Dy trupa kukullash të mëdha, ngjyrë të kuqe e me kokë mjellme janë të pozicionuara në dy qoshet e dhomës së parë të galerisë “Paper”. Në mes tyre, ca hapa më përpara është një trup i bardhë kukulle që në kokë ka një maskë të zezë me sy të mëdhenj. Të tria këto janë të veshura me fustane të zeza, kryesisht nga materiale lëkure dhe rrjeta. Ngjyra dominuese është e zeza, megjithëse disa pjesë, siç janë çizmet e kukullës së parë, janë nga lëkura ngjyrë kafe. Të tria këto janë marrë nga koleksioni “Wounded Swan”.
Për herë të parë Wounded Swan (Mjellmë e plagosur) është prezantuar në Sarajevë në “Europian Fashion Passport” dhe ka fituar vendin e parë. Si koleksion përçon historinë e luftës, një mjellmë me tymin e luftës, me errësirën dhe me vështirësitë e asaj kohe.
Më pas, nëse ecet në anën e majtë të hyrjes, në dhomën tjetër mbizotëron bardhësia. Në dysheme është shtruar një material i bardhë i cili vende-vende është mbledhur për t’i ngjarë sadopak brymës, prej së cilës edhe ka marrë emrin koleksioni, “Brymë”.
Në dy anët e dhomës drejtkëndëshe gjenden dy buste të cilat rrinë pezull me ndihmën e një shkopi me anë të të cilit ato arrijnë ta mbajnë edhe peshën e fustaneve që gjenden mbi to. Të dy fustanet karakterizohen nga ngjyra e gjelbër e zbehtë.
mes të këtyre dy fustaneve gjendet një fustan nga “Geisha”. Për shkak të mënyrës se si është vendosur - nuk shihet se kush e mban – si dhe faktit se qëndron mbi “mjegull”, i ngjan paksa një fantazme. Megjithatë, kjo “fantazmë” me bukurinë e dizajnit, luleve të cilat shtrihen tej për tej, modelin i cili shkon duke u zgjeruar, si dhe faktit se ai nuk ka krahë, por vetëm mund të futet në kokë, bën që ai të duket jo vetëm i bukur, por edhe madhështor.
Që të tri këto veshje të këtyre tri koleksioneve i përkasin disenjatorit të famshëm Etnik Shala dhe së fundmi janë bashkuar nën një titull “MM6.” Së bashku edhe me disa modele të koleksioneve “Kornizë”, “Marubi”,”Cage”, “Goblen Movement” dhe “Etnikografi”, ato do të jenë të ekspozuara për një muaj në “Paper Gallery”
“Ekspozita ‘MM6’ është një përmbledhje e punëve të mia artistike. Koleksione që janë shpërblyer jashtë vendit ose kanë marrë pjesë nëpër prezantime të suksesshme, revista ndërkombëtare e të tjera”, ka thënë Shala.
Të gjitha këto veshje, siç ka thënë edhe vetë Etnik Shala, do të mund të ndahen në dy pjesë: pjesa etnografike dhe ajo e veshjeve avangarde. Nga veshjet etnografike ajo e cila bie më së shumti në sy është xhubleta. Duke dashur t’i qëndrojë besnik emrin të tij, Shala si eksperimentues dhe avangardist ka dashur që xhubletës, një prej veshjeve më të vjetra të kulturës shqiptar, t’i japë një pamje më moderne. Ai i ka ruajtur formën dhe modelin e saj, por se në pjesën e parme të saj ai ka vendosur t’i printojë poezinë për xhubletën. Vargjet: “Une kam shum’ çka me kallxua/ Vi nga bjeshkt që jan’ mallkua!/...” të cilat mbulojnë komplet pjesën e parme të xhubletës dhe të cilat, të shkruara me ngjyrë të bardhë e të vendosura mbi material të zi, e bëjnë atë më të ndritshme dhe njëherësh edhe më të veçantën nga modelet e tjera.
Koleksioni “Etnografia” është edhe koleksioni i fundit i Etnik Shalës. Ky koleksion për herë të parë u shfaq para publikut në kuadër të “Muzecompetition” në qershor të këtij viti. Mënyra se si janë punuar këto veshje është shumë e veçantë, sepse brenda vetes përfshijnë stile të ndryshme.
“Koleksioni i fundit është ‘Etnografia’, i cili është krijuar nga fotografimi i detajeve të vjetra, prej veshjeve dhe aksesorëve që janë punuar në trevat shqiptare. Kam arkivuar veshje dhe detaje të vjetra, i kam printuar dhe pastaj i kam punuar me materiale të lehta për të përditësuar veshjen tonë kombëtare”, ka shpjeguar Shala.
Megjithatë, kjo ekspozitë, përveç faktit se bën një përmbledhje të disa koleksioneve, është e veçantë edhe për një fakt tjetër. Ndryshe nga herët e tjera kur punimet dhe veprat e disenjatorëve mund të shihen vetëm në sfilata apo në atelietë e tyre, veprat e Etnik Shalës do të mund të vizitohen në një galeri, një vend ku rëndom ekspozohen pikturat dhe format e ngjashme të artit.
“’Paper Galery’ më ka bërë një ofertë për bashkëpunim dhe ndihem shumë i privilegjuar pasi që janë shumë bashkëkohorë, janë me shumë stil dhe menjëherë kam besuar në stilin e tyre, prandaj jam shumë i kënaqur me realizimin e tyre, sepse është diçka pak ma ndryshe. Për herë të parë është bërë një ekspozitë ku njerëzit mund të vijnë ta vizitojnë, të dalin pak prej sfilatave siç rëndom ndodh. Si një mini-muze i punëve dhe sirtarit tim artistik”, ka thënë Shala.
Krejt e veçantë ka qenë edhe vendosja e disa prej kreacioneve të koleksionit “Goblen Movement” në muret dhe qoshet e barit të hapësirës. Me një fustan të këtij koleksioni ishte veshur edhe një modele.
Lidhur me këtë ekspozitë për KOHËN ka folur edhe drejtori i “Paper Gallery”, Gazmend Ejupi. Ai ka thënë se qëllimi i kësaj ekspozite, mbi të gjitha, është mbështetja e një artisti të ri siç është Etnik Shala.
“Projekti i Etnikut është bërë në kuadër të ‘Project Space’ i cili bëhet çdo muaj në ‘Paper Gallery’. Ajo iu jep hapësirë artistëve që merren me dy mediume instalacione ose performanca. Këto të dyja janë mediume shumë të zbehta në Kosovë, të cilat kanë nevojë për më shumë hapësirë”, ka thënë Ejupi, duke shtuar se Shala është thelluar më së shumti në ndërtim dhe se ai ka një zemër të punës që është një shembull në botën e modës.
Për “MM6”, në rolin e mysafires ka folur edhe Miradije Vllahiu, e cila u shpreh shumë e kënaqur që veprat e Shalës janë ekspozuar në një vend kaq të bukur dhe me shumë stil.
“Ekspozita me kreacionet e Etnikut për mua ka shumë vlera, duke përfshirë krejt atë shkrirje të mendjes së tij në këto punime. Personalisht e çmoj shumë punën e Etnikut. E njoh qysh moti, sepse që të dy vijmë nga Peja. Jam jashtëzakonisht e lumtur që ta shoh një ekspozitë të tille në një vend kaq të bukur, nga një kreator apo ideator i këtyre punimeve”, ka përfunduar Miradije Vllahiu.