Shtojca për Kulturë

Poetika moderne balancon ngjyrat e Ulqinit në Prishtinë

Edhe pse burimin frymëzues të dyja artistet e kanë të njëjtë –  ujin, diellin e gurët e Ulqinit – ato i sjellin ndryshe nga njëra-tjetra. Veprat e Vahida Hasanagës-Nimanbegut (majtas) komunikojnë natyrshëm me ato të Mersiha Resulbegoviq-Mavriqit

Edhe pse burimin frymëzues të dyja artistet e kanë të njëjtë – ujin, diellin e gurët e Ulqinit – ato i sjellin ndryshe nga njëra-tjetra. Veprat e Vahida Hasanagës-Nimanbegut (majtas) komunikojnë natyrshëm me ato të Mersiha Resulbegoviq-Mavriqit

Artistet nga Ulqini, Vahida Hasanaga-Nimanbegu dhe Mersiha Resulbegoviq-Mavriq, kanë sjellë ngjyrat e Ulqinit të përkthyera në pikturat e tyre për artdashësit e Prishtinës. Të shtunën mbrëma, muret e galerisë “OpenArt” u veshën me dhjetëra kanavace që shndërrohen si portale që shpënë në peizazhe të ndryshme, por të një qyteti të njëjtë. Herë të errëta e plot thellësi nga peneli i Resulbegoviq-Mavriqit, e herë më lozonjare dhe poetike në ato të Hasanaga-Nimanbegut. Bëhen bashkë në “Sense of Balance”

Të jetuarit në një vend bregdetar, në Kala historike rrëzë detit, krahas klimës optimale e natyrës, përbën ambient optimal për frymëzim i cili doemos të çon drejt kërkimit për ta derdhur diku atë frymëzim. Këtë fat jo dhe aq të shpeshtë, e ndajnë artistet nga Ulqini, Vahida Hasanaga-Nimanbegu dhe Mersiha Resulbegoviq-Mavriq të cilat publikut të Prishtinës i sollën Ulqinin nëpërmjet optikës së tyre. 

Edhe pse burimin frymëzues të dy artistet e kanë të njëjtë –  ujin, diellin e gurët e Ulqinit – ato i sjellin ndryshe nga njëra-tjetra. Si një kontrapunkt që merr kuptim me të zbërthyer motivet prapa tyre. 
Në galerinë “OpenArt”, në kryeqytet dyshja solli ekspozitë nën titullin ‘Sense of Balance”(Kuptimi i balancës), si një metaforë e përpjekjes së tyre artistike që botën e dendur me ngjyra e forma ta balancojnë artistikisht në kanavacë. Të dyja, edhe pse me një qasje bashkëkohore në pikturë u përshtaten me besnikëri edhe  formave tradicionale të saj. 

“Vahida Nimanbegu nuk lë anash mediumin tradicional të penelit, ku me mjeshtëri teknike i aplikon ngjyrat e lehta në teknikën lazurë, të kombinuar me vija fugale dhe konturale jo të ashpra, ku në disa çaste të bëjnë të mendosh se po lëviz me intensitet të butë duke u zbehur”, thuhet në konceptin kuratorial të përgatitur nga piktorja Zake Prelvukaj, kuratore e ekspozitës. 

Identiteti artistik i Vahida Hasanaga-Nimanbegut, në pikturën e saj shfaqet dinamik, i lirë por që ruan një harmoni mes ritmit e balancës së kompozicionit në pikturat e saja.  Shkak për të sërish del të jetë ambienti që e rrethon. Motivi prapa këtij stili është qyteti bregdetar që nuk i shqitet dot kur ajo merr penelin në dorë. 

“Arsyeja kryesore me duket që është dielli, i cili është i fortë në Ulqin, rrezatimi i diellit, pamja e qiellit, e detit, e gurëve, ngjyrat... Është thjesht poetika ime, pjesë e personalitet tim që domosdoshmërisht reflektojnë edhe ne pikturat e mija”, u shpreh ajo në një prononcim për KOHË-n, teksa njoftoi se ky cikël për të cilin ka punuar viteve të fundit u stacionua në Prishtinë pas një itinerari që përshkoi disa qytete të rajonit si Beogradi,  Podgorica e Herceg Novi.  Hasanaga-Nimanbegu diplomoi në Fakultetin e Arteve Aplikative në Degën e Pikturës në Beograd. Është anëtare e Shoqatës artistike të Malit të Zi, fituese e çmimit të “Sallonit të Zemunit për pikturë, atij vjeshtor të Gjilanit. Është laureate e çmimit “Draudacum”. Ndërkaq është dhe themeluese e organizatës “Art Dulcinium” në Ulqin.  

Vahida Hasanaga-Nimanbegu (majtas) dhe Mersiha Resulbegoviq-Mavriq në vernisazhin e ekspozitës së tyre në galerinë “OpenArt” në Prishtinë, të shtunën më 20 prill

Ndryshe për nga qasja më e drejtpërdrejtë që kanë pikturat e saj, Mersiha Resulbegoviq-Mavriq, fokusohet në shpalosjen e kujtesës dhe aktualitetit të qytetit të saj duke u mbështetur në një trajtim më enigmatik. Prek edhe tranzicionin e hovshëm fizik e teknologjik që po e pësojnë hapësirat e rajonit. Me intensitetin e ngjyrave, sidomos të kaltrës, e cila e përbashkon ciklin e saj,  i jep thellësi tablosë. 

“Këto janë disa punime që unë i kam punuar së fundi. Ato kanë teksturë pak më të fortë, në disa vende janë më lehtë. Është njëfarë impresionizmi i shkrirë. Pastaj kemi ngjyrën blu e cila me lajmërohet në të gjitha punimet e mija, herë më pak e herë me e errët, kështu që vjen nga vendi nga ku kemi ardhur dhe shpresoj që kemi sjellë një frymë nga Ulqini”, është shprehur ajo duke folur rreth motivit të saj krijues. 

Resulbegoviq-Mavriqi e diplomuar në Akademinë e Arteve në Cetinë për dizajn grafik në klasën e Milo Grozdaniq, ka marrë pjesë në më shumë se 60 ekspozita kolektive. Është profesoreshë e artit në shkollën fillore “Marshall Tito” në Ulqin, si dhe themeluese e organizatës joqeveritare “Trashëgimia”. Gjithashtu është një nga organizatoret e homazhit për krijimtarinë artistike të Rudi Gogës, grafistit të shquar ulqinak, tashmë të ndjerë.  

Paraqitjen dikotomike të pikturave të dyshes e potencoi dhe njëherë kuratorja Zake Prelvukaj në vernisazhin e ekspozitës. 

“Sot i kemi dy artiste të cilat vijnë nga një qytet të cilin të gjithë shqiptarët e duan. Të dyja artistet kanë jetuar kohën më të madhe atje dhe absorbimi i këtij qyteti nga to ka ndodhur nënvetëdijshëm. Vahida jeton në një vend specifik, në Kala dhe pamja nga vendi ku ajo jeton ia imponon asaj edhe ngjyrat. Njëjtë dhe te Mersiha, por ajo përdor një tonalitet më të errët, njëfarë të kaltër të murrmët e cila gjithashtu e paraqet peizazhin e Ulqinit”, ka thënë Prelvukaj duke prezantuar qasjen e të dyja artisteve për publikun e pranishëm. Aty qe edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili ekspozitën e ka vlerësuar edhe si bashkëpunimin midis dy qyteteve, Ulqinit dhe Prishtinës. 

“Bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Ulqinit është gjithmonë i mirëseardhur, po ashtu edhe mundësia e artistëve tanë për t’i ekspozuar veprat e tyre atje. Jam i lumtur që artdashësit e Prishtinës përmes kësaj ekspozite kanë mundësi me e pa edhe një qasje ndryshe të artit që vjen nga Ulqini”, ka thënë ai.