit kërkon kultivimin e kësaj lidhjeje sociale në vend që ta djegë atë. Por shtrirja e nxitjeve të dhembshurisë për njerëzit që besojnë gjëra që janë të urryera dhe të dëmshme, është gjithashtu e rrezikshme.

Një raketë me defekt e kaplon flaka në ajër; një makinë me defekt përplaset me një pemë. Informacioni i gabuar funksionon ndryshe. Vizioni i Musk për një informacion falas për të gjithë në “X” e ka bërë të pamundur injorimin e një telashi themelor – dhe sfidat e mëdha të çdo rregullimi të zbatueshëm shumë më të qarta për t’u parë. Ai po u kërkon njerëzve që ta besojnë dhe po i sfidon nëse kanë guxim ta bëjnë të kundërtën. “Mos i beso askujt, dhe bash askujt”, postoi ai në “X” në tetor, duke shijuar të dyja, shakanë e keqe dhe nihilizmin. Ose siç ka thënë në nëntor: “Vetëm sepse doli nga goja ime, nuk do të thotë se është e vërtetë”.

​Marrë nga “The New York Times”. Përktheu Gonxhe Konjufca

Edhe Musk zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që i vendosën gjobën 120 milionë euro Tech 7 muaj më parë Musk zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që i vendosën gjobën 120 milionë euro