Shtojca për Kulturë

Paco Rabanne – revolucionari i modës, stilisti i futurizmit

Me fustane prej metali, plastika dhe letra ndryshoi përkufizimin e modës. Veshjet e tij përfaqësonin mundësinë e ikjes nga graviteti, në krejt kuptimin e fjalës. Gazeta “New York Times” dikur e përshkroi si “futurist, stilist, mistik, i çmendur, dadaist, skulptor, arkitekt, astrolog, parfumier, artist dhe profet”. Salvador Dalí e quajti thjesht gjeniu i dytë i Spanjës. “E di që do të kem gjithmonë një vend në historinë e modës”, kishte thënë dikur Rabanne. “Unë jam në të gjithë fjalorët, sepse kam futur materiale të reja në botën e modës. Fustanet e para prej metali, letre dhe plastike të zier – kjo është trashëgimia ime”

Stilisti spanjoll, Paco Rabanne, me krijimet futuriste u dha formë ëndrrave të asaj që quhet Epokë e Hapësirës dhe ripërcaktoi modën. Vdiq në Portsall, të premten, në moshën 88-vjeçare. Vdekja e tij u konfirmua nga Puig, grupi që sot zotëron markën. S’u tha gjë në lidhje shkaqet e vdekjes.

“Paco Rabanne e bëri thyerjen magnetike”, ka thënë në një deklaratë Jose Manuel Albesa, presidenti i divizionit të bukurisë dhe modës në “Puig”. “Kush tjetër mund t’i shtyjë gratë parisiene në modë të bërtasin për fustane prej plastike dhe metali?”

Image
Disa nga krijimet e Rabannes, nga e majta: një pallto e thurur me copa lëkure, një fustan alumini dhe një krijim prej metali të përpunuar. “Qepja është skllavëri”, kishte thënë ai dikur (Foto: Reg Lancaster/Getty Images)

Rabanne shpërtheu në skenën franceze të modës në vitin 1966 me një koleksion të quajtur “Manifest: 12 veshje të paveshura në materiale bashkëkohore” dhe minifustane zinxhirësh që përbëheshin nga qindra disqe plastike e metalike. Tre vjet më vonë ai prezantoi parfumin e tij të parë, të quajtur “Calandre” (emri do të thotë “skarë makinash”), i cili u bë baza e një perandorie aromash.

Image
Jane Fonda në një portret promovues për filmin “Barbarella” të vitit 1968 për të cilin Rabanne krijoi kostumet (Foto: Silver Screen Collection/Getty Images)

Në filmin fantastiko-shkencor të vitit 1968, “Barbarella” ai veshi me kostume Jane Fondan dhe shmangu gjilpërat dhe kopsat për lidhjen e fijeve (ai dikur kishte thënë se ‘qepja është skllavëri’) dhe bëri gjoksoren metalike në pëlhurë. Eksperimentimi dhe aroma ishin shtyllat binjake mbi të cilat u ndërtua marka e tij. Ato bënë që emri i tij të rezononte shumë përtej salloneve të “Avenue Montaigne” dhe të ndikonte tutje në punën dhe planet e bizneseve të gjeneratave të reja të stilistëve.

Shtrirë përtej kufijve të rinj të modës, Rabanne eksploroi gjithashtu disa besime po aq të largëta. Ai besonte se e kishte parë Zotin tri herë, ishte vizituar nga jashtëtokësorët dhe kishte shumë jetë të mëparshme, përfshirë një në të cilën ishte prostitutë gjatë mbretërimit të Louis XV dhe një në të cilën vrau Tutankhamen. Ai parashikoi se stacioni hapësinor rus, “Mir” do të binte mbi Paris. Gazeta “New York Times” dikur e përshkroi si: “futurist, stilist, mistik, i çmendur, dadaist, skulptor, arkitekt, astrolog, parfumier, artist dhe profet”.

“Gjeniu i dytë i Spanjës”

Salvador Dalí e quajti thjesht gjeniu i dytë i Spanjës. Në vitin 1997, Rabanne botoi një libër me titull “Journey: From One Life to Another” (Udhëtim: Nga një jetë në tjetrën). Por, në fakt, vetë jeta e tij ishte një epikë më vete.

Image
Rabanne i rrethuar nga modelet në vitin 1976 në Paris (Foto: Agence France-Presse — Getty Images)

Francisco Rabaneda y Cuervo lindi më 18 shkurt të vitit 1934, në Pasajes, afër San Sebastianit në Spanjë. Më vonë ai mori emrin Paco Rabanne, sepse kishte 11 shkronja, për çfarë ai mendonte se ishte numër me fat. Babai i tij ishte kolonel që u ekzekutua gjatë Luftës Civile Spanjolle dhe në vitin 1939 nëna e tij, rrobaqepësja e stilistit Cristóbal Balenciaga, iku me djalin e saj të vogël në Francë.

Rabanne studioi arkitekturë në École Nationale Supérieure des Beaux-Arts, ( Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura), por kaloi në modë sepse ishte më pak kufizuese. Ai pagoi për studimet e tij duke dizajnuar bizhuteri dhe pulla për stilistë si Christian Dior dhe duke i shitur skica Charles Jourdanit.

Image
Rabanne vendosi emrin e kompanisë së tij mbi një dritare të dyqanit të sapohapur në vitin 1971 në Paris (Foto: Agence France-Presse — Getty Images)

Megjithatë, ishte përqafimi i materialeve jokonvencionale dhe parfumet ato që do ta financonin dhe bënin të njohur emrin e tij.

Koleksioni i tij i vitit 1966, i kompletuar me flokë nga Vidal Sassoon, tronditi botën e modës franceze.

“Po dridheshin nga tmerri!”, kishte thënë Rabanne për The Times. Ishte e vështirë për ta sepse panë rroba që nuk mund t’i kuptonin.

Megjithatë, rrobat e tij goditën fuqishëm redaktorët amerikanë të modës dhe të famshmit e shumtë, me ç’rast shumë shpejt ato nisën të visheshin nga yje si: Françoise Hardy, Brigitte Bardot dhe Jane Birkin.

Image
Modele të veshura me krijimet e Rabannet në xhirimet e “Dim Dam Dom”, një shfaqje televizive franceze e fundviteve ‘60 dhe fillimviteve ‘70 (Foto: Claude James/INA, Getty Images)

Ai vazhdoi të avancohej tutje, duke krijuar kështu në vitin 1967, vit kur “The Times” e vlerësoi atë për krijimin e “një lloji të ri të elegancës së mrekullueshme”, një koleksion fustanesh prej letre të bashkuara me anë të brezit skocez shumëngjyrësh. Më vonë ai përfshiu edhe materiale dyfaqëshe të cilat ngjiteshin me njëra-tjetrën, alumin dhe tekstil prej fijeve të qelqit në punën e tij. Coco Chanel e hodhi poshtë atë si “një punëtor metali”, por ai shpjegoi se: “doja t’i ktheja gratë në luftëtare moderne”.

Ikja nga graviteti

Veshjet e tij përfaqësonin mundësinë e ikjes nga graviteti, në krejt kuptimin e fjalës. Siç ka thënë ai për “The Times”, “njeriu nuk e ka ndryshuar uniformën e tij për 100 vjet”. Por, “gratë janë liruar”.

Imagjinata e tij tërhoqi vëmendjen e kineastëve dhe ai u regjistrua si kostumograf filmash në: “Two or Three Things I Know About Her” dhe “Who Are You, Polly Maggoo?” të William Kleinit.

Image
Rabanne në një prezantim të fustaneve prej letre, pjesë e koleksionit të vitit 1973 (Foto: Bernard Ferret/Associated Press)

Ai tërhoqi vëmendjen edhe të Puigit, i cili e ndihmoi Rabannen të prezantonte aromën e tij të parë, “Calandre”. Ashtu si moda e tij, “Calandre” ishte një kombinim i elementeve të ndryshme që nuk duhej të përziheshin, por që në duart e tij, funksionin gjithmonë.

Katër vjet më vonë “Calandre” u pasua nga “Paco Rabanne Pour Homme”, e cila krijoi vërshim të madh aromash, përfshirë: “Metal”, “La Nuit”, “Sport” dhe “XS”. Në vitin 1981, ai prezantoi mobile shtëpie; më 1983, një linjë rrobash për meshkuj; në vitin 1990, veshje për femra. Për një moment ai kishte nënshkruar 140 licenca.

Rabanne u pensionua në vitin 1999, megjithëse “Puig” vazhdoi të lëshonte parfume të reja nën markën e tij. Më e famshmja është “1 Million”, në krijimin e së cilës kishte ndihmuar ai. Kompania ndaloi përkohësisht linjën e veshjeve duke e rikthyer tek në vitin 2011 nën drejtimin e Manish Arora, ndjekur nga Lydia Maurer dhe më pas nga Julien Dossena, stilisti aktual, i cili mori drejtimin më 2014.

Image
Pamje nga koleksionet e Rabannes të viteve 1976, 1996 dhe 1999

Autori i një numri të caktuar librash, rreth bindjeve të tij paranormale, përfshirë: “Has the Countdown Begun? Through Darkness to Enlightenment” (1994)” (“A ka filluar numërimi mbrapsht? Nga errësira te ndriçimi”, 1994) dhe “The Dawn of the Golden Age: A Spiritual Design for Living” (1999)” (Agimi i epokës së artë: Një dizajn shpirtëror për të jetuar, 1999), Rabanne u bë oficer i Legjionit të Nderit në vitin 2010. Muzeu i Dizajnit në Londër e quajti çantën e tij “Skyline” të punuar me zinxhirë në vitin 1969, një nga “50 çantat që ndryshuan botën”.

“E di që do të kem gjithmonë një vend në historinë e modës”, kishte thënë dikur Rabanne. “Unë jam në të gjithë fjalorët, sepse kam futur materiale të reja në botën e modës. Fustanet e para prej metali, letre dhe plastike të zier – kjo është trashëgimia ime”.

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku

Image
Rabanne falënderon publikun pas një sofilate në vitin 2000 në Paris (Foto: Jean-Pierre Muller/Agence France-Presse — Getty Images)