Shtojca për Kulturë

Pazaret politike në Turqi me Kosovën e 1999-s

Një ligjërim i ri u sipërfaq gjatë fillimit të goditjeve të NATO-s. Mëtimi për një trashëgimi osmane, që më parë ishte bërë kryesisht në qerthujt nacionalistë dhe islamikë, nxori krye në ligjërimin zyrtar. Mëtimi për një trashëgimi osmane në identitetin dhe historinë e turqve u bë më i theksuar gjatë viteve të kaluara, por në përgjithësi ligjërimi zyrtar prirej të shmangej nga referimi për këtë trashëgimi (të përbashkët) kur përmendeshin popujt e Ballkanit. Ashtu siç kishte ngjarë edhe me konfliktin në Bosnjë, por në një shkallë më të vogël, për shkak të frikës nga krahasimi me gjendjen në Anadollin juglindor, konflikti i Kosovës u përdor nga islamikët si një platformë politike

Kur shqiptarët u zbuan masivisht nga Kosova, Turqia ua hapi dyert atyre. Kjo është një përbërëse e vazhdueshme e politikës turke ndaj bashkësive turke dhe myslimane në rajon: kishte pranuar, thuajse pa asnjë kufizim, refugjatë dhe emigrantë nga mbarë Ballkani (turq që braktisën Bullgarinë gjatë viteve ‘50 dhe më 1989, shqiptarë nga Jugosllavia gjatë viteve ‘50 dhe ‘60, myslimanë nga Bosnjë-Hercegovina pas vitit 1992 e kështu me radhë). Të vetmet përjashtime ishin për shkak të pamundësisë së vendosjes së tyre kur 350 mijë turq nga Bullgaria ikën në Turqi në vitin 1989.

Gjithsej 18 mijë kosovarë u vendosën zyrtarisht në Turqi prej fundit të marsit 1999 deri në qershor 1999. Thuajse gjysma e tyre u vendosën në kampin Kirklareli në Thrakë, i cili ishte ndërtuar për bullgarët turq që arritën me 1989 dhe më vonë i përdorur edhe nga myslimanët e Bosnjë-Hercegovinës. Të gjithë shqiptarët u kthyen në Kosovë gjatë verës së vitit 1999. Kryqi i Kuq turk ngriti dy kampe me tenda për refugjatë, njërin në Maqedoni (Bojanë) dhe tjetrin në Shqipëri (Elbasan).

Mëtimi për një trashëgimi osmane

Në fund një ligjërim i ri u sipërfaq gjatë fillimit të goditjeve të NATO-s. Mëtimi për një trashëgimi osmane, që më parë ishte bërë kryesisht në qerthujt nacionalistë dhe islamikë nxori krye në ligjërimin zyrtar. Mëtimi për një trashëgimi osmane në identitetin dhe historinë e turqve u bë më i theksuar gjatë viteve të kaluara, por në përgjithësi, ligjërimi zyrtar prirej të shmangej nga referimi për këtë trashëgimi (të përbashkët) kur përmendeshin popujt e Ballkanit. Në rastin e Kosovës kryetari Demirel më në fund përmendi “detyrën për të shpëtuar vëllezërit tanë kosovarë” dhe “përgjegjësinë historike dhe morale të Turqisë”; Ismail Cem përmendi “përvojën 500-vjeçare në Kosovë”; dhe kryeministri i atëbotshëm Bilent Ecevit pati thënë se “kosovarët janë vëllezërit tanë dhe trashëgim nga historia jonë” dhe “trashëgimia që na tregohet nga historia”. Drejtuesit turq dukej se po rropateshin të përligjnin pjesëmarrjen e tyre në sulme. Por, më e rëndësishmja, ky ligjërim nisi të shfaqej gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare (18 prill 1999). Në të vërtetë fillimi i goditjeve të NATO-s dhe dëbimi krejtësor i shqiptarëve nga Kosova përkoi me fushatën zgjedhore. Natyrisht se ajo nxiti njëfarë gare mes politikanëve turq. Tansu Ciller (kryetar i partisë konservative Dogru Yol Partisi) kritikoi Qeverinë për “apatinë e saj karshi Kosovës”, kryeministri Ecevit vizitoi kampin Kirklareli disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Përveç kësaj, droja se partia islamike (Fazilet Partisi) do të merrte vota të shumta – kishte marrë 21.3 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara që kishte përftuar krizën politike – nxiti politikanët “shekullaristë” të garonin me Faziletin për solidaritetin e treguar me vëllezërit e shtypur. Ashtu siç kishte ngjarë edhe me konfliktin në Bosnjë, por në një shkallë më të vogël, për shkak të frikës nga krahasimi me gjendjen në Anadollin juglindor, konflikti i Kosovës u përdor nga islamikët si një platformë politike.

ImageShqiptarë në Stamboll, 1918

Shqiptarët në Stamboll: një lob për çështjen e Kosovës?

Turqit me prejardhje shqiptare ishin të mobilizuar dhe mjaft aktivë në lobimin e tyre për çështjen e Kosovës. Shumica e këtyre shqiptarëve u patën vendosur në Stamboll gjatë viteve ‘50 dhe ‘60. Me marrëveshjen e nënshkruar mes Jugosllavisë dhe Turqisë në vitin 1953, turqit nga Jugosllavia mund të emigronin në Turqi. Rrjedhimisht, shumë shqiptarë deklaroheshin si turq dhe u shpërngulen në Turqi. Rreth 150 mijë “turq” u patën vendosur në Stamboll gjatë asaj kohe, edhe pse shumica e emigrantëve me prejardhje shqiptare e vënë në dyshim këtë të dhënë. Ata u vendosën në visoret ku jetonin shqiptarë që kishin emigruar gjatë viteve ‘30 (Bajram Pasha, Aksaraj, Kuçik-Cekmece).

Shoqata të shumta përfaqësojnë këtë bashkësi në Stamboll. Shumë sosh u krijuan gjatë viteve ‘50 dhe ‘60 për qëllime kulturore dhe shoqërore: për t’u dalë krah emigrantëve të rinj për të gjetur punë, për të organizuar festivale folklorike e të tjera. Pas vitit 1990, disa nga këto “shoqata folklorike” nisën të kishin edhe brenga politike. Disa si rasti i “Asociacionit të kosovarëve” të themeluar në vitin 1994, kishin orientime të theksuara politike. Ky asociacion ishte mjaft aktiv në lobimin për Kosovën, duke organizuar tubime me deputetë dhe zyrtarë turq, shpërndarjen e kërkesave të saj në shtyp e të tjera. Kur nisi një fushatë represioni në shkurt të vitit 1998 në Kosovë, këto shoqata shqiptare u mobilizuan saora, mbajtën dy protesta në Stamboll: e para më 8 mars, disa ditë pas fillimit të represionit, e dyta disa muaj më vonë. Për të fuqizuar fushatën e tyre përkrahëse, pesëmbëdhjetë prej këtyre shoqatave ngritën “Komisionin Informativ të Kosovës” në maj të vitit 1998, qëllimi i të cilit ishte bashkërendimi i nismave të tyre dhe lobimi në shtyp. Krahas kësaj, një zyrë përfaqësuese e Republikës së Kosovës ishte përuruar në dhjetor të vitit 1996. Kjo hapje, natyrisht, se nuk pranoi ndonjë autorizim zyrtar. Sidoqoftë, sipas një njoftimi të një të përditshmeje të Kosovës, ambasadori i Shqipërisë në Turqi, ministri i Informacionit të Republikës së Kosovës dhe zëvendësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës morën pjesë në ceremoninë e hapjes. Kjo zyrë përfaqësuese e Republikës së Kosovës duket të jetë e lidhur ngushtë me LDK-në.

Me gjithë mobilizimin aktiv të “drejtuesve” të tyre, bashkësia shqiptare nuk mori pjesë në këtë lobim. Këta shqiptarë në fakt janë përgjithësisht të “turqizuar” dhe shumica e tyre nuk flasin më shqip. Fjala vjen, sot nuk ka ndonjë shtyp të veçantë për këtë bashkësi (as në shqip dhe as në turqisht). Ata brengosen për fatin e bashkatdhetarëve të tyre në Kosovë dhe kanë lidhje me shqiptarët; megjithatë kjo nuk do të thotë se ata janë të gatshëm të marrin përsipër ndonjë angazhim të veçantë personal, politik apo financiar për Kosovën. Sipas fjalëve të njërit prej drejtuesve të grupeve shqiptare më me ndikim “Asociacioni Turko-Shqiptar” (Türk-Arnavut Dernegi), mobilizimi i popullatës turke me prejardhje shqiptare ka qenë zhgënjyes. Pjesëmarrja në dy protestat e organizuara gjatë pranverës së vitit 1998 ka qenë mjaft e ulët dhe kur nisi fushata e “spastrimit etnik” në mars të vitit 1999, paratë e mbledhura për qëllime humanitare nga shoqatat shqiptare ishin mjaft të pakta. Shqiptarët e Turqisë natyrisht se nuk iu bashkuan UÇK-së. Megjithatë, gjatë pranverës së vitit 1999, ata ndihmuan refugjatët duke i strehuar në shtëpitë e tyre ose duke i akomoduar ata krahas kampit Kirklareli në Thrakë.

Propagandimi për një Turqi tolerante e perëndimore

Për më tepër, edhe kur mobilizohen, drejtuesit e këtyre shoqatave mbajnë një profil të zbehtë qemalist. Së pari, ata janë integruar plotësisht dhe propagandojnë ligjërimin zyrtar për një Turqi tolerante, shumëkulturore dhe të perëndimorizuar. Së dyti, këto shoqata përgjithësisht financohen nga partitë konservative. Në çdo rast ata janë të kujdesshëm për të mos iu avitur mileut islamik që rropatet të përdorë kauzën e tyre si platformë politike. Prandaj, edhe kur avokojnë hapur për pavarësinë e Kosovës, ata e kuptojnë fare qartë se Turqia ka disa përparësi nacionale. Dy muaj pas udhëtimit të Ismail Cemit në RFJ, në mars të vitit 1998, Kamil Bitis, anëtar i “Komisionit Informativ të Kosovës”, e cilësoi qëndrimin e Ismail Cemit si “shumë pozitiv”.

Qeveria turke mbajti vijën e saj zyrtare dhe nuk mbështeti nismat e këtyre shoqatave. Dy protestat e mbajtura në pranverë të vitit 1998 nuk ishin të autorizuara ashtu siç nuk ishte as përurimi i zyrës përfaqësuese. Më 8 mars polica bllokoi rrugën drejt konsullatës jugosllave, caku i protestuesve. Por ka shenja që thonë se autoritetet përdoren epërsinë e këtij rrjeti për të krijuar kontakte që një ditë do të ishin të vlefshme. Për shembull, hapja e Zyrës përfaqësuese të Republikës së Kosovës në Stamboll nuk mori mbështetje zyrtare dhe asnjë anëtar i Qeverisë nuk mori pjesë, por asgjë nuk u ndërmor për të parandaluar këtë përurim për të cilin Ministria e Jashtme ishte e njoftuar mirë. Disa drejtues partish politike morën pjesë në protesta. Gjatë protestës së 8 marsit, ANAP - Anavatan Partisi) dha një autobus zgjedhor në rrugën e protestuesve.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Sylvie Ganfloff është hulumtuese e studimeve turke. Ky artikull është shkruar më 2004. Fusnotat janë hequr nga redaksia. Përgatiti: Salih Mehmeti