“Ajo e dinte se kishte prej tyre që e prishnin agjërimin, por fshehurazi, saqë askush nuk kishte mundësi që t’i shihte ata duke bërë një veprim të tillë. Po kështu në këtë mënyrë, publikisht para gjithë botës, askush nuk do ta prishte agjërimin për asnjë çmim. Vetëm Hasani u gjet nën presion të madh, prandaj Emineja u frikësua shumë se mos vallë me kërkesën e saj e kishte humbur përgjithmonë edhe atë...” shkruante Nishliu në tregimin “Bilbilja shqiptare e Nishit”, botuar në revistën “Otadžbina” në vitin 1877. Autori i nënshkruar si “Nishliu” më vonë ishte konfirmuar se ai ka qenë Nikolla Gjoriq. Në këtë pjesë të dytë të tregimit shpaloset martesa e shqiptares Emine. Ajo sfidoi ata që i vardieseshin me prishjen e agjërimit
Nishliu
Edhe mirë ka bërë ai oficeri që e la Eminenë në Nish!
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy ishte ngushëllimi dhe hakmarrja ime për atë çast, por të nesërmen shkova në han. Emineja u soll sikur dje të mos e kishte thënë asnjë fjalë. Unë ndalova t’i shikoja argëtuesit e tjerë, shumë prej të cilëve kishin pirë, por shumica prej tyre tashmë kishin kaluar mu ashtu siç kalova unë ditë më parë; dhe ky ishte ngushëllimi im i ri. Të paktën nuk kalova më keq se të tjerët dhe nuk isha më fatkeq se të tjerët.
Si u mashtrova keq?!
Megjithatë, ne nuk ishim të gjithë të barabartë e pa dallime mes vete. Në hanin e Ejupit vinte për të pirë kafe edhe Hasan Uzuni, një djalë i pashëm, nga një shtëpi e mirë. Tani ai jeton diku rreth Stambollit. Hasani migroi kur Nishi kaloi në duart tuaja.
Prej të gjithë neve vetëm Hasan Uzuni nuk vrapoi kurrë pas këngëtares sonë; nuk e shfaqi asnjë ndjenjë të hapur, se ishte magjepsur nga bukuria apo kënga e saj edhe pse edhe ai sikur ne çdo natë vinte në han. Ai asnjëherë nuk iu vardis Eminesë. Dhe ja halli. Vajza e vuri re shpejt se Hasani nuk ishte si të tjerët; asaj ai i dukej shumë i pazakontë, prandaj si çdo grua, bëri çmos për ta pushtuar atë dhe për ta mbërthyer në grackat e saj tanimë të njohura! Sigurisht, të gjitha këto ajo i bëri me shumë kujdes, saqë në fillim askush nuk mund të hetonte asgjë, por syve të mi nuk mund t’i shpëtonte asgjë. Nga një dashnor i zjarrtë unë u bëra një maçok që përgjon. Dhe kështu më vinte, sikur Hasani të ishte i dashuruar si gjithë të tjerët, vetëm se ai e fshihte këtë ndjenjë ose sepse ishte i urtë ose ishte i turpshëm. Dhe kjo sjellje e Hasanit i përgjigjej vullnetit të Eminesë. Mu ky frenimi dhe qëndrimi i tij, Eminesë i dukej mashkullor dhe dinjitoz, dhe për mua më në fund ishte e qartë si dita se ajo e donte Hasanin me gjithë zemër dhe shpirt. Dashuria e tyre nuk mund të fshihej më: dashuria e re dalëngadalë e shtyri anash atë të vjetrën dhe thjesht u desh edhe pak kohë që këtë ta vërenin të gjithë të tjerët.
Rrëmuja e mysafirëve në han mori hov edhe më tepër. Njerëzit më në fund nisën të zemëroheshin dhe kërkuan që t’i jepej fund kësaj pasigurie. Lëreni të shkojë Emineja më kë të dojë ajo; të tjerët do të jenë të kënaqur me fatin e tyre. Por, që kjo gjendje të vazhdojë të mbetej si më parë kjo nuk durohej më. Bukuroshja shqiptare u gjet në një situatë të çuditshme dhe kur pa se çështja është shumë serioze, ajo kërkoi kohë prej tre muajsh për të menduar se me kë të shkonte më në fund.
Ajo shpresoi që për këtë kohë Hasani do të hapte gojën. Por, kaluan tre muaj dhe ai nuk e tha asnjë fjalë për dashurinë.
Emineja u mërzit shumë kur u afrua fundi i afatit tremujor. Ajo më në fund duhej të bindej se ishte mashtruar në llogaritjet dhe pritshmëritë e saj, se Hasani i ri as nuk e ëndërronte dashurinë dhe se ajo me të vërtetë ishte e çmendur, se i dha zemrën atij.
Kur në mbrëmje Emineja erdhi për kafe si zakonisht, u pa se ajo ishte e zbehur dhe e merakosur. Mysafirët ishin mbledhur të gjithë dhe ishin ulur në minder. Pinin duhan dhe heshtnin. Edhe Hasani ishte në vendin e tij të zakonshëm. Emineja e mori tamburenë dhe filloi të këndojë diçka që ishte e pakuptimtë. Pas kësaj, ajo këndoi një këngë të trishtë shqiptare, që kurrë më parë nuk e kishte kënduar. Zëri i saj është i butë, më i dobët se më parë, por ai nuk i dridhej, përkundër që gjoksi i saj gufonte në çdo frymëmarrje të saj. Sytë e saj ishin plot me lot dhe ajo e kishte ngritur shikimin aq lart, saqë sytë tanë nuk mund të përputheshin me sytë e saj. Ishte një këngë shqiptare që edhe burrat më të fuqishëm i bënte të qajnë. Të gjithë po i dëgjonin tingujt e çuditshëm të tronditur dhe kur kaluan vargjet e fundit, në han ra një heshtje vdekjeje. Njerëzit mbetën pa fjalë e të tronditur dhe vetëm pas pak çastesh njëri nga të ftuarit u ngrit dhe filloi:
Emine, afati yt sot ka kaluar dhe tani duhet ta përmbushësh premtimin. Këtu jemi të gjithë, ndaj zgjidhe një burrë prej nesh. Nuk ka më vonesa apo justifikime.
E di, e di shumë mirë, – u përgjigj Emineja, – dhe do ta mbaj fjalën, por doja vetëm të kërkoja që të më jepni edhe pak kohë për të menduar, ndoshta edhe tre muaj.
Të gjithë filluan të zemërohen; vetëm Hasani nuk tha asnjë fjalë.
Në tre muajt e ardhshëm të gjithë mund të vdesim, bërtiti dikush.
Nuk është aq e lehtë të vdesësh, u përgjigj Emineja. Para së gjithash pse po çuditeni se pse unë nuk mund të vendos kë ta zgjedh kur vetë ju keni faj për këtë, sepse askush nuk mundi të më tërheqë me diçka të veçantë.
Çfarë?! Nuk u përpoqëm – bërtitën të gjithë.
A nuk t’i ofrova njëmijë mexhidi, 1000 ? – tha njëri.
A nuk ju dërgova në shtëpi byzylykë të artë për këmbët dhe duart? – vazhdoi tjetri.
A nuk t’i dhurova tre qilimat më të bukur të Pirotit? – bërtiti i treti.
Dhe të gjithë duhej t’ia kujtonin veçmas Eminesë se kush dhe çka i kishte ofruar, kështu që shurukama u bë e fuqishme, saqë dukej se njerëzit ishin duke u grindur rreth diçkaje. Vetëm Hasani ishte i heshtur, por fytyra e tij ishte e zbehur si një leckë.
Heshtni, heshtni! – filloi Emineja duke e tundur dorën. Megjithatë, më duhet të them përsëri se nuk keni bërë asgjë! Unë nuk kam nevojë për asgjë nga ju, mexhiditë e tua Jusuf mbaji për vete. Ti Jakup mund të vish t’i marrësh prapa byzylykët e tu kur ta kesh qejfin! Unë do t’jua kthej prapa ato dhurata me zemër të lumtur; dhe në qilimat e tu Osman, po pushon Mejremja ime në ta edhe për këtë ajo të është shumë mirënjohëse. Të gjitha këto për mua nuk vlejnë asgjë. Për mua është dashur të bëni diçka të pazakontë.
Thuaj çfarë? – bërtitën të gjithë. Ne do t’ju dëgjojmë.
Por, për hir të Allahut, a thua unë do t'ju them se çfarë të bëni? A nuk iu mjaftuan tre muaj të plotë për të menduar për këtë.
Nuk do ta bëjmë kështu, jo – filloi Jakupi. Mu për atë që të bindim se do të bëjmë gjithçka për ju, kërkojmë që ju të na tregoni se çfarë kërkoni prej nesh.
Mirë, por atëherë duhet të më jepni kohë që të mendohem.
Jo! jo! menjëherë! – bërtitën të gjithë.
Mirë, pra. Le të jetë sipas dëshirës suaj, filloi Emineja dhe në dhomë ra një heshtje shurdhuese. Me të vërtetë e kam shumë të vështirë që prej jush ta zgjedh njërin për bashkëshort timin të ardhshëm, sepse të gjithë ju jeni djem të vlefshëm dhe pa të meta. Kjo është arsyeja pse unë duhet t’ju ofroj një marrëveshje, dhe kushdo që pajtohet me të, atëherë do të më ketë pranë vetes!
Le ta dëgjojmë! Le ta dëgjojmë!
Ne, siç e dini ju, sot jemi në mes të Ramazanit, dhe ju në gjithçka jetoni siç e përcakton ligji i fesë. Ju nuk hani asgjë gjatë ditës, sepse të gjithë jeni myslimanë të vërtetë.
Ashtu është – u dëgjua si në kor nga të gjitha anët.
Dhe ju besoni fort se ai që e prish agjërimin nuk mundet assesi të arrijë në parajsë. Ai i humbet të gjitha gëzimet dhe kënaqësitë e Allahut.
Kështu thonë librat e shenjtë!
Mirë. Unë do të martohem vetëm për atë që më do më shumë se hyritë e parajsës. Nesër në mëngjes unë vetë do të holloj një bakllava shumë të mirë dhe në mesditë do të vij këtu me tepsinë përplot. Ai që do të drekojë me mua do të bëhet burri im i ardhshëm ndaj të cilit do të jem besnike për gjithë jetën!
Të gjithë u ngrinë si të goditur nga rrufeja. Në dhomë ra heshtja derisa përnjëherë u ngrit një zhurmë e gjallë. Një kërkesë e tillë nisi të kundërshtohej nga të gjitha anët.
Por, Emineja filloi menjëherë:
Po ju nuk do të vini patjetër. Nëse e keni më për zemër t’i zbatoni porositë e profetit: unë nuk kam asgjë kundër. Por, do të jetë dhe do të bëhet ashtu siç kam thënë unë!
Dhe duke thënë fjalët e fundit ajo e mori ferexhenë, u mbështoll dhe u nis drejt shtëpisë. Duke u larguar prej hanit, ajo e shikoi vetëm Hasanin, por aq thellë dhe në mënyrë domethënëse, saqë të gjithë e vunë re.
Në han u krijua rrëmujë dhe pakënaqësi e skajshme. Të gjithë filluan të bërtisnin pa e pritur radhën:
Kjo është ndonjëfarë shejtane, që ka ardhur mes nesh që ta vendosë në sprovë besimin tonë – bërtiti njëri prej të pranishmëve.
Jo! – xhaurrët e paguajnë Eminenë që ajo të na çojë neve në rrugë të keqe – foli një tjetër.
Unë nuk do të vij – bërtiti i treti pas tij.
As unë !
As unë !
Dhe kështu bënë të gjithë. Por, secili mendoi në vete. Në dreq të mallkuar, sikur të ishte e mundur që njeriu të shkojë në shtëpinë e saj dhe në këto ditë të agjërimit atje të drekojë në vetmi me të! Por, kështu para të gjithëve – do të bëhet turpi i botës, i tillë që kurrë nuk ka ngjarë me një turk (shqiptar vërej. Përkth.).
Hasani ishte i vetmi që nuk e tha asnjë fjalë, por duke qëndruar në vendin e tij ai heshti dhe u zhyt në mendime të thella. Si një besimtar i mirë, ai u neverit në thellësinë e shpirtit, sepse duhej të vepronte ashtu siç kërkonte Emineja; por ai shikimi i saj i çuditshëm e tronditi keq saqë nuk dinte se çfarë të bënte!
Ndërkaq Emineja ishte e sigurt se në këtë mënyrë i kishte shpërndarë të gjithë ata që vardiseshin, pasi në të vërtetë ajo edhe i njihte mirë këta djem. Ajo e dinte se kishte prej tyre që e prishnin agjërimin, por fshehurazi, saqë askush nuk kishte mundësi që t’i shihte ata duke bërë një veprim të tillë. Po kështu në këtë mënyrë, publikisht para gjithë botës, askush nuk do ta prishte agjërimin për asnjë çmim. Vetëm Hasani u gjet nën presion të madh, prandaj Emineja u frikësua shumë se mos vallë me kërkesën e saj e kishte humbur përgjithmonë edhe atë.
Të nesërmen rreth mesditës ajo arriti në han. Me vete e kishte marrë shërbëtoren dhe tepsinë me bakllava. Dhe ne, kërkuesit, tani ishim të gjithë bashkë. Megjithatë, të gjithë erdhën për të parë nëse do të kishte ndonjë hero që do të guxonte t’i jepte fund agjërimit për ta fituar dashurinë e saj!
Emineja u ul në minder, ndërsa shërbëtorja vendosi tepsinë e bakllavasë pranë saj, të gatuar pak kohë më parë. Më pastaj ajo u kthye drejt të pranishmëve dhe ashtu qëndroi për një kohë, duke i matur të gjithë me një shikim të mprehtë.
Pra, cili prej tyre nuk do të pranonte ftesën dhe me kënaqësi ta merrte një copë bakllava nga dora e saj? Të gjithë ishin të emocionuar jashtëzakonisht, por askush nuk lëvizi prej vendit. Askush nuk dëshiroi ta sakrifikonte fytyrën e vet për dashurinë e saj. Aty ishte edhe Hasani dhe sytë e tij u ndeshën me sytë e Eminesë. Ajo vuri re se edhe ai ishte shumë i emocionuar dhe se ndodhej në mundime të ferrit. Duke ndaluar shikimin te Hasani dhe duke e parë e trishtuar, tha:
Dhe kështu pra askush nuk më do! Prandaj, më duhet të ha vetëm. Përfundimisht është e vërtetë që askush nuk më do!
Fjalët e fundit të saj ishin aq të dhimbshme dhe zëri i saj ishte plot qortim, saqë Hasani për një çast harroi veten dhe gjithçka. Atij iu duk sikur një forcë e parezistueshme e shtyri përpara dhe pa menduar se çfarë po bënte, u hodh dhe rrëmbeu një copë bakllava, të cilën Emineja ia afroi atij. Por, në çastin kur ai deshi ta kafshojë copën e bakllavasë Emineja e tërhoqi dorën prapa dhe nuk e la që ai ta shijonte atë.
Nuk duhet të hash tani, tha ajo me një zë të butë dhe të sjellshëm. Thjesht kisha nevojë të dija se ti më do nga zemra, por as që e kisha menduar ndonjëherë që ta fusja dikë në mëkat dhe që ata ta humbnin parajsën për shkakun tim. Eja tek unë sonte dhe ne së bashku do të ngopemi së ngrëni bakllava. Pastaj bakllavaja do të jetë edhe shumë më e ëmbël!
Duke e thënë këtë, ajo e kapi Hasanin nga dora e djathtë si fëmijë, e puthi në krah dhe u largua drejt shtëpisë. Hasani mbeti si i gurëzuar. Ai nuk mund të besonte assesi që përnjëherë u bë kaq i lumtur në jetë. Emineja e do atë! Emineja do të jetë e tija!
Atë mbrëmje ai e zbuloi se sa shumë e kishte dashur Emineja atë, madje që prej kohësh. Kur ai e dëgjoi këtë, atëherë edhe ai rrëfeu se çfarë mundime kishte kaluar gjatë kësaj kohe.
Të nesërmen që të dy u paraqitën para kadiut, dhe menjëherë më pas bënë dasmë. Dhe, Hasani nuk u ankua asnjëherë për fatin e tij. U kuptua se ai ishte i lumtur në gjithçka.
Emineja nuk erdhi më të këndonte në han. Tani ajo është bërë kadune dhe është gruaja e vetme e burrit të saj dhe e vetmja në shtëpinë e Hasanit, dhe në atë shtëpi kishte lumturi me bollëk dhe gjithçka të mirë. Por, ajo nuk i la këngët e saj. Edhe pas martesës prej kopshtit të saj me plot lule aromatike herë pas here shpërthenin tingujt e qetë të tamburesë dhe zëri i saj melodik dëgjohej netëve të shndritura nga drita e hënës. Sa herë e kemi dëgjuar prej së largu atë zërin e saj magjepsës, se si ai zë e ndërpriste zhurmën e dallgëve të lumit të Nishavës. Si unë, ashtu të gjithë kërkuesit e tjerë, kishim arsye të mjaftueshme për t’ia pasur zili Hasanit për fatin që i ra në hise atij, që ta shijonte ëmbëlsinë dhe gëzimin e Allahut edhe këtu, në këtë botë.
Kështu deshi Allahu. I qoftë lavdi emrit të Tij!
Pjesa e dytë e tregimit “Bilbilja shqiptare e Nishit”. Titulli është i Redaksisë
LEXO EDHE: