Shtojca për Kulturë

“Metamorphosis” gati për intervenimin në “Kino Rinia”

“Metamorphosis”, program i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, vë në dialog artin dhe kulturën për të diskutuar rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirave publike. Duke rikthyer në jetë objektet e braktisura qoftë edhe për një ditë, mëtohet që të dokumentohet kujtesa kolektive e një të kaluare për të cilën pak flitet, dhe të trajtohet shfrytëzimi i hapësirës publike në të mirë të komunitetit. Këtë vit, stafi i është përveshur punës për të bërë intervenimin e radhës artistik në një objekt të braktisur. Për edicionin e katërt kanë zgjedhur “Kino Rininë”. Intervenimi i artistit do të zërë vend nga data 7 deri më 9 shtator të këtij viti. “Zërat Paralel” ( Parallel Voices) është titulli i intervenimit në bazë të konceptit të artistit të ftuar, Maksut Vezgishi – Maksi.

Sihana Klisurica, përgjegjëse për komunikim në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”, ka theksuar se “Metamorphosis” fokusohet veçanërisht në objekte, monumente dhe hapësira publike të cilat janë edhe produkt i proceseve të shumta shoqërore.

“Për këtë arsye nuk është e mjaftueshme për t’u hulumtuar dhe dokumentuar vetëm përbërja e materialeve, por edhe funksioni i tyre, i cili ndryshon nga vetë shoqëria. Për më tepër, ndryshon mënyra se si po formohet korpusi i njohurive publike, ashtu si dhe hapësira publike në të cilat ekzistojnë këto objekte dhe monumente kulturore”, ka thënë ajo. Ka shtuar se përmes “Metamorphosis” synohet të analizohet lidhja midis objekteve, monumenteve dhe vetëdijes publike, në mënyrë që nga njëra anë të kuptohet më mirë logjika e formësimit dhe e organizimit të korpusit të njohurive në hapësirën publike, dhe nga ana tjetër të sqarohet qartë roli aktiv shoqëror i objekteve dhe monumenteve.

“Në këtë mënyrë, duke u angazhuar me historitë dhe simbolet hapësinore të kujtesës, ‘Metamorphosis’ vë në pah fuqinë e kujtesës kolektive për të formësuar hapësira të reja urbane, dhe njëkohësisht thekson të drejtën mbi qytetin”, ka thënë ajo. Duke e marrë parasysh këtë, ka shtuar se “Shtatëmbëdhjetë” vlerëson se është shumë e nevojshme që të vazhdojnë punën e tyre më “Metamorphosis” që të arrijnë të kultivojnë një lloj vetëdijesimi të përgjithshëm mbi vlerat që një objekt apo hapësirë i ka. Gjithmonë, sipas tyre, duke analizuar aspektin historik, arkitektonik, social e kulturor.

“Metamorphosis” deri më tani është shtrirë në një vit kalendarik, por për edicionin e katërt, stafi ka vendosur që kjo ngjarje të marrë formën e një aktiviteti bienal. Sa i përket “Kino Rinisë”, gjithçka kishte nisur në fund të vitit të kaluar.

“Kemi parë që një zinxhir i marketeve kishte vendosur banerin në fasadën e jashtme të ‘Kino Rinisë’ dhe kjo gjë na ka alarmuar që të ndërmerrnim diçka në mbrojtje të kinemasë që të mos kthehet në market. Bashkë me organizata të tjera jemi mobilizuar që ta ndalim këtë proces, i cili rezultoi i suksesshëm”, ka treguar Klisurica. Por ky nuk ishte rasti i vetëm që i kishte shtyrë që “Kino Rinia” të jetë nikoqire e intervenimit të tyre artistik.

Klisurica ka bërë të ditur se ekzistonte rreziku që “Kinemaja Verore” e “Kino Rinisë” të kthehej në parking. Kështu ata menduan se ky është momenti i fundit që të reagojnë zëshëm për mbrojtjen e kinemasë, e cila është ndërtuar përafërsisht në të njëjtën kohë si kinemaja “Lumbardhi” në Prizren dhe “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

“Rrjedhimisht edhe vlera e kësaj kinemaje është po aq e rëndësishme dhe ky objekt duhet të ruhet. Vlera e objektit si kinema duhet të dalë në pah e po ashtu publiku i gjerë të njoftohet me rolin që kjo kinema pati ndër vite për zhvillim shoqëror”, ka thënë Klisurica. Se si e në çfarë formë artistike do të theksohet e gjithë kjo, i mbetet artistit Maksut Vezgishi. Megjithatë, ai ka bërë disa detaje të ditura në një deklaratë të shkruar pikërisht për këtë intervenim.

“Ndërhyrja artistike inicion bashkëveprimet artistike të lidhura me çështjet shoqërore dhe politike, dhe ringjall praktikat 'antisistem' si rezistencë ndaj 'hegjemonisë planetare' dhe të ideologjisë si 'kapitalizmi neoliberal'. ‘Zërat paralelë’ për nga forma përcaktohet si 'autonome', pa asnjë funksion tjetër përveç së vetes! Ndryshe është menduar si ‘Koncept jokuratorial' si praktikë e funksionimit të ‘formave’ bashkëkohore në art. Pyetja qendrore që shtrohet është: Si të vlerësohet kapaciteti i 'Formave artistike' për të funksionuar ‘në jehonë’ të protestës shoqërore dhe politikës!?”, ka shkruar ai.

Sipas tij, hapësira e kinemasë dhe e projeksioneve në objektin “Kino Rinia” është e braktisur, pa një destinim të caktuar. Prandaj, sipas tij, kjo gjendje e shurdhët dhe e errët e tij janë dy pikënisjet, duke marrë parasysh se sot ky objekt i ngjason një “CINEMA MUET” dhe një “CAMERA OBSCURA”.

Vezgishi ka thënë se në një formë do të bëjë zgjimin e zërit dhe kthimin e dritës në objektin e dikurshëm që ishte kinema.

“Forma eksperimentale e transmetimit është e qëllimshme. Operatorët/lajmëtarët përmes zërit e transmetojnë përditshmërinë e 20 vjetëve të demokracisë. Publiku provokohet me paqartësinë që prodhon kakofonia-teknike, e cila njëkohësisht ngjall ndjenja të kundërta observimi, duke ua lënë vendin herë kureshtjes, herë indiferencës. Në aspektin tematik ndikon edhe në gjendjen post ‘90 dhe paqartësinë e shekullit XXI”, ka shkruar tutje artisti, i cili këtë vit prezantoi Kosovën në Bienalen e Venecias me veprën "Containporary”. Gjatë karrierës së tij si artist, Maksi ekspozoi veprat e tij në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Belgjikë, Itali, Britani të Madhe, Spanjë, Izrael. Mori pjesë në konkurse të ndryshme ndërkombëtare dhe është fitues i disa çmimeve në fushën e arkitekturës, teatrit e artit bashkëkohor.

“Metamorphosis” ka filluar në vitin 2018. Në edicionin e parë ishte punuar në ish-mensën e punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”, në lagjen “Pejton”.

Në vitin 2019 kishin përzgjedhur objektin, që ndryshe njihet edhe si ish-restorant “Marsi”, në lagjen “Kodra e Trimave”. Për këtë edicion të dytë si artiste patën ftuar Fitore Shukriun – Koja, e cila konceptoi intervenimin artistik në atë objekt dhe njëkohësisht “Shtatëmbëdhjetë” punoi në publikimin e librit të parë në kuadër të “Metamorphosis”. Njëjtë sikur intervenimi artistik, ashtu edhe libri u titullua “Flirting With Leftovers”, me autore Koja.