Edhe sot, shumë vite më vonë, shprehja është një realitet i kohës, vetëm se ka ndryshuar paksa formë, duke kaluar nga “Zoti të dhashtë” në “Zoti të ndihmoftë!” Por pyetja mbetet e njëjtë: ku është ai Zot që ne e thërrasim për të marrë përgjegjësitë tona. Kush mendojmë se, me një fuqi mbinatyrore, do të kujdeset për të varfrin, të sëmurin, të braktisurin?
Shkruan: Yllka Maqedonci
Autorët e mëdhenj, jo nga gjatësia e trupit, por me thellësinë analitike, mendimin kritik dhe vlerat e tyre prekin tema universale, edhe kur duken sikur shkruajnë për realitete lokale. Ky është rasti i Migjenit, i cili në prozën “Zoti të dhashtë” prek një temë që tejkalon kufijtë e kohës dhe hapësirës: raportin midis varfërisë, besimit dhe përgjegjësisë njerëzore. Në tekst, ai ironizon me fjalinë “Zoti të dhashtë!”, të cilën e përdor populli si një mënyrë për t’u liruar nga barra e bamirësisë. Në vend që të japë një copë bukë, një monedhë, apo një dorë ndihme, njeriu ia delegon barrën Zotit, sikur Zoti, cilido qoftë ai që ata besojnë, të zbresë vetë mbi tokë e t’i zgjidhë hallet e nevojtarit. Kjo shprehje e thjeshtë, që duket si uratë, kthehet në një formë talljeje të hidhur. Migjeni e sheh dhe e shënon këtë me sy të mprehtë: ajo që nuk i jep njeriu, nuk ia jep askush.
Migjeni me anë të teksteve të tij hyn në një traditë më të gjerë botërore të autorëve që denoncuan hipokrizinë shoqërore përmes figurës së të varfrit. Ai ngjan me Charles Dickens, i cili në “Oliver Twist” tregoi sesi shoqëria që fliste për mëshirë kristiane linte fëmaijët të vdisnin nga uria; me Voltaire, i cili në “Candide” ironizoi idenë e një Zoti të mirë përballë fatkeqësive njerëzore; me Viktor Hygo, i cili në “Të mjerët” e pa mjerimin si përgjegjësi shoqërore e jo si fat hyjnor; dhe me Dostojevski, që në “Vëllezërit Karamazov” pyeti sesi mund të ketë Zot të drejtë në një botë ku fëmijët vuajnë. Përmes gjuhës së uratës popullore, Migjeni bëhet pjesë e këtij kori universal.
Edhe sot, shumë vite më vonë, shprehja është një realitet i kohës, vetëm se ka ndryshuar paksa formë, duke kaluar nga “Zoti të dhashtë” në “Zoti të ndihmoftë!” Por pyetja mbetet e njëjtë: ku është ai Zot që ne e thërrasim për të marrë përgjegjësitë tona. Kush mendojmë se, me një fuqi mbinatyrore, do të kujdeset për të varfrin, të sëmurin, të braktisurin?
Migjeni na dëshmon, të thënë shkurt dhe shqip, se nëse ekziston një forcë krijuese, ajo nuk zbret për të shpërndarë bukë. Dhe çdo herë që i themi dikujt “Zoti të ndihmoftë” pa i ndihmuar asgjë në mundësitë tona, jemi duke përsëritur të njëjtën farsë që Migjeni e demaskoi me sarkazëm gati një shekull më parë.
Migjeni dhe autorët e tjerë nuk kanë për qëllim të luftojnë njerëzit besimtarë dhe bindjet e tyre, por hipokrizinë që fshihet pas frazave boshe. “Zoti të dhashtë” nuk është thjesht një thënie; është një pasqyrë që na detyron të reflektojmë: a jemi të gatshëm të ndihmojmë, apo thjesht ia hedhim barrën Qiellit? Sot, në një botë që flet për solidaritet global, kriza humanitare dhe ndihma ndërkombëtare, fraza migjeniane mbetet aktuale.