Shtojca për Kulturë

Në shtigjet e monopatit kritik të poemës “Akuzoj!” të Xhevair Lleshit

“Akuzoj” – një rezistencë kundër komforit artificial, kundër një qetësie të shtirur që nuk trazon shumëkënd. Shkrimtari ynë nuk moralizon. Ai cytet nga morali dhe akuzon. Denoncon publikisht

“Akuzoj” – një rezistencë kundër komforit artificial, kundër një qetësie të shtirur që nuk trazon shumëkënd. Shkrimtari ynë nuk moralizon. Ai cytet nga morali dhe akuzon. Denoncon publikisht

Me të vërtetë, shpesh nuk vëmë re sende të thjeshta që mbartin domethënie të thella. Ngarendim pas gjërave të fryra (por jo të mëdha), pas pushtetit, pas titujve... A nuk na shtyn kjo të kërkojmë shkakun te spektakli? Aty ku paraqitja i paraprin esencës. Individët me komplekse serioze të personalitetit të tyre, kur bëhen bashkë, kanë nevojë për maska. Kjo i shpie drejt aktrimit. Në show. Në podkast. Në këtë arenë moderne propagandistike të pluralizmit tonë të rrejshëm. Dalin nga vetja për të qenë në qendër të vëmendjes

Rezistencë. Kjo mbase mund të jetë fjala më përmbledhëse për veprën “Akuzoj!” të Xhevair Lleshit (Mediaprint, 2025). Një rezistencë kundër komforit artificial, kundër një qetësie të shtirur që nuk trazon shumëkënd.

Shoqëria e Spektaklit banon në një godinë pa shtylla të forta, por me fasadë të bukur (si konstitucionalist, s’mund ta shpërfill ekzistimin e të ashtuquajturave kushtetuta fasadë - façade constitutions; dhe ky digresion i hershëm në kllapa nuk është ndërhyrje krejt e pavend).

Balona e quajtur Shoqëri e Spektaklit shpërndan huti gjithandej. Autori i poemës pohon se “dikur punës bosh i thoshin shoqëri socialiste” (f. 39). Por çfarë po ngjan sot? Kotësia ontologjike dhe aksiologjike që po kaplon pjesën më vitale të shoqërisë, çfarë sistemi do të prodhojë? Po të themi se mjafton që është prodhuar kapitalizmi, si antipod i socializmit, Lleshi e ka të gatshëm reagimin: “Në kapitalizëm jemi se na duhen monopole” (f. 39). Dhe sapo lëshojnë rrënjë monopolet, lulëzon Shoqëria e Spektaklit. Po pra, kjo meriton të quhet Shpikje e Jashtëzakonshme (f. 40). Edhe një “Eureka!” për shqiptarët!  

Individi, pra NJERIU, është anti-thelbi i Shoqërisë së Spektaklit (f. 53). Andaj, ajo s’ka ideologji (f. 57). Sepse, sipas shkrimtarit, spektakli nuk arrin të realizojë filozofinë, por filozofon realitetin dhe degradon në univers spekulativ (f. 73). Ai vijon përsiatjen dhe konstaton se te spektakli burimin e gjen shoqëria hierarkike, qoftë moderne, qoftë arkaike. Spektakli ndërton autoportretin e pushtetit, monologun e tij përlëvdues dhe ngjiz monopolet, bashkë me sundimin klasor (f. 74). Natyrshëm lindin oligarkia e autokracia. (Uh! Prapë gjuha më shkon aty ku më dhemb dhëmbi).

Po a mund të jetë e rastësishme, për një shkrimtar me opus të larmishëm në disa zhanre, hasmëria e tij ndaj këtij tipi shoqërie e ndërtuar mbi uniformitet dhe monopol? Insistoj se jo.

Lleshi artikulon një sens oruellian:  

Edhe pse shteti të ka marrë në mbikëqyrje

Të hedh në gjyq për shpifje

Kur vetë shpif më shumë! (f. 45).

Në Shoqërinë e Spektaklit nuk ka peshë as shenjtëria e jetës së qenies njerëzore. Kjo ide sintetizohet qartazi përmes vargjeve:

Në kohët moderne një është

Kur je i gjallë dhe i vdekur (f. 77).

Nyja më e pazgjidhur e filozofisë ekzistencialiste mbetet kuptimi i të jetuarit, arsyeja e tij. Syri i mprehtë i Lleshit vëzhgon për të qëmtuar thelbin:

Nuk është e lehtë të jetosh

Midis gjërave kaq të rëndomta

Që të rrethojnë pa pikën e kujdesit

Dhe pa pasur në vëmendje

Gjërat e bukura përplot madhështi (f. 82-83).

Me të vërtetë, shpesh nuk vëmë re sende të thjeshta që mbartin domethënie të thella. Ngarendim pas gjërave të fryra (por jo të mëdha), pas pushtetit, pas titujve... A nuk na shtyn kjo të kërkojmë shkakun te spektakli? Aty ku paraqitja i paraprin esencës. Individët me komplekse serioze të personalitetit të tyre, kur bëhen bashkë, kanë nevojë për maska. Kjo i shpie drejt aktrimit. Në show. Në podkast. Në këtë arenë moderne propagandistike të pluralizmit tonë të rrejshëm. Dalin nga vetja për të qenë në qendër të vëmendjes. Laparosin karakterin për të formësuar një un të legjitimuar nga gjykimi publik. Kësisoj gjithçka kthehet në spektakël, si ofiq jozyrtar porse real kolektiv.

Shkrimtari ynë nuk moralizon. Ai cytet nga morali dhe akuzon. Denoncon publikisht. Bën me gisht kah shpata e Demokleut që luhatet sipër kurmit të demokracisë shqiptare. Ai e di se të urtit i therin gjithmonë (f. 37). Megjithëkëtë, kryen aktin qytetar. Mban përgjegjësinë intelektuale për veprimin. Poema e tij është kumbim për këndellje. U bëftë kumt!